Bytyqi: Hulumtimi shkencor të bëhet e ardhmja e instituteve tona - Bota Sot
Bytyqi: Hulumtimi shkencor të bëhet e ardhmja e instituteve tona

Aktuale

Bytyqi: Hulumtimi shkencor të bëhet e ardhmja e instituteve tona

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:47
Shyqiri Bytyqi

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në 49 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, ka deklaruar se çdo ditë e më shumë po krijojnë mundësi që të gjithë studentët dhe profesorët të mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre dhe të zhvillohen profesionalisht.

“Ne me punë, mund të bëhemi ana e mirë e arsimit, mund të ofrojmë programe cilësore, me të cilat do të përgatisim profesionistë për ekonominë tonë, për kërkimin shkencor në hapin e madh që po hedh dija dhe shkenca”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Të nderuar profesorë, studentë dhe arsimdashës,

Populli ynë pati një histori të vështirë, edhe sa i përket arsimimit. Themelimi i Universitetit të Prishtinës, 49 vjetorin e të cilit po e festojmë sot, ishte kthesa më e madhe për popullin tonë të mbetur këndej Drinit, për Kosovën me vise, pra për Shqipërinë nën pushtimin jugosllav.

Më 15 shkurt të vitit 1970, Kosova me vise u bë me institucionin e lartë të arsimit, me Universitetin e Prishtinës.

Të rinjtë e asaj kohe bashkë me arritjen e titujve profesionalë e shkencorë, u bënë edhe përmbajtja e vlerave arsimore të popullit tonë. Ata morën mbi supet e tyre misionin e madh.

Në periudhën rendëse të dekadës ’70-’80, Universiteti i Prishtinës pati një hov të madh të zhvillimit, plotësimi i kuadrit shkencor, numër rekord studentësh dhe rritje të kapaciteteve fizike.

Kjo dekadë e artë bëri detyrën karshi popullit të etur për dije dhe ngjizi bërthamën lirisjellëse, Pranveren studentore 1981.

Ishte po ky Universitet që i priu proceseve të rëndësishme të ndryshimeve poliktike të asaj kohe.

Lirisht mund të themi se Liria që ne gëzojmë u gatua në këtë Universitet me Pranveren studentore. Sa herë të kthejmë vëmendjen te lufta çlirimtare, do gjejmë ish studentët e këtyre podiumeve shkencore, e këtyre meseve akademike.

Ne sot po festojmë përvjetorin e 49 të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe afër e kemi përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë. Këto dy data të ndërlidhura me njëra-tjetrën na bëjnë krenarë. Por, ashtu sikur na bëjnë krenarë, edhe na ngarkojnë me përgjegjësi për cilësinë e rrugët kah po e çojmë arsimin e lartë në këtë vend.

Me punë, ne mund të bëhemi ana e mirë e arsimit, mund të ofrojmë programe cilësore, me të cilat do të përgatisim profesionistë për ekonominë tonë, për kërkimin shkencor në hapin e madh që po hedh dija dhe shkenca.

Hulumtimi shkencor duhet të bëhet e ardhmja e instituteve tona, publikimet tona shkencore të jenë të pakontestueshme dhe cilësore.

Ne po krijojmë përditë e më shumë mundësi, që të gjithë studentët dhe profesorët të mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre dhe të zhvillohen profesionalisht.

Le të vazhdojmë punën që e filluan profesorët misionarë të këtij Universiteti, duke u ofruar studentëve programe cilësore dhe përgatitje profesionale, për një të ardhme më të sigurtë dhe për zhvillim të vendit.

Urime!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...