Krasniqi: Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444 është ngjarja më kulmore e Epokës së Skënderbeut

Aktuale

Krasniqi: Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444 është ngjarja më kulmore e Epokës së Skënderbeut

Nga: Z.B Më: 1 mars 2019 Në ora: 21:05
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi, ka thënë se, Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444 është ngjarja më kulmore e Epokës së Skënderbeut, e cila i dha udhën e duhur gjithë epokës së luftërave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut

“Edhe në fjalimin që kemi më poshtë, udhëheqësi i madh i arbërorëve shpalosi vlerat e tij njerëzore, vlera që ishin të paarritshme jo vetëm ndër arbërorët e kohës, por edhe në nivelin europian të asaj epoke”, ka shkruar Krasniqi Përcjell “bota sot”.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, Shqipëria e shqiptarët ishin të pamposhtur dhe të panënshtrueshëm dhe se ata duhet të bashkoheshin për të mbrojtur atdheun e tyre dhe krishterimin europian.

Poatimi i plotë:

FJALA E SKËNDERBEUT PARA FISNIKËVE NË LEZHË 2 MARS 1444

Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444 është ngjarja më kulmore e Epokës së Skënderbeut, e cila i dha udhën e duhur gjithë epokës së luftërave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edhe në fjalimin që kemi më poshtë, udhëheqësi i madh i arbërorëve shpalosi vlerat e tij njerëzore, vlera që ishin të paarritshme jo vetëm ndër arbërorët e kohës, por edhe në nivelin europian të asaj epoke. Skënderbeu, pasi kishte ftuar princërit shqiptarë, malazez dhe ata venedikas, u drejtohet me një fjalim mjaft të gjatë, të matur, të argumentuar dhe me vendosmëri të madhe që e karakterizonte princin e ri të Kastriotëve. Ai, në fjalën e tij, fisnikëve në Kuvendin e Besëlidhjes u
tha:

" Etër dhe princër fort të nderuar, Dhëntë Zoti e pushofshin të krishterët së besuari dhe më në fund njëfarë neverie na mbajttë ne larg besës otomane ose, më drejt, larg pabesisë së tyre më se kartagjenase. Dhe unë sot sigurisht nuk do ta nturbulloja qetësinë e atdheut, si një iniciator, ndoshta i urryer i një lufte të re, dhe nuk do t’ju shtyja ju me ngut në këto vështirësi dhe rreziqe të luftës për interesa të lartë, sikur Gjon Kastrioti, baba im i dëgjuar e, nga ana tjetër, një princ shumë i urtë, të mos i kish zënë aq fort besë dikur këtij Murati të pabesë, kur, nën pretekstin e paqes, arriti t’ia merrte rob e peng për siguri të bijtë menjëherë sapo i kërkoi. Por ç’të qahem më tej për prindin tim? Ky është një gabim i përgjithshëm, një fat i përbashkët për gjithë princër e të krishterë. Ç’të them për fuqinë e grekëve, të misëve dhe pastaj të princërve të tjerë të krishterë. Të gjithë këta s'kam dyshim se i zhduku një besim i tillë i tepruar dhe tani s’u ka mbetur asgjë nga otomani i pabesë, veç mundësia për t’u penduar. Prandaj nuk mbetet asgjë, o etër të këtij kuvendi, që të mund t’ju them ju në këtë pjesë të fjalës sime, sepse ju duhet t’i keni nxjerrë fort mirë mësimet nga fatkeqësia e të tjerëve. Megjithëkëtë, një gjë është për t’u thënë, se, kur unë tani, që po ankohem kështu, sjell ndër mend më me kujdes dhelpëritë otomane dhe i përfytyroj, si t’i kem para syve, e kur ju vështroj nga ana tjetër juve dhe shikoj urtësinë dhe bashkimin tuaj, një gjë më jep zemër e më detyron të kem shpresë, se zor të gjej ndonjë popull që të jetë përmbysur prej tij me mënyra të brendshme".

Kryeheroi ynë, siç e pamë nga ky citim goxha i gjatë, nuk iu drejtua fisnikëve prezentë si epirotas a arbëror, se në Kuvendin e Besëlidhjes se Lezhës kishte edhe joshqiptarë, prandaj iu drejtua të krishterëve, duke i porositur të rrinë sa më larg osmanëve të pabesë, për të cilët tha se janë më të pabesë se kartagjenasit, të cilët në antikitet konsideroheshin si njerëz shumë të pabesë. Kurse në shekullin tonë, më të pabesë sesa politika serbe dhe njerëzit e saj nuk ka dhe kjo pabesi në raport me shqiptarët fillin e ka te kryengritjet e para serbe në fillim të shekullit XIX. Ai në fakt e akuzoi edhe të atin, Gjon Kastriotin, edhe pse një faj të tillë e kishin të gjithë fisnikët arbërorë të kohës, pse i kishte (kishin) zënë besë sulltan Muratit kur ia kishte (kishin) dhënë peng të bijtë. Por ishte fakt, se faji ishte i përbashkët për të gjithë fisnikët e krishterë të Gadishullit Ilirik. Dhe ky gabim duhej të përmirësohej nga një bashkim i ri i shqiptarëve dhe i krishterëve të tjerë të kohës, kundër Perandorisë Osmane, e cila, sipas Skënderbeut, kishte shfrytëzuar grindjet, besimet, kurthet e dhelpëritë për të pushtuar e sunduar të tjerët. Ka edhe autorë të huaj, që edhe sot e kësaj dite thonë se osmanët në Gadishullin Ilirik nuk kanë ardhur si pushtues, por si të ftuar për të ndërhyrë në konfliktet e brendshme të fisnikëve shqiptarë39, serbë, grekë e të tjerë. Ndonëse mendoj se depërtimet osmane në këtë pjesë të Europës do të ndodhnin edhe me pushtimin ushtarak të osmanëve, pasi në atë kohë ajo ishte fuqia më e madhe ushtarake e kohës. Ishte koha, kur edhe Europa ishte e ndarë në principata, të cilat e kishin bërë copa-copa. Dhe si e tillë, ajo perandori vështirë se do të mund kundërshtohej nga princat e Gadishullit Ilirik. Sikurse në të kaluarën, ashtu edhe sot, shumëkush thoshte e thotë se osmanët kanë pushtuar shumë vende edhe me trimëri, se ata kanë pushtuar Azinë, Greqinë e Misin edhe pa derdhur gjak, por sipas Skënderbeut, ata, osmanët, nuk do ta pushtonin dot Arbërinë e pamposhtur dhe Epirin e pathyeshëm po të ishin këta të bashkuar, ashtu siç i bashkoi ai.

"Por ja, - do të thoshte kush, - Otomani shumë gjëra i ka shtënë në dorë edhe me trimëri; krahina të panumërta dhe mbretëri të shuma i ka vënë në zgjedhë në ditët tona me anë të armëve", - e do të numëronte fitoret e pambaruara të tij. "Hyri krenar në Azi, i ra jo një herë anembanë Greqisë dhe pa derdhur pikën e gjakut u fut kaq thellë në Misi. Pra, mos kujtojmë vallë se ai e paska aq të lehtë të godasë Arbërinë e pamposhtur, Epirin e pathyeshëm? Arbërinë, Epirin, ku gjithë janë kapedanë, gjithë këta princër të pathyeshëm, gjithë këta popuj fort luftarakë janë në vlug të fuqisë me armë në dorë e të bashkuar! Dhe me të vërtetë, se sa e çmojnë barbarët dhe se sa e llogarisin trimërinë tuaj, për këtë dëshminë më të sigurt mund ta keni nga unë, që kam kaluar shumë vite me ta në paqe e në luftë: "Me pahir e me përdhunë i binden nevojës për të luftuar kundër jush". Se ç’gjë të mirë veç dhe të madhe mund të bëjë një njeri me pahir e me frikë në zemër, këtë le të ma thotë mua ushtari trim më i mirë".

Gjithë këto argumente Kastrioti i thoshte para fisnikëve, për t’i bindur ata se Shqipëria e shqiptarët ishin të pamposhtur dhe të panënshtrueshëm dhe se ata duhet të bashkoheshin për të mbrojtur atdheun e tyre dhe krishterimin europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat