Tahiri: Brenda dy vitesh nuk do të ketë më lëndë të trashëguara

Aktuale

Tahiri: Brenda dy vitesh nuk do të ketë më lëndë të trashëguara

Më: 23 janar 2019 Në ora: 17:54
Pamje nga takimi

Sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të ballafaqohet me rreth 20 mijë lëndë të vjetra. Është ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri që thotë se ky problem do të zgjidhet brenda 2 vjetësh.

Pas takimit të bordit të agjendës “Drejtësia 2020”, Tahiri tha se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti do të rekrutohet një numër i gjyqtarëve të rinj, ndërsa shtoi se do të bëhet edhe themelimi i mekanizmave për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dy Këshillave, themelimi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, rritja e numrit të noterëve në bazë të formulës; 1 noter në 10 mijë banorë, si dhe konsolidimi i mirëfilltë i ndërmjetësuesve.

Ai u shpreh i bindur se “Drejtësia 2020”  do t’i jap fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë.

Tahiri: Brenda dy vitesh nuk do të ketë më lëndë që zgjasin 10 vite

“Ndjehemi jashtëzakonisht të lumtur që si institucione kemi arrit që çdo përgjegjësi ta marrim mbi supet tona... Mendoj që brenda 2 viteve do të arrijmë të krijojmë struktura ën kuadër të sistemit tonë gjyqësor, që t’i adresojmë dhe të mos kemi lëndë që zgjasin deri në 10 vite, siç ka ndodhur më shumë se një dekadë. Çështje tjetër e rëndësishme, pjesë e këtij  takimi, ju e dini se tash ka ndryshuar llogaridhënia dhe përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. E kemi në fuqi një ligj të ri, i cili e shuan Zyrën e Prokurorit disiplinor që ka qenë më shumë se një dekadë, dhe tash kemi një sistem të ri, me përgjegjësi më të madhe për gjyqtarë dhe prokurorë, për kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët e prokurorive”, tha ai.

Sipas Tahirit, implementimi i këtij ligji, do të rrisë llogaridhënien dhe efikasitetin brenda gjyqësorit dhe prokurorisë.

Ndërsa, shtoi se po aq i rëndësishëm është edhe Ligji për Gjykatat, për të cilin theksoi se janë fokusuar që të kenë gjyqtarë të guximshëm të cilët do të japin efekt më të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se brenda dy vitesh, Kosova do të ketë 162 gjyqtarë se që ka pasur në mesin e viti 2017.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se fokusi i takimit të sotëm ishte zvogëlimi i lëndëve të vjetra. Teksa bëri të ditur se pika

Shtyrjet e shpeshta Ligji për përgjegjësinë disiplinore, ligji për  gjykatat si dhe ligji për profesionet e lira dhe udhëzuesit.

Idrizi: Kemi hartuar një plan të veprimit të eliminojmë sfidat

“Ne si Këshill Gjyqësor kemi hartuar një plan të veprimit dhe mendojmë që brenda këtyre dy viteve, pra në vitin 2020, mos ta kemi si sfidë grumbullimin e lëndëve apo stërzgjatjen e procedurës gjyqësore, si në ato penale edhe në ato civile dhe në çështje të tjera”, u shpreh ai.

Ai tha se kanë vërejtur se ka dallime në mes të gjykatave sa i përket politikave ndëshkimore, porse theksoi se ka një udhëzues që gjyqtarët të kenë një politikë unifikuese ndëshkuese.

Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se vazhdojnë të mbeten problem lëndët e trashëguara më parë, teksa u shpreh se ka rritje të vazhdueshme në zvogëlimin e lëndëve penale, porse problem mbeten lëndët e trashëguara më parë.

Ai tha se sot kanë diskutuar edhe për strategjinë e krimeve të luftës, për të filluar zgjidhjen e rasteve të trashëguara nga EULEX-i e që lidhen me krimet e luftës.

Hyseni: Shumë shpejt do të kemi dokumentin për zgjidhjen e rasteve për krimet e luftës

“Biseduam për një çështje shumë të rëndësishme, strategjinë e krimeve të luftës, dokument të cilin e kemi hartuar duke qenë edhe në grupin punës dhe shpresoj që së shpejti këtë dokument, i cili do të jetë një bazë e mirë për departamentin e krimeve të luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës për të filluar punën konkrete rreth zgjidhjes së rasteve të cilat i kemi trashëguar nga faktori ndërkombëtar, nga EULEX-i, e që lidhet me krimet e luftës”, tha Hyseni.

Ai u shpreh optimist, se ky dokument do të aprovohet në takimin e radhës, me qëllim që shumë shpejt të ketë rezultate në këtë drejtim.

Përmbyllja e tranzicionit në sistemin e drejtësisë, avancimi i progresit dhe rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve në shtetin ligjor ishin në fokus të diskutimit të sotëm të Agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, Bordi i së cilës mbajti takimin e parë për këtë vit.

Ndryshe, ky ishte takimi i parë i Bordit të Agjendës "Drejtësia 2020", nën koordinimin e institucionet vendore dhe jo nga EULEX-i, siç ishte më parë. Ndërsa ën këtë takim morën pjesë:  ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Ambasadorja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, shefi i sektorit politik, ekonomik dhe për integrime evropiane në Zyrën e BE-së, Riccardo Serri, zëvendëses së Zyrës Politike dhe Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë Alison Storsve,

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020” do të takohen rregullisht për të përcjell përmbushjen e aktiviteteve për të cilat janë pajtuar, duke u angazhuar për materializimin e të gjitha masave që janë pjesë e kësaj agjende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat