Kadaj: Jam krenare që jam pjesë e këtij populli

Aktuale

Kadaj: Jam krenare që jam pjesë e këtij populli

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 11:32
Donika Kadaj

Deputetja e Parlamentit të Kosovës, Donika Kadaj përmes një statusi në Facebook ka uruar Ditën e Pavarësisë. 

Në postimin e saj, Kadaj ka kujtuar kohën kur kishte parë ushtar të UÇK-së dhe kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Kosovës. 

Tutje, ajo kujton gëzimin në ditën kur ishte shpallur Kosova shtet. Po ashtu ajo mban mend intervistën e dhënë për mediumin ‘Al Jazeera’.  Në fund ajo thotë se është krenare që është pjesë e këtij populli.

Për më shumë lexojeni statusin e plotë të deputetes së Kosovës:

“Më në fund ia dolët”

Për herë të parë pashë ushtarë të UÇK-së në uniformë në Mars të vitit 1999. Gjindesha në Vrellë të Istogut pasi që forcat serbe na kishim dëbuar nga shtëpia. Ishte data 26. Mbaj mend mirë këtë kohë sepse përkundër traumës ishte një grup i njerëzve që rrezatonin shpresë. Besoja se këta do të jenë çliruesit e Kosovës. Ashtu edhe doli.

Shumë vite më vonë kur Kosova u çlirua, isha përfshirë aktivisht në politikë, si pjesë e AAK-së. Ëndërr e çdo qytetari ishte pavarësia e vendit tonë. Ramush Haradinaj më 17 shkurt të 2008 ishte duke u gjykuar në Hagë. Statusi i Kosovës ishte i padefinuar dhe mbizotëronte një tension kudo dhe tek çdokush. Mëngjesin e asaj date ishin ftuar që më mëngjes deputetët e Kuvendit të Kosovës. Isha ftuar edhe unë.

Përgojohej se atë ditë do të shpallej pavarësia, ndonëse shumë pyetje kishin nevojë për përgjigje: cili është himni, flamuri e tjera. Mungonin shumë figura që kishin kontribuar jashtëzakonisht për këtë ditë. Mes deputetëve, pavarësisht përkatësive partiake ndjehej njëfarë ngutie për të parë lindjen e shtetit të ri. Grupi parlamentar i AAK-së ia kishte filluar festës, me këngë e me verë.

Mbaj mend ndonëse nuk mund ta riprodhoj një intervistë dhënë për “Al Jazeera”, në kulmin e hotelit “Grand” të Prishtinës. Isha në qiellin e shtatë. Kosova ishte bërë shtet. Pranova më pas një email nga profesori im Keith Bowers, me fjalët “Më në fund ia dolët”. Vërtetë ia dolëm. Kosova ishte bërë shtet.

Sot, pas 11 viteve si shtet Kosova feston edhe krijimin e ushtrisë. Ndonëse ka shumë sfida përpara, jam jashtëzakonisht krenare që jam pjesë e këtij populli, e këtij shteti. Festofshim përherë!

Urime! #11vjetshtet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat