Kosova ka shpallur person non grata gazetarin britanik – vendimi përplasi Pacollin me “ministrin e Labit”

Aktuale

Kosova ka shpallur person non grata gazetarin britanik – vendimi përplasi Pacollin me “ministrin e Labit”

Më: 2 prill 2019 Në ora: 18:41
Graham Phillips

Shumë kohë iu desh autoriteteve të Kosovës që të vendosin të shpallin person të padëshiruar gazetarin britanik Graham Phillips, i njohur për deklaratat e tij kundër Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në fillim të marsit i drejtoi ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafës, një kërkesë për të marrë vendimin. Një gjë e tillë ndodhi pas gati dy javëve, vetëm atëherë kur Pacolli përcolli edhe një letër tjetër, me një qasje më ndryshe. Tashmë Phillips-it i është ndalur hyrja në Kosovë për pesë vjet, mirëpo Mustafa ka lëkundur raportet me shefin e tij dhe me atë që e bëri ministër, Labinot Tahirin.

Para lapidarëve të UÇK-së gazetari britanik Graham Phillips zgjodhi që të ofendojë e të fyejë shtetin e Kosovës.

Të rënët në luftën e fundit nuk hezitoi t’i quante terroristë dhe vendin shtet të dështuar të udhëhequr nga kriminelë të luftës së fundit.

Këto e shumë deklarata të tjera, të cilat figurojnë ende në profilin e tij në rrjete sociale, bënë që Phillips-it t’i ndalohet hyrja në Kosovë për pesë vjetët e ardhshme, duke u shpallur person i padëshiruar.

Por, për ta shpallur person të padëshiruar atë që ofendoi vendin, institucionet nuk e patën aq të lehtë.

Krejt problemi qëndroi te Ministria e Punëve të Brendshme dhe te kreu i saj, Ekrem Mustafa. I pari i MPB-së, megjithëse mori një kërkesë nga i pari i MPJ-së, e shefi i tij në parti, Behgjet Pacolli, këtë vendim nuk e mori deri kur Pacolli iu drejtua me një shkresë tjetër, kësaj here me tone më të ashpra.

Letra që, siç mësohet, është drejtuar te Mustafa më 19 mars, bëri që vendimi të merret vetëm një ditë më vonë.

Sipas vendimit të siguruar, shtetasi i Britanisë së Madhe shpallet person i padëshiruar në Republikën e Kosovës më 20 mars dhe i ndalohet hyrja në vend për pesë vjet.

Arsyetim për këtë është “propaganda dhe dezinformimi që ka bërë ai kundër shtetit të Kosovës”.

“Bazuar në Informacionet që i ka siguruar Ministria e Punëve të Brendshme, i lartpërmenduri me këto veprime ka rrezikuar rendin dhe sigurinë publike”, shkruhet në vendim.

Se pse nuk e kishte marrë vendimin apo nuk kishte dëgjuar shefin e tij, Ekrem Mustafa ka një arsyetim.

Ministri i MPB-së po thotë se krejt keqkuptimi ka ndodhur pasi që për të marrë vendimin për shpalljen e personit të padëshiruar duhet të konsultohej me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Mustafa madje po thotë se letra e cila e ka marrë nuk është qortuese por rekomandim.

 “Skam marrë letër qortuese por një rekomandim që është si rregull komunikimi me MPJ dhe unë pas disa dite e kam shpallë person të padëshirueshëm personin në fjalë sepse më ka marrë kohë mu konsultu me mekanizma të sigurisë në vendin tonë”, shton ai, duke thënë se kjo nuk ka ndikuar asgjë në prishje të marrëdhënieve me bashkëpartiakët.

“Jo marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme”, u deklarua ai shkurtimisht.

Mirëpo, më së miri për këtë temë, flet deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, që pati kërkuar që Ferizaj të përfaqësohej në ndonjë ministri pas shkarkimit të Bejtush Gashit.

Tahiri ka konfirmuar se ka dëgjuar për letrën që Pacolli i ka dërguar Mustafës.

“Pak a shumë kam dëgjuar diçka te tillë, por më mirë mund ti pyesni Sekretarin e partisë dhe Ministrin!  Diçka ka të vërtetë por me mire besoj se e sqaron Presidenti i partisë, Z. Behgjet Pacolli!”, deklarohet Tahiri.

Tutje, ai po shton se nuk e di pse nuk është marrë vendimi përderisa atë e ka kërkuar i pari i partisë.

“Kam dëgjuar tërthorazi se Behgjet Pacolli,  ka kërkuar qe të shpallet non grata Britanezi i cili fyu shqiptarët që luftuan, por nuk e di se pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ndërsa është dashur të kryhet nëse e ka kërkuar Presidenti i partisë gjë që ka të bëj me shtetin ajo kërkesë”, përfundon Tahiri.

Megjithëse, deputeti nuk pranoi të sqarojë se a ka ndikuar kjo në marrëdhëniet e tij me Mustafën, Express ka mësuar se Tahiri është zhgënjyer nga mospërfillja e Mustafës ndaj Pacollit.

Në MPB zyrtarisht nuk kanë dërguar asnjë njoftim që bënte të ditur se personi në fjalë është shpallur i padëshirueshëm edhe pas marrjes së vendimit.

Ndërkaq, si duket, Ministria e Punëve të Brendshme nuk po mund të rehatohet me ministrat në këtë legjislaturë. Derisa flitet për problemet që po has Mustafa, nuk dihet se për sa kohë mund ta mbajë postin që ka momentalisht.

Që nga fillimi i marsit kur në media qarkulluan lajmet se Phillips do të shpallet non grata, këtë e kishte mohuar ministri Ekrem Mustafa.

Në një deklaratë të mëhershme ai e kishte përgënjeshtruar këtë informacion duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Megjithëse nga MPJ që nga atëherë treguan edhe zyrtarisht se kishin dërguar kërkesën.

Ndërkohë, gazetari Graham Phillips pati publikuar përmes Facebook-ut menjëherë pas qarkullimit të lajmit se do të shpallej “non grata” se po linte Kosovën pasi që policia po e kërkonin.

“E lashë Kosovën para se këta që po më kërkonin, policia dhe vullnetarët të më kapnin. Në dështimin e tyre për të më gjetur ata kanë shkuar edhe më tutje duke më shpallur person të padëshiruar në territorin e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ai.

Gjithashtu, Phillips kishte shkruar se e kishte pasur projektin për 20 raportime përmes videove, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte.

Megjithëse, ai momentalisht është duke raportuar nga shteti serb, nuk ka qëndruar pa komentuar edhe zhvillimet në vend.

Së fundmi ka shkruar edhe për shkarkimin e zëvendësministres së Listës Serbe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Raportimet e britanikut kishin nxitur reagime në vend, ndërkaq nuk qenë të paktë ata që faqen e të njëjtin e raportuan për përdorim të gjuhës së urrejtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat