Veseli flet për dallimet me Haradinajn: Le ta pezullojë taksën se pa SHBA-të rrezikojmë gjithçka

Aktuale

Veseli flet për dallimet me Haradinajn: Le ta pezullojë taksën se pa SHBA-të rrezikojmë gjithçka

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 19:39
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë sonte se përkundër rritjes së pagave, kjo nuk do të dëmtojë stabilitetin ekonomik të Kosovës. Ndërsa, shprehu hapur dallimet me kryeministrin Haradinaj mbi çështjen e taksës, ku theksoi se duhet pasur kujdes se pa SHBA-në dhe partnerët, Kosova do të humbë çdo gjë.

Kryeparlamentari Veseli u shpreh se tashmë lirisht gjithë punonjësit e sektorit publik, do të krahasohen me vendet e Bashkimit Evropian për pagesat që do t’i kenë.

Kurse, theksoi se nuk do të ketë asnjë ulje të pagave, mirëpo vetëm rritje nga masa 20 për qind, deri tek 83 për qind.

 Veseli: Kjo rritje e pagave nuk do të rrezikojë stabilitetin makroekonomik

“Punonjësit publik në Republikën e Kosovës lirisht mund të krahasohen me vendet e Bashkimit Evropian për pagesat e tyre që do t’i kenë që nga nata e sotme. Jemi krenar për këtë për faktin se ekonomia jonë është e qëndrueshme. Kjo rritje e pagave, e cila është bukur solide, nuk do të dëmtojë stabilitetin makroekonomik dhe makrofinanciarë të Kosovës as për vitin 2019 dhe as për vitin 2020 dhe për më tej. Nuk ka ulje të pagave për asnjë punonjës publik, por ka rritje nga masa 20 për qind deri në masën 83 e për qind”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ndërsa në lidhje me taksën, ai shpreh dallimet që i ka me kryeministrin Haradinaj, duke thënë se taksa duhet të vazhdojë, mirëpo duhet të pezullohet me kushte.

Siç thotë ai, Kosova duhet të ketë kujdes, sepse me SHBA-në ruan çdo gjë, ndërsa pa ta rrezikon gjithçka.

Veseli: Kemi dallime me kryeministrin Haradinaj

“Kemi dallimet me kryeministrin Haradinaj në çështjen e taksës, unë e kam bërë atë edhe publike. Unë mendoj që taksa duhet të qëndrojë dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët perëndimor, të kemi një pezullim të përkohshëm me kushte. Një pezullim i përkohshëm i cili do të jetë me kushte. Nëse Serbia do të vazhdojë me agresivitetin e vet si deri më tani, ne do të kalojmë në masa të reciprocitetit. Unë besoj që përmes këtij qëndrimi e ruajmë dinjitetin e vendimmarrjes sonë, sovranitetin e ruajmë integritetit dhe Kosova është më e fuqishme për faktin se Kosova me SHBA-të ruan çdo gjë, Kosova pa SHBA-të pa partnerët tanë ndërkombëtar rrezikon çdo gjë”, deklaroi Veseli.

Veseli mes tjerash tha se Projektligji për buxhetin do të kalojë gjatë seancës së sotme.

***

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se pas votimit të Projektligjit për paga, tashmë pagat e punëtorëve të sektorit publik do të jenë të dinjitetshme dhe do të krahasohen me ato të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky vendim nuk do të dëmtojë stabilitetin makroekonomik dhe makrofinanciar të buxhetit të Kosovës. Kryeparlamentari theksoi se ka rritje të pagave nga masa 20 për qind deri tek 80 për qind dhe nuk ka ulje të asnjë page. Kurse, për buxhetin tha se do të kalojë gjatë seancës së sotme.

Ndërsa për dallimet mes tij dhe kryeministrit, sa i për ketë taksës, tha se dallimet janë të kalueshme dhe se tashmë janë një koalicion i qëndrueshëm, me mundësi që të marrin vendime.

Siç tha ai, taksa duhet të qëndrojë, mirëpo duhet të ketë një pezullim të përkohshëm me kushte të cilat kanë të bëjnë me Serbinë dhe sjelljen e saj karshi Kosovës. “Kosova me SHBA-në ruan çdo gjë, pa partnerët rrezikon çdo gjë”, shtoi Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat