Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjykanoviq, ka folur sot rreth idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe efekteve që mund të ketë në Ballkanin perëndimor një lëvizje e tillë e kufijve.
Megjithatë ai thotë se nuk duhet që të krijojë paranoja për zhvillime të tilla në Mal të Zi.
“Kur bëhet fjalë për vendosjen e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalisht kjo përbën edhe një rrezik të vogël për Malin e Zi”, ka thënë Gjykanoviq, në këtë intervistë.
Ndër të tjera presidenti i Malit të Zi, ka folur për stabilitetin dhe paqen që shteti i tij ka servuar përgjatë viteve të 90-ta.
Ai ka folur edhe për skenarët e pafavorshëm që mund të përballet Mali i Zi.
“Ju e dini që kjo në masë të madhe varet edhe nga ne. Është përgjegjësi e jona, për aftësinë dhe këmbënguljen për të ruajtur stabilitetin, harmoninë multi-etnike, dhe për të ruajtur perspektivën evropiane”, ka thënë ndër të tjera ai, shkruan B92.
Rrezikun për efekt negativ në rajon të korrigjimit të kufijve e kanë thënë edhe shumë ish-diplomatë të cilët kanë shërbyer për vite të tëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përveç Malit të Zi, rrezik më i madh parashihet për Bosnjën, e cila është e defunksionalizuar nga Millorad Dodik, i cili çdo ditë e më tepër kërkon ndarjen e “Republika Srpskas” nga Bosnja. Kundër lëvizjeve të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dalë edhe Gjermania dhe Britania e Madhe.