Meta: Bashkëpunimi SHBA-Gjermani, garanci për marrëveshjen Kosovë-Serbi - Bota Sot
Meta: Bashkëpunimi SHBA-Gjermani, garanci për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Aktuale

Meta: Bashkëpunimi SHBA-Gjermani, garanci për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 10:00
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta beson se bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Gjermanisë do të ishte mjaft i rëndësishëm që të kemi sa më shpejt një marrëveshje, që jo vetëm garanton paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, por njëkohësisht garanton të ardhmen europiane të të dyja vendeve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.

Në një intervistë dhënë dje për “Deutsche Welle”, duke komentuar aplikimin e taksës 100% Meta tha se dialogu duhet të vendoset gjithashtu mbi baza të drejta, jo duke ushtruar trysni vetëm ndaj njërës palë.

Kreu i shtetit, ndodhej në Berlin ku pati dhe një takim me Presidentin e Gjermanisë, zotin Steinmeier.

Kosova është në fokusin e ndërkombëtarëve dhe flitet se së shpejti mund të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ku po diskutohet edhe çështja e ndryshimit të kufijve. A mund të na jepni qëndrimin tuaj në lidhje me dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë?

Presidenti Meta: Besoj gjithmonë te dialogu, por edhe te motivi e frymëzimi për suksesin e këtij dialogu, që duhet të jetë nga të dyja palët, në këtë rast e ardhmja e përbashkët europiane.

Dua të nënvizoj rëndësinë që i kushtoj, ashtu sikurse edhe në rastin e Maqedonisë, ku e theksoj bashkëveprimi midis SHBA-ve dhe BE-së ishte kyç për të ndihmuar dhe inkurajuar deri në minutën e fundit suksesin e marrëveshjes me Greqinë.

Besoj se edhe në këtë rast, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe BE-së, por këtu dua të jem edhe më pak specifik sikurse kam qenë edhe në të gjitha takimet me drejtuesit e Kosovës, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Gjermanisë do të ishte mjaft i rëndësishëm që të kemi sa më shpejt një marrëveshje, që jo vetëm garanton paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, por njëkohësisht garanton të ardhmen europiane të të dyja vendeve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës. Dhe një garanci në këto momente më mirë se Gjermania vështirë ta japë dikush tjetër.

Aktualisht po bëhet një presion i madh ndaj Kosovës për heqjen e tarifave ndaj Serbisë. A keni një koment me këtë çështje?

Presidenti Meta: Nuk inkurajoj asnjë barrierë apo vështirësi të shtuar në dialogun midis palëve, por dialogu duhet të vendoset gjithashtu mbi baza të drejta, jo duke ushtruar trysni vetëm ndaj njërës palë.

Gjermania, si një vend kyç dhe lider i BE-së, mund të luajë një rol më të rëndësishëm në rivendosjen e besimit dhe njëkohësisht në evitimin e barrierave të deritanishme.

Duke qenë se qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë ende të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen është përfolur edhe ideja e dhënies së nënshtetësisë shqiptare për kosovarët. Si ju duket kjo ide që ka qarkulluar së fundmi?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një zgjidhje për arsye, sepse Shqipëria, edhe pse ka përfituar prej kohësh liberalizimin e vizave përsëri është në vrojtim, është në monitorim të respektimit të detyrimeve që vijnë nga kjo e drejtë e fituar, që kuptohet edhe mund të ndërpritet në një moment të caktuar. Pra, nuk është kjo zgjidhja.

Qytetarët e Kosovës kanë pasaportat e tyre, kanë shtetin e tyre, që njihet nga 23 vende të BE-së dhe kanë marrë një premtim. Dhe ka kaluar koha që ky premtim të mbahej, pasi liberalizimi i vizave ka qenë një proces teknik dhe ata i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë në të kaluarën, pra në Ballkanin Perëndimor, detyrimet dhe kushtet teknike.

Kohët e fundit duket se po flitet shpesh në rajon edhe për bashkimin e shqiptarëve ose për afrimin e Shqipërisë me Kosovën. Cili është mendimi juaj për këtë ide apo vizione?

Presidenti Meta: Shqiptarët në Ballkan janë përfituesi më i madh si komb nga rënia e Murit të Berlinit dhe nga epoka e re e integrimit europian dhe bashkimit të Europës.

Po të shohim Shqipërinë se ku ishte para 30 vitesh dhe ku është sot, pavarësisht nga vështirësitë, po të shohim shqiptarët në ish-Jugosllavi në tërësi, që kanë qenë më të shtypurit dhe sot kanë shtetin e tyre në Kosovë, por edhe kanë të drejta që nuk i kanë pasur kurrë në Maqedoni, në Malin e Zi, etj., në këtë drejtim mendoj që shqiptarët janë mjaft të interesuar në vazhdimin e këtij projekti. Unë besoj se shqiptarët duhet të vazhdojnë të gjithë të jenë të përkushtuar për këtë proces europianizimi të Ballkanit në rajonin tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...