194 punonjës së policisë u hetuan nga Inspektorati Policor i Kosovës - Bota Sot
194 punonjës së policisë u hetuan nga Inspektorati Policor i Kosovës

Aktuale

194 punonjës së policisë u hetuan nga Inspektorati Policor i Kosovës

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 11:22

(E plotësuar) - Ndonëse kërkoi që raportimi për rastin e zyrtarit policor në Drenas të bëhet i mbyllur, kryeshefja e inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, raportimin mbi punën e IPK-së për vitin 2018 para Komisionit për Punë të Brendshme e ka vazhduar të hapur për media.

Gjatë raportimit, ajo bëri të ditur se në vitin 2018 nga IPK-ja janë hetuar gjithsej 194 punonjës së Policisë së Kosovës.

Anëtarët e këtij komisioni këtë raport e vlerësuan më shumë statistikor, madje thanë se një ai nuk duhej t’u dorëzohej atyre.

Kelmendi tha se në vitin 2018 Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar rreth 1400 ankesa dhe informacione për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kosovës.

Sipas saj gjatë vitit 2018 janë hetuar gjithsej 194 punonjës të policisë, janë kryer 12 arrestime, 50 suspendime, 10 transfere për shkak të hetimeve.

Kelmendi: Mbi 1400 ankesa janë trajtuar nga IKP

“Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2018 ka trajtuar 1419 ankesa dhe informata, të cilat kanë në rrugë të ndryshme për sjelljet e punonjësve të policisë. Ankesat janë trajtuar fillimisht nga Departamenti për menaxhim të ankesave  dhe janë adresuar pastaj në kompetencë për hetim varësisht prej kualifikimeve të shkeljeve. Në Departamentin për hetim janë trajtuar 648 ankesa, 174 janë në proces të hetimit preliminar, ndërsa 329 janë përcjellë në drejtorinë profesionale për hetim disiplinor, ndërkaq 143 raste janë dërguar në prokurori përkatëse me kallëzim penal ose raport përpunues. Nga Departamenti i hetimit gjatë vitit 2018 janë hetuar gjithsej 194 punonjës të policisë, janë kryer 12 arrestime, 50 suspendime, 10 transfere për shkak të hetimeve”, tha ajo.

Si sfidë për këtë institucion, Kelmendi ka cilësuar pozicionin e IPK-së, statusin e punonjësve të saj në nivelin e pagave dhe mungesën e burimeve njerëzore.

Anëtari i komisionit, Rexhep Selimi, ka kërkuar të di se sa zyrtarë policorë janë akuzuar dhe arrestuar për marrje të ryshfetit. Zyrtarët e IPK-së bënë të ditur se vetëm një zyrtar policor është arrestuar për këtë vepër penale në vitin 2018. Por Selimi shfaqi dyshimet për këtë shifër duke thënë se si ka mundësi që është rritur stafi, dhe ka më pak raste, derisa në vitin 2016 për ryshfet janë akuzuar 59 persona.

Selimi u interesua të di edhe për pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të prokurimit, ndërsa në përgjigjen e saj kryeshefja e Inspektoratit të Policisë së Kosovës Miradije Kelmendi tha se Komisioni i pavarur mbikëqyrës e ka anuluar konkursin me arsyetimin se personi i përzgjedhur nuk i plotëson kriteret. 

Pyetje pati edhe deputetja Aida Dërguti, e cila kërkoi të di më shumë rreth çështjes së policëve që janë përfitues të pensionit invalidor si veteranë të luftës.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës tha se 148 zyrtarë policorë do të intervistohen nën dyshim se kanë kryer veprën penale mashtrim për pensionet invalidore.

Kelmendi: 148 zyrtarë policorë do të intervistohen për mashtrim për pensione invalidore     

“Këto raste nuk janë kategorizuar në këtë tabelë për shkak se është rasti duke u hetuar dhe nëse nuk gaboj të premten e kemi marrë një autorizim prej prokurorit. Fillimisht, ne kemi kërkuar suspendimin e 91 zyrtarëve që kanë invaliditet psikik nga drejtoi i Policisë të gjithë janë dërguar  për ekzaminim mjekësor edhe ka dalë që të gjithë e kanë tejkaluar fazën e invaliditetit psikik. Është informuar Qendra për Punë Sociale që kryen pagesën dhe nuk e di a i kanë tërhequr apo jo. Ata e kanë formuar një komision dhe kanë thënë se do t’i fusim edhe njëherë të gjithë invalidët jo vetëm të policisë, por të gjithë që e kanë këtë shkallën e invaliditetit. Këta zyrtarë policorë, me autorizim të prokurorit, do të intervistohen të gjithë 148 sa janë dhe prej intervistimit do të shohim fillimisht është vepra e mashtrimit”, u shpreh Kelmendi.

Ndërsa, Xhelal Sfeqla pyeti se sa zyrtarë të IPK-së janë nën hetime, nën aktakuzë, të suspenduar dhe të larguar gjatë vitit 2018. Kelmendi tha se tre zyrtarë të inspektoratit janë suspenduar dhe ndaj dy prej tyre është ngritur aktakuzë.

Kelmendi:  Një zyrtar i suspenduar, dy me aktakuzë

“Prej që kam marrë mandatin prej 2 gushtit, është një zyrtar i suspenduar e që rasti është në prokurori. Presim vendimin e gjykatës. Edhe dy janë me aktakuzë të ngritur. Edhe aty jemi duke pritur vendimin e gjykatës”, tha ajo.

Gjatë kësaj mbledhje të Komisionit për Punë të Brendshme deputetë kërkuan që të dinë më shumë rreth funksionimit të qendrës së thirrjes në Inspektoratin Policor të Kosovës.

E për këtë kryeshefja e IPK-së tha se qendra e thirrjes është funksionale në tri rajone dhe të gjitha thirrjet pranohen në numrit e tyre e më pastaj u përcillet zyrtarëve kujdestarë dhe reagimi pas kësaj është shumë i shpejtë. Aty u sigurua se të gjitha thirrjet janë të siguruara dhe nuk lejohen përgjime jo të ligjshme. 

***

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi në raportimin e saj para Komisionit Parlamentar ka bërë të ditur se zyrtari policor Vesel Veseli ka dorëzuar një telefon në të cilin nuk ka qasje në rrjete sociale.

Megjithatë ky mjet komunikimi sipas raportimeve nuk është i njëjti nga telefoni i cili raportohet se hetuesi policor pati të dhëna të mjaftueshme për të zbuluar detaje konkrete për të zbardhur rastin e abuzimit seksual  ndaj 16 vjeçares.

Kelmendi ka bërë të ditur se telefoni i është dhënë policisë pas bastisjeve të kryera në shtëpinë dhe veturën e hetuesit policor tashmë të arrestuar, Vesel Veselit.

Vesel Veseli dyshohet se keqtrajtoi seksualisht dhe detyroi të abortonte A.G, 16 vjeçare nga Drenasi – pasi kjo e fundit kishte raportuar se e ngacmoi seksualisht profesori i saj Shkelzen Xhekaj.

Po ashtu, kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesë që celulari i cili është i nevojshëm për hetuesit policorë në zbardhjen e rastit të kërkohet edhe nga Posta e Kosovës.

Abuzimi i 16-vjeçares në Drenas, Kelmendi: Ka edhe të dyshuar të tjerë

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit policor në Drenas, V.V., deklaroi se për të njëjtin rast dyshohen edhe persona të tjerë.

Këtë deklaratë, Klemendi e bëri pas pyetjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, që kërkoi të dijë nëse ka edhe persona të tjerë të listuar si të dyshuar dhe se a është njëri prej tyre edhe avokati që e ka lajmëruar rastin.

Kelmendi u përgjigj se nuk mund të flas në këtë fazë të hetimeve, por që bëri të ditur se ka të inkriminuar edhe persona të tjerë të institucioneve të tjera.

Sipas Kelmendit, gjatë kontrolleve nuk e kanë gjetur telefonin e zyrtarit policor të dyshuar, por vetëm një telefon i cili nuk ka qasje në rrjetet sociale. Ajo tha se kanë bërë kërkesë në Postë që të marrin informacione për vendndodhjen e atij telefoni.

 Aida Dërguti pyeti se a kanë qenë prindërit prezent në kohën e intervistimit të të miturës kur ajo kishte raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësit dhe pse gjatë përcjelljes policore kanë qenë dy zyrtarë meshkuj dhe asnjë femër.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor nuk u përgjigj në këtë pyetje duke thënë se nuk mund të flas pasi që është fazën e hetimeve.

 Krejt në fillim, kryeinspektorja e e Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Miradije Kelmendi ka kërkuar që mbledhja të bëhet pa praninë e mediave, por kjo u kundërshtua nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Ai tha që nuk është në rregull që raporti të bëhet i mbyllur për një proces kaq të rëndësishëm dhe se i kërkoi kryeshefes të jap informacione që nuk e dëmtojnë procesin hetimor.

E pas një raportimi të shkurtër duke dhënë disa informacione që u vlerësuan që nuk e dëmtojnë procesin e hetimeve nga kryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Haxhi Shala u kërkua që mediat të dalin jashtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...