Telekomi i Kosovës kërkon 'shpëtimin' te privatizimi - Bota Sot
Telekomi i Kosovës kërkon 'shpëtimin' te privatizimi

Aktuale

Telekomi i Kosovës kërkon 'shpëtimin' te privatizimi

Më: 23 janar 2019 Në ora: 15:36
Telekomi i Kosovës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i fillojë procedurat për privatizimin e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, kompani kjo dikur më profitabilja në vend, por që aktualisht po përballet me probleme të mëdha financiare.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare në kuadër të së cilës funksionon telefonia mobile Vala dhe telefonia fikse.

Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, Telekomi i Kosovës që nga viti 2015 është duke u ballafaquar me një krizë të thellë financiare dhe operative. Përgjatë tri viteve të fundit, humbjet financiare të kësaj ndërmarrjeje shkojnë nga 8 deri në 52 milionë euro në vit, ka thënë Lluka në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ekspertë të telekomunikacionit dhe ata të fushës së ekonomisë, japin vlerësime të ndryshme rreth privatizimit të kompanisë në këtë kohë, kur po ballafaqohet me probleme financiare.

Agron Dida, eksperti i telekomunikacionit, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka shumë arsye mbi të cilat mund të besohet se vetëm privatizimi e shpëton Telekomin në këtë kohë, edhe pse sipas tij, vlera e kësaj kompanie në treg ka rënë dukshëm.

Menaxhimi jo i mirë, jokoherenca me zhvillimet teknologjike, punësimi i njerëzve joprofesionistë, janë arsyet, që sipas tij, ndikojnë që Telekomi i Kosovës duhet të kalojë tek ndonjë investitor privat.

“Unë mendoj se privatizimi është i vetmi shpëtim për sektorin publik në Kosovë, pasi ndërmarrjet publike janë në krizë të madhe, për arsye të ndikimit të vrazhdë të sferave politike të pushtetit, për të punësuar njerëz, për të mbajtur bordet nën kontroll të plotë partiak etj”.

“Një kompani për të ekzistuar në treg duhet të jetë funksionale, agresive, duhet të ecet përpara me inovacione në treg. Kështu që është dëshmuar se këta menaxherët politik të zgjedhur janë të dështuar dhe e kanë futur kompaninë në një situatë në likuidim e sipër”, shprehet Dida.

Kurse profesori i ekonomisë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtij procesi fillimisht duhet t’i paraprijë një analizë e mirëfilltë për t’i rritur vlerën Telekomit në treg dhe më pas të kalohet në procesin e privatizimit. Sadiku ndërkaq konsideron se qeveria e Kosovës nuk duhet të vendos që të privatizojë komplet aksionet e Telekomit të Kosovës.

“Asetet që janë në rënie e sipër, që dalin në privatizim, kjo nënkupton edhe rënien e vlerës së tyre në shitje. Kjo kompani ka filluar të përkeqësohet edhe në mandatet e kaluara qeveritare. Kurse qeveria aktuale duhet të bëjë analiza relevante, serioze dhe të shohim se çfarë mund të përfitojë Kosova nga ky proces”, tha Sadiku.

Ndërkohë, Agron Dida, shprehet se në këtë kompani nevojiten investime të mëdha teknologjike që autoritet kompetente në Kosovë nuk kanë mundësi t’i realizojnë.

Ndryshe Telekomi i Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themeluan si Ndërmarrje Publike.

Kështu që dy herë radhazi PTK i ishte nënshkruar procesit të privatizimit, ndonëse po për dy herë radhazi, Qeveria e Kosovës kishte dështuar ta përmbyllte me sukses këtë proces.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshkruar privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos - Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Krahasuar me atë periudhë, Agron Dida, vlerëson se vlera e tashme e Telekomit të Kosovës është shumëfish më e ulët.

Për këto dy procese të privatizimit, të filluara 10 vjet më parë, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.

Telekomi i Kosovës ka përafërsisht 2400 punonjës ku Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 qind për qind të aksioneve.

Sidoqoftë, pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, sipas ministrit Valdrin Lluka, ende pa filluar procedura e privatizimit, të paktën 4 kompani nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur interes për marrjen e pjesshme ose të tërësishme të pronësisë së kësaj ndërmarrjeje./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...