Milaim Zeka sulmon Limajn – Hedhë akuza për vrasje dhe ryshfete prej 20% në tendere

Aktuale

Milaim Zeka sulmon Limajn – Hedhë akuza për vrasje dhe ryshfete prej 20% në tendere

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 00:43
Milaim Zeka dhe Fatmir Limaj

Vrasës, hajdut, dhe hajn i secilit tenderë, e ka quajtur Milaim Zeka, kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Në një intervistë të Zekës, për një medium suedez, hedhë dyshime se Limaj ka vrarë persona të cilët kanë qenë dëshmitarë në procese gjyqësore kundër tij. E akuzon me gjërat më të rënda.

Sot janë bashkë në një parti, por deputeti kontravers i Kosovës nuk është kursyer në sulme ndaj shefit të tij në Nismën Socialdemokrate.

Milaim Zeka është intervistuar për dokumentarin “Patriotic highway”.

Ky dokumentar është transmetuar bash më 17 shkurt të këtij viti, ditën e festimit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë dokumentar Zeka, një ish-gazetar e akuzon Limajn për përfshirje në afera të mëdha të korrupsionit. Edhe për ryshfet deri në 20% për kompanitë që kanë fituar tenderë në ish MTPT-në e drejtuar nga Limaj, shkruan Insajderi.

Për më shumë, ai e akuzon atë që së paku dy dëshmitarë të proceseve gjyësore kundër Limajt kanë vdekur në mënyrë të dyshimtë.

Zeka shkon edhe më tej, thotë se gjëja më e mirë që e ka bërë EULEX-i në Kosovë, është arrestimi i Limajt, për korrupsion.

Zeka e quan Limajn hajdut. Shton se po të kishte prokuror Kosova, atëherë Limajn dhe disa të tjerë do i kishte në burg. Zeka thotë që nuk ka besuar që Limaj nga një hero kthehet në një hajdut.

“Arrestimi i Fatmir Limajt për korrupsion, është gjëja më e mirë që e ka bërë Eulex-i në në Kosovë. E kam parë Fatmir Limajn, si hero. Kemi pasur ëndrra të përbashkëta, me e ndërtu një shtet demokratik. Një shtet të civilizuem. Për herë të parë e kam takuar gjatë luftës. Kam organizu demonstrata. Aksion për me mbledh ndihma për me pagu avokatë. Kurrë nuk e kisha besu që një hero shndërrohet në një hajdut.

Po ta shikoni autostradën, ka kushtu 1 miliard euro. Çdo kompani që e ka marrë tenderin, 20 përqind është dashtë me ja dhanë ministrit ose njerëzve të ministrit. E kam kritikuar zyrtarisht, jo vetëm atë. Por edhe zotëri Thaçin që tash është president. Nuk është fjala vetëm për Fatmir Limajn. E gjithë kjo piramidë e UÇK-së, e kanë rrjep Kosovën. Me pas prokurorë Kosova, krejt në burg i kish çu. Me e ndërtu Kosovën si shtet normal”, ka thënë Zeka për mediumin suedez, në dokumentarin e publikuar më 17 shkurt të këtij viti.

Zeka ankohet se është dëmtuar gjatë kohës sa ka qenë gazetar. Përmend dy dëshmitarë të cilët sipas tij në mënyrë të dyshimtë kanë vdekur. Shton se të dy ata persona kanë qenë dëshmitarë ndaj Fatmir Limajt, duke hedhur dyshime për mënyrën e vdekjes së tyre.

Në njërin rast ai i referohet vdekjes së dëshmitarit X, që zyrtarisht është komunikuar se ka bërë vetëvrasje. Ai ishte dëshmitar kyq në rastin “Kleçka”, ku Limaj akuzohej për krime lufte. Tjetri rast është një dëshmitar për një rast korrupsioni.

“Ndryshe, këtu as nuk kemi kurrfarë mbrojtje. Më kanë djegur studion, më kanë djegë shtëpinë. Një dëshmitar ka vdek gjoja në aksident komunikacioni në Austri. Një dëshmitar gjoja ka ba vetëvrasje në Gjermani. Të dy këta dëshmitarë janë kon dëshmitar për Fatmir Limajn”, ka thënë deputeti Milaim Zeka.

Dokumentari i PATRIOTIC HIGHWAY shkon thellë në strukturat politike të korruptuara të Kosovës, si dhe në lojërat diplomatike të pushtetit që rrethojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Është një rrëfim për drejtësinë, korrupsionin dhe rrugën e një vend të porsalindur. Shkon thellë në strukturat politike të korruptuara të Kosovës.

Siç ka raportuar edhe Insajderi kohë më parë, kjo nuk ëhstë akuza e parë e Zekës kundër Limajt. Ai edhe në një incizim që e ka publikuar Insajderi e përfshinë Limajnë në ryshfet.

Kishte qenë maji i vitit 2017, kur Zeka, vendos të hyjë në partinë e Limajt. Kishte kandiduar edhe për deputetë dhe kishte arritur që për herë të parë të ulet në ulësen e Parlamentit të Kosovës.

Gjatë konferencës, në të cilën u bë e ditur për aderimin e Zekës në Nisma Socialdemokrate, kryetari i saj, Fatmir Limaj, kishte thur lavde për të. Pati thënë se “Zeka do të jetë zëri ynë dhe se Kosova më shumë se gjithçka ka nevojë për të vërtetën”.

“Ne mendojmë se Zeka do të jetë zëri ynë. Sot Kosova më shumë se gjithçka ka nevojë për të vërtetën”, kishte thënë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat