Reagimi i ashpër i Lumir Abdixhiku për Thaçin: Ja çka thotë për projektin e tij me Aleksandrin

Aktuale

Reagimi i ashpër i Lumir Abdixhiku për Thaçin: Ja çka thotë për projektin e tij me Aleksandrin

Nga: N.Sh Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 20:01
Lumir Abdixhiku

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se tashmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka kuptuar se plani i tij dhe i Aleksandar Vuçiqit në Serbi për ndarjen e Kosovës po humbet.

E këtë ndarje e bënë të pajetë, sipas tij, refuzimi i madh publik dhe politik.

Abdixhiku thotë se, pasi projekti po i dështon, tash ai po mundohet me ia mveshë dikujt tjetër, në këtë rast presidentit Ibrahim Rugovës.

“Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij - dhe Aleksandrit në Serbi - për ndarjen e Kosovës po humbet. Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor.

Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar - pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet”, shkruan Abdixhiku, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai shprehet se, meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike.

“Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë:

- “Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cënojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq”.

E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës.

Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat