Bushati: Puna ime e orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë

Aktuale

Bushati: Puna ime e orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë

Më: 23 janar 2019 Në ora: 11:03
Ditmir Bushati

Ish- ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati kaloi sot stafetën për drejtimin e ministrisë.

Në fjalën e tij Bushati theksoi se, në punën e tij është orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe prioritetet strategjike të politikës tonë të jashtme.

“Themelet mbi të cilat mbështetet kjo politikë e kanë gjenezën që në themelimin e shtetit modern shqiptar, por ato u ridimensionuan pas rënies së diktaturës komuniste, duke kristalizuar qartësisht përkatësinë tonë europiane dhe perëndimore”, tha Bushati.

Bushati shprehu besimin se, “sot Shqipëria është një partner dhe aktor gjithnjë e më i besueshëm në arenën ndërkombëtare, me një fizionomi të qartë e të pangatërrueshme të saj në mozaikun e familjes tonë euro-atlantike”.

Ai më tej theksoi se “falë punës tonë të përbashkët, kemi arritur të projektojmë një Shqipëri më dinjitoze dhe proaktive, e cila sfidat i sheh si mundësi dhe jo si probleme”.

“Konsoliduam partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në. Hodhëm hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, me fitimin e statusit të vendit kandidat, marrjen e rekomandimit të qartë të Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe vendimmarrjen e BE-së për fillimin e procesit “screening” dhe kalendarin e bisedimeve”, tha Bushati.

“Forcuam më tej rolin tonë në NATO, si një kontribut të përbashkët për familjen euro-atlantike të cilës i përkasim. Anëtarësimi i Shqipërisë për herë të parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ishte dëshmi e ndjeshmërisë sonë sociale ndaj respektimit dhe promovimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sikundër kontribut për multilateralizimin. Për herë të parë një përfaqësues shqiptar u zgjodh në Komitetin Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të OKB-së”, u shpreh ish-ministri i MEPJ.

“Fuqizuam peshën tonë rajonale nëpërmjet një politike pro-aktive dhe pjesëmarrjes në nismat bilaterale, trilaterale dhe kuatrilaterale bazuar në devizën tonë: të hapur në Mesdhe e të kyçur në Ballkan. Siguruam dy selitë e para rajonale në Tiranë: atë të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal. Sikur se mundësuam kryesimin nga një përfaqësues shqiptar të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal”, tha Bushati.

“Projektuam një Shqipëri me më shumë peshë në rajon duke konsoliduar marrëdhëniet me shqiptarët, duke e kthyer këtë Ministri në shtëpi të të gjithë shqiptarëve. Përmirësuam imazhin dhe peshën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare duke marrë për herë të parë drejtimin e një organizate të rëndësishme si OSBE për vitin 2020”, theksoi ai.

“Modernizuam shërbimet konsullore si asnjëherë më parë, duke ulur ndjeshëm abuzimin, koston, kohën dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë kudo ku ndodhen, duke fuqizuar njëkohësisht lidhjen tonë me Diasporën e duke i konsideruar ata shtrirje të natyrshme të politikës sonë të jashtme”, u shpreh Bushati.

“Hapëm ministrinë për një brez të ri diplomatësh. Me qindra studentë praktikantë, ndihmojnë sot trupën tonë diplomatike. Rritëm ndërveprimin me botën jashtë këtyre mureve duke përdorur rrjetet sociale, e duke e kthyer shërbimin e jashtëm në një prej platformave më të ndjekura digjitale”, tha Bushati.

Më tej Bushati shtoi se, “forcuam meritokracinë duke përmirësuar rrënjësisht sistemin e rekrutimit dhe karrierës në shërbimin e jashtëm mbi bazën e aftësive, si dhe përmirësimin e trajtimit financiar për diplomatët dhe familjet e tyre”.

“Përmirësuam kushtet e punës dhe infrastrukturës në disa ambasada dhe konsullata, duke i shndërruar ato në seli të denja për përfaqësimin e shtetit shqiptar. Në shërbim të kujtesës institucionale të Ministrisë dhe shtetit shqiptar rindërtuam arkivën dhe filluam digjitalizimin e saj për ta bërë të aksesueshme për publikun”.

“Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç ‘ishte 5 vjet e gjysëm më parë”, theksoi Bushati. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat