Prishtinasi dënohet me 25 vjet burg pasi vrau gruan dhe plagosi vëllain e saj për shkak të xhelozisë - Bota Sot
Prishtinasi dënohet me 25 vjet burg pasi vrau gruan dhe plagosi vëllain e saj për shkak të xhelozisë

Aktuale

Prishtinasi dënohet me 25 vjet burg pasi vrau gruan dhe plagosi vëllain e saj për shkak të xhelozisë

Më: 19 mars 2019 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka dënuar me 25 vjet burgim, Ragip Gashin, i cili akuzohej për vrasjen e bashkëshortes së tij, M.G dhe plagosjen e vëllait të saj, Xhevdet Hetemi, për rastin që kishte ndodhur më 21 dhjetor 2016, në lagjen “Mati 1” të Prishtinës.

Për veprën penale të vrasjes, ai është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa për tentim vrasje është dënuar me shtatë vjet burgim, kurse me një vit burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Më pas ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 25 vjetësh.

Në aktgjykimin e shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Gjykimi në këtë rast kishte përfunduar në seancën e 12 mars të këtij viti.

Në fjalën përfundimtare të palëve në procedurë, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Sevdali Zejnullahu, kishte deklaruar se e tërë ngjarja ka ndodhur pasi i akuzuari kur ka parë se bashkëshortja e tij ka qenë së bashku me një person tjetër, ka menduar që dikush po e grabiste atë dhe ka gjuajtur me armë.

“Atë natë i akuzuari nuk e dinte nëse do ta përcillte gruan dhe duke parë që një person është afër saj dhe po ecte dy hapa prapa dhe dy para dhe duke pretenduar se po ia grabit dikush gruan ai pa një, pa dy e nxjerr armën duke menduar se është një grabitës i imagjinuar”, kishte thënë avokati Zejnullahu.

Por, ndaj këtij deklarimi, kishte reaguar prokurorja Besa Limani, e cila kishte thënë se një pretendim i tillë është i palogjikshëm që të jetë i vërtetë, pasi sipas saj, i akuzuari ka përgatitur më herët planin për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

“Për pretendimin e fundit të mbrojtjes është jo logjike pasi i pandehuri mirë e ka bërë planin me detaje se si do të i kryej këto vepra pasi ai ka qenë me revole dhe me plumba”, kishte thënë prokurorja Limani.

Një pretendim të tillë të mbrojtjes, e kishte kundërshtuar edhe tani i dëmtuari Xhevdet Hetimi, pasi sipas tij, momenti i vrasjes së M.G dhe plagosjes së tij, ishte përgatitur në mënyrë dinake nga tani i akuzuari.

“Si mund ta mendoj avokati kur një person thirr në telefon edhe i thotë jam filan veni edhe na dalim para banese në drejtim të atij vendi dhe ai del prej aty pasi ishte fshehur edhe qet me revole edhe në fund ky kinse paska thonë që kam mëndu që po ma grabit dikush gruan e kur u shku në polici ka thonë që për motive të ulëta”, kishte deklaruar i dëmtuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 21 dhjetor 2017, Ragip Gashi, akuzohet se më 21 dhjetor 2016, në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, e privon nga jeta anëtaren e familjes–bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G, raporton betimi për drejtësi.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa e ndjera M.G, kishte shkuar mysafir te familjarët e saj, i akuzuari Ragip Gashi, e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë se ka shkuar për ta marrë në shtëpi.

Kështu, sipas prokurorisë, e ndjera, duke mos dyshuar asgjë, është nisur të shkojë tek i akuzuari, i cili i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë. Ndërsa, vëllai i saj, i dëmtuari–dëshmitari Xhevdet Hetemi, e kishte përcjellë.

Sipas aktakuzës, atyre papritmas iu ka dalë në pritë i akuzuari Ragip Gashi, me revole në dorë dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës, të cilën e kishte qëlluar me dy plumba, me ç’ rast ajo ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Prokuroria pretendon se nga të shtënat me armë është goditur edhe një veturë, e cila ndodhej e parkuar në vendin e ngjarjes, pronë e të dëmtuarit-dëshmitarit Asdren Dervishi.

Në aktakuzë pretendohet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si më lart, i akuzuari Ragip Gashi, pasi kryen veprën e lartcekur penale, në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij – të dëmtuarit Xhevdet Hetemi dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të tij.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, të dëmtuarin e qëllon dy herë me plumba në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, ku të gjitha kualifikohen si lëndime të rënda trupore, me mundësi të pasojave të përhershme për shëndetin.

Me këtë, prokuroria pretendon, se i akuzuari, ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kjo sepse, sipas prokurorisë, prej datës së pavërtetuar e deri më datën 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë, i akuzuari, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, të cilën armë e ka përdorë në mënyrën e përshkruar si në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...