Një vit nga rrëmbimi e deportimi i dhunshëm për në Turqi

Aktuale

Një vit nga rrëmbimi e deportimi i dhunshëm për në Turqi

Më: 29 mars 2019 Në ora: 08:45
Shtetasit turq

Sot është bërë një vit, prej kur gjashtë shtetas turq u rrëmbyen nga autoritetet kosovare në një operacion të organizuar mirë e u deportuan për në Turqi. Megjithatë, Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë për ndonjë person. Tashmë dihen dhjetëra shkelje të cilat janë bërë publike edhe nga Komisioni Parlamentar për hetim të rastit të shtetasve turq që ishte formuar në Kuvend.

Sot është bërë një vit qëkur Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, dhe një mjek.

Derisa për Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është përgatitur aktakuzë nga nga Byroja e Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara e Prokurorisë Republikane të Stambollit, autoritetet e vendit kanë dështuar që të akuzojnë ata persona që qëndrojnë prapa atij organizimi.

Prokurori i prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka deklaruar për Express se për rastin janë duke vazhduar ende hetimet, ndërkaq, dosja e përgatitur në Kuvend iu është bashkëngjitur shkresave të lëndës.

Në Kuvend të Kosovës, ndërkaq, deputetët kanë identifikuar 31 shkelje që janë bërë nga autoritetet.

Me fillimin e punës dhe përpilimin e raportit të ekspertit, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar kanë deklaruar se kishin filluar presionet e ndryshme në punën e këtij komisioni.

Për këtë presion dhe angazhim më të madh të organeve të ndjekjes për të zbardhur të vërtetën lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Prishtinë, që u pasua edhe nga reagimet e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj të Gjermanisë.

Pas incidentit që ndodhi më 29 mars 2018, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin, atëkohë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në fundin e marsit të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat