Vetëvendosje mbron taksën, pavarësisht presionit të Amerikës për ta hequr - Bota Sot
Vetëvendosje mbron taksën, pavarësisht presionit të Amerikës për ta hequr

Aktuale

Vetëvendosje mbron taksën, pavarësisht presionit të Amerikës për ta hequr

Më: 16 mars 2019 Në ora: 00:05
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se partia që ai përfaqëson mbështet taksën ndaj mallrave serbe, por këtu përfundon mbështetja e veprimeve të kësaj qeverie.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Sveçla ka thënë se kërkesa për të hequr taksën është kërkesë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe bashkësia ndërkombëtare, e ndodhur para një qëndrimi shumë të fortë të Serbisë, normalisht pastaj që presionin e kthen ndaj institucioneve të Kosovës.

“Ne mendojmë që kjo taksë është e drejtë, ndoshta jo e vendosur në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, duke e parë sjelljen e Serbisë ndaj nesh, është dashur të merren masa. Ne mendojmë se masa më e mirë me Serbinë do të ishte masa e reciprocitetit të plotë. Qeveria s’ishte në gjendje ta bënte këtë, dhe e ngriti taksën. Kryeministri ka thënë se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Fatkeqësisht tash i ka zbutur fjalët. Por, përderisa taksa është, ne do ta përkrahim”, u shpreh Sveçla.

Derisa ne përkrahim taksën, Sveçla tha se VV-ja nuk përkrah qeverisjen Haradinaj.

“Ne kemi deklaruar se kjo është qeveri e skandaleve. Është një taksë që e përkrahim, janë ligjet për Ushtrinë, të cilat, jo vetëm se i kemi përkrahur, por edhe kemi kontribuar në to. Por kaq, tjerat nuk i përkrahim”, theksoi ai.

Për sa i përket punësimeve të personave të afërt me Qeverinë Haradinaj në Telekomin e Kosovës, Sveçla tha se “kjo tregon mentalitetin e tyre qeverisës”.

“Që në momentin e parë kur kanë ardhur në pushtet kanë filluar me skandale e shkelje, duke punësuar militantë e familjarë të tyre. Secili skandal i tyre është shkelje ligjore. Shkelësit kryesorë janë ose qeveria, ose partitë pjesëmarrëse në qeveri”, tha më tej deputeti i VV-së.

Në lidhje me rrëzimin e Qeverisë dhe deklaratën se nuk i japin vota Listës Serbe për të rrëzuar këtë Qeveri, Sveçla tha se “ne nuk i japim Listës Serbe vota në kuptim që nuk shantazhohemi nga ta”.

“Por, nëse kryeministri ia do të mirën vendit, ai duhet ose të dorëhiqet, ose të kërkojë votëbesim… Nëse në mënyrë racionale e analizojmë situatën, jam i bindur se kjo qeveri nuk është në gjendje të vazhdojë as për javët e ardhshme, e lëre më tërë vitin. Kjo qeveri po mbahet me paterica, të cilat një ditë do të bien. Duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. PSD-ja është patericë e Qeverisë”, theksoi Sveçla.

Duke folur për bashkëpunimin me LDK-në, ai tha se ky subjekt politik do të mund të ishte partneri i parë për bashkëqeverisje.

Ai nuk komentoi deklaratën e Melihate Tërmkollit mbrëmë në Interaktiv, e cila tha se VV-ja është me mendësi si të PDK-së. Sveçla tha se “rëndësi për VV-në ka qëndrimi i subjektit dhe i organeve më të larta të partisë”.

Ish-kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e deportimit të 6 shtetasve turq, Xhelal Sveçla, deklaratën e deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, që po ashtu ishte pjesë e këtij komisioni, e ka quajtur të pavërtetë se i takon ndonjë agjenture turke.

“Dëgjova deklaratën e deputetit Beqa. Nuk e di si të shprehem, a i çuditur apo jo. Një deklaratë e tillë do të duhej, normalisht, të na çudiste, por kur i kemi parasysh sjelljet e tyre të papërgjegjshme, atëherë ky nivel i çudisë do të duhej të binte. Kjo normalisht se nuk qëndron. Beqa ka qenë pjesë e komisionit. Me vetëdije të plotë ai e ka bërë këtë shpifje, dhe besoj që ditët e para të javës së ardhshme do të ngre padi ndaj kësaj shpifjeje. I mbetet gjykatës të vlerësojë se kush ka bërë obstruksion në punën e komisionit, kush ka bërë pengesa në zbardhjen e këtij rasti. Pres që gjykata të marrë vendim meritor dhe të ndëshkojë shpifjen”, deklaroi deputeti i VV-së.

Ai tha se është konsultuar edhe më ish-nënkryetarin e këtij Komisioni, Driton Selmanajn e LDK-së në lidhje me mundësinë për padi ndaj Beqës dhe shpreson se edhe ai do të ndërmarrë të njëjtin hap.

Sveçla foli për gjetjet e Komisionit, për të cilat tha se janë të qarta. “Është e çuditshme se si deputetët, por edhe subjektet në pushtet, komentojnë punën e komisionit, sjelljen e individëve, por në asnjë rast nuk kanë komentuar gjetjet. Asnjëherë s’i kam dëgjuar duke thënë se opinioni i ekspertit të pavarur përmban të pavërteta. S’kam dëgjuar as të dhëna tjera që i janë bashkëngjitur këtij raporti”, tha ai.

Sveçla ka kundërshtuar deklaratat e Beqës se disa dëshmitarë janë dëgjuar në Komision pa kuorum.

“Është një mangësi në Ligjin për hetim parlamentar ku thotë se komisioni udhëhiqet nga opozita, por kuorumin e bën pozita. Kështu kanë bërë obstruksione, e kanë lëshuar mbledhjen e komisionit… Por, nuk qëndron në asnjë moment se puna e Komisionit ka qenë joligjore”, deklaroi Sveçla.

Deputeti i VV-së tha se është çështje e gjykatës çështja e mandatit të Komisionit.

“Kur kemi dashur të votojmë raportin e komisionit, Beqa ka thënë se këtij komisioni i ka mbaruar mandati. Kryesia e Kuvendit na ka sqaruar se votimi mund të ndodhë edhe pas përfundimit të mandatit. Pastaj, për shkak të presioneve të ndryshme, Kryesia e Kuvendit ka vepruar ndryshe, duke mos na e vazhduar punën edhe për një muaj me një arsyetim të paqëndrueshëm, e që është edhe shkelje ligjore. Për këtë punë e kemi paditur Kryesinë e Kuvendit, dhe po presim që Gjykata Themelore të anulojë këtë vendim dhe të na zgjatet mandati edhe për një muaj. Por, ka kaluar një muaj e ne s’kemi marrë përgjigje nga Gjykata”, tha ai.

Reagimet e Ambasadave të huaja në Kosovë në lidhje me rastin e dëbimit të turqve nga Kosova, i ka quajtur plotësisht të drejta, të cilat tha se kërkojnë zbulimin e plotë të këtij rasti dhe që sundimi i ligjit të fillojë të funksionojë në Kosovë.

“Ky është misioni ynë. Zbulimi i së vërtetës, ndëshkimi i shkelësve të ligjit, në mënyrë që të mos përsëriten shkelje të këtilla ligjore”, u shpreh deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...