Premtimet e njëjta për liberalizim, nga Qeveria thonë se nuk është larg koha e lëvizjes lirshëm

Aktuale

Premtimet e njëjta për liberalizim, nga Qeveria thonë se nuk është larg koha e lëvizjes lirshëm

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 19:26
Foto ilustrim

Pavarësisht se jemi shtet që njihemi nga shumë vende evropiane, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë të drejtën për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen të Evropës.

Edhe pas premtimeve të njëpasnjëshme nga udhëheqësit e vendit, kosovarët janë të vetmit në rajon që kanë mungesë të liberalizimit të vizave.

Janë vetë përfaqësuesit evropianë të cilët shpesh herë kanë deklaruar se Kosova ka përmbushur obligimet për t’u pajisur me liberalizim të vizave, por përsëri BE-ja nuk po jep dritën jeshile për këtë gjë.

Ani pse ende nuk ka datë se kur ekziston mundësia që të bëhet hapi i ardhshëm në këtë drejtim, nga Qeveria e Kosovës shprehen të bindur se koha kur kosovarët do të udhëtojnë pa viza nuk është e largët.

“Kryeministri Haradinaj është deklaruar që besojmë që nuk do të jetë larg koha kur do të lëvizim lirshëm”, është thëne në një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje nga të njëjtit është ripërsëritur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se kjo gjë është konfirmuar edhe nga vetë BE-ja.

Kosova pati arritur gjatë vitit të kaluar që të marrë rekomandimin pozitiv të Komisioni Evropian për liberalizim të vizave, ku pastaj Parlamenti Evropian aprovoi rekomandimin për vizat. Por çështja sërish mbeti pezull pasi nuk u arrit të futej në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Madje çështja e liberalizimit të vizave nuk dihet se kur ka mundësi të bëhet pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, edhe pse premtimi nga qeveritarët ishte që liberalizimi i vizave ka mundësi të bëhet në fund të vitit 2018-të, e cila doli të jetë pasaktësi kohore.

Edhe pse u arrit që Kosova të përmbushë shumicën e kritereve të  kërkuara nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë demarkacionin me Malin e Zi, vendi vazhdon të jetë në gjendje të njëjtë, e qytetarët në pritje të mundësisë për t’u liberalizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat