Zogiani thotë se nuk është problem punësimi i familjarëve, por punësimi pa kriter

Aktuale

Zogiani thotë se nuk është problem punësimi i familjarëve, por punësimi pa kriter

Më: 23 mars 2019 Në ora: 00:26
Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se fenomeni i punësimeve partiake vetëm se është forcuar me këtë qeverisje, sepse kjo ka ekzistuar edhe më parë.

“Sot kam harruar të them se jo medoemos është problem kur një familajr i një zyrtari futet në institucione publike. Problem është punësimi pa kriter. Po të ishin kompetentë, nuk besoj se do të kishte kaq shumë reagime”, ka thënë ai.

“Eksperti duhet të ketë karrierë, e jo direkt nga fakulteti ekspert. Cilido student, sado i mirë të jetë, duhet të ketë një eksperiencë. Është absurde kjo që thonë se janë ekspertë. Nëse djali im do të priste nga unë t’i gjeja punë, do të ishte dështim imi”.

“Kjo që po ndodhë, me punësimet partiake në Telekom, është absurde, e paparë. S’kam parë askund në botë të jetë kaq brutale kjo punë. Ata s’kanë ide se çfarë të bëjnë me këtë vend. Kushdo që e ka seriozisht integrimin evropian, duhet ta dijë se kriteri kryesor është pavarësia e sektorit publik. Fakti që po sillen kështu, po më lë të kuptoj se këta nuk kanë asnjë fije shprese për integrime. Ne jemi tepër larg integrimeve sa që këta më nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç sistemimin e familjarëve. Një nga problemet më të mëdha për Telekomin ka qenë edhe më parë mbipunësimi. Kështu ka qenë edhe në vitin e 5 apo të 6 të ekzistimit të saj, është përballur me këtë problem. Por tash ka tejkaluar çdo sens. Bordi pati marrë vendim që të mos ketë më punësime, vendim që me sa e di unë nuk është anuluar asnjëherë. Këtu kanë bërë shkelje. Ka edhe aspekte tjera ligjore. Kemi edhe momentin më brutal, që është thyerja etike. Kemi një pushtet që s’ka fije etike për menaxhimin e sektorit publik. Duhet të skuqen. Kur e shohim që masivisht, i madh e i vogël që janë në institucione e parti, shohim që sistemojnë familjarë, duhet të skuqen. Jo vetëm ata, por edhe ne”, deklaroi zyrtari i VV-së.

Ai komentoi edhe deklaratën e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj në Interaktiv të KTV-së, se do t’i punësonte të gjithë aktivistët e partisë së tij para kandidatëve tjerë, Zogiani tha se duhet të hetohet bashkë me veprimet që janë bërë, sepse, sipas tij, deklarata nuk përbën vepër penale.

“Kodi Penal ka sanksione për atë që disfavorizon dikë, ose e diskriminon dikë. Duke qenë se ai po e shpreh haptas, dhe në anën tjetër ka veprime të tilla, ai po bën vepër penale. Ka bërë veprime që kanë dëmtuar edhe mundësitë e barabarta. Shkeljet janë shumëdrejtimëshe në sektorin publik”, u shpreh Zogiani.

Punësimi partiak është praktikuar nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet, thotë Zogiani, duke deklaruar se është i vetmi model që është vendosur qysh në fillim dhe është vazhduar.

Sipas tij, sektori publik është zhvilluar shumë në krahasim me atë privat, dhe kështu është bërë më atraktiv për punëkërkuesit. “Sektori publik është bërë sektori më atraktiv në vend. Në Shqipëri nuk është më atraktiv sektori publik. Mund të jetë mundësi për t’u korruptuar, por jo atraktiv. Përveç kësaj, e kanë rritur tej mase sektorin publik dhe kjo po e bën vështirë të sfidueshëm procesin e zgjedhjeve. Secili i punësuar është votë për personin që e punëson. Është njëfarë rrethi vicioz që vështir del një shoqëri. Dalja është shumë e vështirë sepse ka shumë pasoja”, u shpreh Zogiani.

Ai foli edhe për procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës, duke thënë se ky proces ka dështuar herën e parë me Axosin. “Kosova u rrezikua me një proces arbitrazhi. Fatmirësisht, u konfirmua se nuk ka kurrfarë baze për padi. Por, ka rrezik se do të përsëritet. Të futemi në marrëdhënie kontraktuale me dikë që vetëm biznes nuk bën – me qëllim dështimin”, deklaroi Zogiani.

“Ka shumë mundësi, potenciali është, që të ndodhë një risjellje e situatës që e kemi pasur me Axosin”, u shpreh ai.

Në lidhje me mundësinë e hetimeve për punësimet partiake, me ose pa konkurs, në Telekom, Zogiani u shpreh skeptik.

“Problemi gjithmonë ka qenë te gjykatat. Jam skeptik fillimisht në nivelin e Prokurorisë për shkak të përzierjes së interesave të prokurorëve me pushtet. Edhe nëse hetohet dikush, ndodh me ndonjë viktimë të vogël. Mund të kapet dikush si kurban, dhe fenomeni si i tillë mund të dënohet. Edhe krejt procesi i hetuesisë është i deformuar. Këtë e kanë thënë edhe ekspertë të huaj”, u theksoi ai.

Avni Zogiani foli edhe për taksën ndaj mallrave serbe e atyre të Bosnjës, duke thënë se partia e tij e përkrah në vendim të tillë, ndonëse jo edhe mënyrën se si ka ardhur deri tek ky vendim.

“VV, megjithëse asnjëherë s’ka qenë për një reaksion të tillë politik, që vepron pas krijimit të situatave, mendojmë se njeriu në politikë duhet të parashikojë dhe të jetë i parashikueshëm. Nuk mundet një lider të bëjë veprime që s’i ka treguar me kohë që do t’i bëjë. Paparashikueshmëria vjen edhe prej mosdijes dhe nga regjime autoritare. Kemi të bëjmë me njerëz që qëllimisht si shpërfaqin qëllimet e tyre politike dhe pastaj e lënë publikun në një mjegull. Është problematike. Taksa ka qenë pikërisht e tillë, veprim i papërcjellë nga një retorikë e establishume që i bëhet e qartë publikut dhe veprohet në një lloj aleance me publikun e me partnerët. Këso veprime janë të dënueshme në demokraci dhe janë të rrezikshme. VV është për reciprocitet, të studiuar mirë, të negociuar mirë”, tha Zogiani.

Duke folur për procesin negociator, zyrtari i VV-së tha se në negociata duhet të ketë një levë, e Kosova, sipas tij, ka hyrë pa asnjë levë në këto negociata. “Kemi shkuar për të marrë atë që na jepet. Në anën tjetër, Serbia ka krijuar leva të tilla, siç janë strukturat paralele, e kur ka ardhur në një moment për të marrë diçka, ka thënë po i shpërbëj strukturat paralele. Nuk shkohet në proces negociator pa ndonjë vlerë ndikimi. Taksa është njëfarë vlere”, theksoi ai.

Për Ekipin shtetëror të Dialogut, Zogiani tha se ka ndihmuar që të fashitet paksa presioni ndaj presidentit Hashim Thaçi, sepse, sipas tij, Presidenti ishte nën presion të jashtëzakonshëm.

“Ekipi negociator e nxori nga izolimi Presidentin. Presidenti dhe ideja që thotë ai se është e tij, u bë më e pranueshme në opinion. Ekipi nuk ka kryer ndonjë rol kundër këtij plani, por përkundrazi i ka bërë PR idesë së presidentit. Qëndrimet e PSD-së, po i zhveshe, janë qëndrime të Thaçit. Prapa gjithë asaj fjalamanisë së madhe të tyre janë qëndrimet e Thaçit. Unë mendoj se disa deklarime të Molliqajt në një nga televizionet e Kosovës në thelb kanë pasur qëndrimet e Thaçit. Një nga deklaratat e Molliqajt është se duhet dhënë diçka për të marrë njohjen nga Serbia. Thua se nuk ka dhënë mjaft Kosova për t’u njohur nga Serbia. Këtë po e thotë edhe Thaçi. Në thelb kanë qenë qëndrime të Thaçit ato të Molliqajt”, potencoi Avni Zogiani.

Ai tha se partia e tij mund ta rrëzojë idenë e Thaçit duke e çuar vendin në zgjedhje, në bashkëpunim me LDK-në

“Duke bashkëpunuar me LDK-në, vendi duhet të çohet në zgjedhje. Një plan i tillë, për korrigjim kufijsh, kur kontrabandohet, mund të shpërthejë. Por nëse ne dalim në zgjedhje, dhe secili i thotë qytetarëve se ne do ta bëjmë këtë dhe e marrin votën e tyre, atëherë jemi në rregull. Nga zgjedhjet e kaluara po dalin se na kanë gënjyer politikanët. Po flasim për çështje madhore të shtetit që kanë ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara. Pra, këtë platformë duhet ta hedhin tek qytetari. Haradinaj duhet ta çojë vet vendin në zgjedhje. E nëse atëherë Thaçi e të tjerët e kërkojnë votën e qytetarit me idenë për t’i dhënë tokë Serbisë, dhe e marrin, atëherë jemi në rregull. Por kështu, kjo është shumë afër tradhtisë”, tha Avni Zogiani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat