SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Aktuale

SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 15:33
Ramush Haradinaj ka pritur në takim delegacionin 17 anëtarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë të udhëhequr nga senatori James Inhofe, dhe i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Haradinaj me këtë rast, shprehu falënderim të posaçëm ndaj senatorëve dhe kongresistëve amerikanë që ishin sot në Kosovë në shënimin e 11- vjetorit të Pavarësisë.

“Amerika është lidhja më e rëndësishme e Kosovës. Ne jemi përgjithmonë të rreshtuar krah Amerikës dhe jemi aleatët më besnikë të saj“, tha ai, duke shtuar se Kosova ndan vlerat dhe prioritetet me Amerikën në një gamë të gjerë aktivitetesh.

Haradinaj në këtë takim foli edhe për procesin e dialogut, konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe fuqizimin ekonomik.

“Kosova është e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë dhe për partneritet të qëndrueshëm me vendet aleate dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Mbi këto vlera është ndërtuar edhe shteti ynë dhe mbi këto vlera do të qëndrojmë gjithmonë“, tha ai duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-së.

Ndërsa, senatori Inhofe tha se Kosova është një partner i rëndësishëm për SHBA dhe se shteti amerikan do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim me dyer të mbyllura delegacionin e Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatori James Inhofe.

“Inkurajim i fuqishëm që të qëndrojmë në vlerat tona të përbashkëta dhe për ta avancuar pozitën e gjithanshme të Kosovës. Dashuria dhe besnikëria e Kosovës ndaj Amerikës është e përhershme. Zoti e bekoftë miqësinë tonë!”, ka shkruar shkurt në Facebook kryeministri.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim delegacionin 17 anëtarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Senatori James Inhofe.

Image

Takimi është zhvilluar i mbyllur dhe mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat