Merovci rrëfen momentet dramatike të vitit 1999 me Ibrahim Rugovën

Aktuale

Merovci rrëfen momentet dramatike të vitit 1999 me Ibrahim Rugovën

Më: 21 janar 2019 Në ora: 23:02
Adnan Merovci dhe Ibrahim Rugova

Ish shefi i protokollit dhe truproja e presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, në emisionin “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini ka rrëfyer një prej ngjarjeve më dramatike të luftës, arrestimin e Ibrahim Rugovës në Prishtinë nga policia dhe ushtria serbe.

Merovci, thotë se pasi forcat serbe kishin depërtuar në shtëpinë e Rugovës, kishin njoftuar këtë të fundit se të nesërmen do të takohej me Millosheviqin.

“Kur kanë ardhur të nesërmen në ora 7:00 për ta marrë Rugovën, ai nuk ishte bërë gati dhe në atë moment ndaj tij ishte zhvilluar një brutalitet verbal. Na thanë se nëse brenda pesë minutash nuk bëheni gati, do t’ju marrim ashtu si jeni”.

“… Jemi nisur me një veturë, përpara ishin një shofer dhe një person i sigurimit. E kishin një armë gjermane të tipit ‘Heckler’. Më shkonte mendja ta rrëmbej për një moment, por e dija që nuk do të kishte efekt”, tregon ai.

Shoqëruesi i Rogovës tregon edhe momentin kur është përballur me Millosheviqin, të cilin ai e përshkruan si traumatizues.

“Takimi mes Rugovës dhe Millosheviqit ka zgjatur rreth gjysmë ore. Pas kësaj kohe më ka ftuar një person. Kam hyrë në një vend që nuk e kisha idenë ku jam, dhe kur e kam dëgjuar Rugovën duke mu drejtuar në gjuhën shqipe: ‘hajde Adnan, se unë të thirra’. Për mu ka qenë një moment i pa përshkruar psikologjik, kur më doli para balli i Millosheviqit. Një njeri që po shkaktonte katrahurë”.

Merovci veçon një detaj ku ai thotë se me vete e kishte pasur një telefon të kohës, por askush nga sigurimi nuk e kishte detektuar.

“Në momentet që po zhvillohej takimi, unë në korridore po mendoja se përderisa ky telefon është mjaft i madh dhe nuk ma kanë gjetur, ndoshta kam mundur edhe revole të merrja me vete”, rrëfen më tej Merovci.

Ndër të tjera Merovci tregon edhe momentin kur kishte përfunduar takimi i Rugovës me Millosheviqin dhe fjalët që ky i fundit kishte thënë.

“Në dalje Millosheviqi i ka bërë një kërcënim Rugovës në dalje. ‘E kam caktuar një njeri që mua më përgjigjet me jetë, nëse ty të mungon një qime e flokut’, i tha ai. Nuk ka një kërcënim më të madh në gjuhën e kërcënuesve… Me fjalë të tjera të kam në dorë”, rrëfen Merovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat