Babai i ministrit të PDK-së ndërton lagje milionëshe e ka vetëm 20 mijë euro në bankë

Aktuale

Babai i ministrit të PDK-së ndërton lagje milionëshe e ka vetëm 20 mijë euro në bankë

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 19:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një lagje super luksoze që është në pronësi të familjes së ministrit Besim Beqaj ka filluar të marrë formë në Bellopojë të Pejës. Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma.

Lagjen e cila quhet “Peja Hill” është duke u ndërtuar nga kompania “Peja Hill”, pronarë të së cilës janë babai dhe një vëlla i Besim Beqajt.

Pra, pronar është Jakup Beqaj, babai i ministrit dhe një nip që ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.

Ndërsa, në kohën e njëjtë të diplomimit me Veton Beqajn është regjistruar si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve edhe ndërmarrja “Peja Hill”.

Megjithëse ndërtimi i lagjes duket të ketë kosto shumë të lartë, ministri Besim Beqaj kur e ka deklaruar pasurinë në vitin 2018, ka treguar se në llogarinë bankare të babait të tij janë vetëm 22 mijë euro para të gatshme, të fituara nga pagat në biznesin e Jakup Beqajt, “The Cambridge School”.

Ndonëse, ka deklaruar të hyrat e babait, vetëm nga kolegji, ato nuk janë deklaruar edhe nga kompania “Peja Hill”.

Të hyrat e babait janë deklaruar nga viti 2015, dhe ato nuk e kapin shifrën e më shumë se 22 mijë euro para të gatshme në bankë, mjete këto që janë përfituar nga kolegji.

29 leje të lëshuara nga administrata e LDK-së

Lagja “Peja Hill” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016 në pjesën jug-perëndimore të Pejës, 2 km nga qendra e qytetit. Sipas ueb faqes zyrtare të “Peja Hill” lagja do të ketë 57 shtëpi banimi me 3 lloje të shtëpive (lloji A, B dhe C), të cilat kanë sipërfaqe të ndryshme.

Planin e shtëpive e ka bërë N.SH. “Cena” nga Peja dhe deri më tani “Peja Hill” është pajisur me 29 leje të ndërtimit nga Komuna e Pejës.

Me 14 leje të ndërtimore, Beqaj është pajisur në vitit 2018 për ndërtimin e shtëpive individuale. 6 leje i ka marr në nëntor, 1 në gusht dhe 7 në korrik. 12 leje janë marr në vitin 2017. Ndërsa, në korrik të vitit 2016 janë lëshuar 3. Në Komunë e Pejës kryetar që dy mandate është Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Deklarimi i pasurisë me shumë luhatje

Nga viti 2005 deri në 2010, Besim Beqaj ka qenë kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Nga viti 2010 e deri më tani ka qenë në postin e ministrit, dhe për një mandat deputet.

Si zyrtar publik, pasurinë e deklaron nga viti 2010. Deklarimi i pasurisë bëhet në çdo fillim të muajit mars në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në vitin 2010 ishte emëruar Ministër i Integrimeve Evropiane. Në këtë vit kishte deklaruar të hyra në bankë që i kishte në emrin e tij 22 mijë e 342 mijë euro. Pagën si ministër e kishte deklaruar 1140 euro, pagën e profesorit të rregullt 850 euro dhe pagën e profesorit në kolegjin “Fama” 1800 euro. Po ashtu e kishte deklaruar pagën e bashkëshortes në vlerë prej 400 euro në muaj. Në këtë vit i kishte deklaruar tri kredi, 100 mijë euro për blerjen e shtëpisë në emrin e tij, 20 mijë euro për blerjen e veturës në emrin e tij, dhe 50 mijë euro për nevoja familjare, në emër të bashkëshortes.

Në vitin 2011 ka qenë Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Në këtë vit kishte deklaruar, para të gatshme që i kishte vetëm në emrin e tij 27 mijë e 500 euro. Në këtë vit ka deklaruar që merr pagë, 13 mijë e 680 mijë euro në vit nga Qeveria e Kosovës, 18 mijë euro nga Kolegji Cambrige dhe 6 mijë euro nga Universiteti i Prishtinës. Ka deklaruar edhe pagën e bashkëshortes 12 mijë euro në vit, pagë në Kolegjin Cambrige. Ndërkohë, ka deklaruar tri kreditë e njëjta që i kishte në vitin 2010.

Në vitin 2012, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik ka deklaruar 99 mijë e 500 euro në bankë, në emrin e tij. Sipas deklarimit që e ka bërë në vitin 2011, nuk ka mbulushmëri të mjaftueshme për shumën prej 100 mijë eurove të deklaruar në bankë në emrin e tij. Por, në vitin 2012 për herë të parë e deklaron edhe pagën e babait, por jo edhe paratë në bankë në emrin e tij, të cilat do t’i deklaron me vonë. Ka deklaruar se babai merr 18 mijë euro nga “Cambrige”. Po ashtu ka deklaruar edhe tri llojet e pagave të tij që kapin vlerën 37 mijë euro. I ka deklaruar edhe tri kredit që figurojnë nga viti 2010.

Në vitin 2013, po si Ministër i Zhvillimit Ekonomik ka deklaruar para në bankë 88 mijë euro të gjitha vetëm në emrin e tij. Ka deklaruar se merr para nga tri burime, UP, Qeveria e Kosovës e Kolegji Cambrige që kapin vlerën 21 mijë e 480 euro në vit. Dy pagat e bashkëshortes 17 mijë e 400 euro për krejt vitin. Dhe të hyrat e prindit nga The Cambridge School dhe nga Gjimnazi Cambridge, në vlerë prej 36 mijë euro për një vit. Ka deklaruar vetëm dy kredi.

Në vitin 2014 ka qenë Ministër i Financave. Në këtë vit i janë “zhdukur” shumë para nga banka, krahasuar me një vit më herët. Në këtë vit në emrin tij ka deklaruar para në bankë në vlerë prej 26 mijë eurove. Ka deklaruar paga nga tri burime, në vlerë prej 37 mijë e 680 mijë euro në vit. 17 mijë e 400 është vlera e pagave të gruas në këtë vit dhe 24 mijë euro paga të babait. Po ashtu ka deklaruar dy kreditë.

Në vitin 2015, si deputet i Kuvendit ka deklaruar 150 mijë e 900 euro në emrin e tij, para të gatshme në bankë. Veçmas nga këto ka deklaruar edhe 8 mijë euro, para të fëmijëve dhe 15 mijë euro në emër të prindit, kjo shumë e prindit, si para të gatshme në bankë është deklaruar për herë të parë në vitin 2015. Paratë në vlerë prej mbi 150 mijë eurove nuk kanë mbulushmëri, nëse shihet deklarimi i vitit 2014, marr parasysh të gjitha pagat e tij dhe paratë e gatshme të deklaruara në bankë. Po në këtë vit ka deklaruar pagat vjetore nga tri burime në vlerë prej 43 mijë e 750 euro. Pagat e babait në vlerë prej 26 mijë euro.

Në vitin 2016, si deputet i Kosovës, para të gatshme në bankë në emrin e tij ka deklaruar 128 mijë e 250 euro. Ka deklaruar 23 mijë e 420 euro para të gatshme në emër të fëmijëve. 5380 euro të bashkëshortes dhe 20 mijë euro në emër të prindit. Ka deklaruar vetëm një kredi. Ndërsa, 64 mijë e 205 euro ka deklaruar të hyra vjetore nga pesë burime. 25 mijë e 800 euro të hyrat e gruas, shkruan fakteplus.

Në vitin 2017, si Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në emrin e tij ka deklaruar 13 mijë e 300 euro para të gatshme në bankë. 116 mijë euro i ka deklaruar si të përbashkëta. 24 mijë e 200 të fëmijëve. 6300 euro të bashkëshortes. 22 mijë euro të babait. Gjithsejtë 181 mijë e 800 euro. Nga pesë burime ka deklaruar se ka pasur të hyra vjetore në vlerë prej 59 mijë e 500 euro. Rreth 25 mijë e 800 mijë euro paga të bashkëshortes nga tri burime, dhe nga dy burime rreth 21 mijë euro të hyrat të babait.

Në vitin 2018, si Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka deklaruar 12 mijë euro para të gatshme ne emrin e tij. 116 mijë euro të përbashkëta. 26 mijë e 800euro, para të fëmijëve, 3200 euro të bashkëshortes dhe 22 mijë euro të prindit. Në këtë vit ka deklaruar 2 lloje të detyrimeve financiare. 80 mijë euro kadeklaruar se i ka marr borxh në kompaninë e babit të tij “Peja Hill” dhe një kredi në 30 mijë euro. Është e paqartë se si babai ia ka dhënë borxh këto paraministrit Beqaj, ngase para të gatshme në emrin e babait ka deklaruar vetëm 22 mijë euro në Agjencinë Kundër Korrupsionit, dhe në asnjë rast nuk është paraqitur ndonjë shumë e mjeteve të kompanisë “Peja Hill” në deklarimet e ministrit, qoftë edhe si të hyra nga ku merr pagë babai i tij. Ndërkaq, deklarimi i pasurisë për vitin 2019 do të bëhet në muajin mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat