‘Për shkak të gjakut të dëshmorëve e kemi obligim të heqim dorë nga inatet’ - Bota Sot
‘Për shkak të gjakut të dëshmorëve e kemi obligim të heqim dorë nga inatet’

Aktuale

‘Për shkak të gjakut të dëshmorëve e kemi obligim të heqim dorë nga inatet’

Më: 15 prill 2019 Në ora: 14:39
Ramush Haradinaj

Në 20-vjetorin e rënies janë përkujtuar dëshmorët dhe martirët e fshatit Sllovi, nga ku është thënë se ndaj qytetarëve civilë është bëre krim dhe këtë nuk mund ta mohojë askush.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në vitin 1999 nuk i kanë pyetur se të cilës parti janë as kush janë, por pa asnjë kriter, civilë të pambrojtur janë vrarë e masakruar.

Kreu i Qeverisë ka thënë se ndaj qytetarëve të Sllovisë është bërë krim dhe sipas tij këtë nuk mund ta mohojë askush.

Haradinaj: Kosova të bëhet e barabartë me vendet tjera

"Ky është një krim dhe si të tillë këtë krim kurrkush nuk mundet ta mohojë. Është gabim i madh mohimi i krimeve edhe prej shtetit fqinj, prej zyrtarëve, prej udhëheqësve andej, por edhe prej të gjithë të tjerëve. Ne, po ashtu, e shohim që me kalimin e viteve se janë bërë 20 vjet dhe dhimbja ende është e pranishme, pra dhimbja dhe mungesa e të dashurve dhe gjithë ajo kohë pa ta nuk ka qenë e lehtë. Si vend duhet  nderuar të gjithë të rënët për liri, martirët dhe statusi ligjor i familjeve të martirëve, por edhe i të pagjeturve duhet të rregullohet si i takon. Ndërtimi i vendit tonë, shikoni, një pjesë të vështirësive i kemi se kemi dalë prej luftës dhe kemi dalë prej tragjedisë, një pjesë të vështirësisë ia krijojmë vetës, një pjesë ende vazhdojnë të në krijohen. Pra, ende vazhdojnë të na pengojnë në rrugën tonë drejt së drejtës tonë si Kosovë, që edhe Kosova të bëhet e barabartë me vendet tje ra, por jemi të detyruar të punojmë", tha ai.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se 20 vjet më parë në Sllovi njerëzit u vranë e u masakruan në shtëpitë e tyre, duke qenë të pambrojtur. Ai ka bërë ftesë që të gjithë të bashkohen, për siç ka thënë, të dërgojnë në vend amanetin e dëshmorëve.

Ahmeti: Për shkak të gjakut të dëshmorëve e kemi obligim të heqim dorë nga inatet

"Nderimin dhe kujtimin më të mirë të kaluarës sonë, dëshmorëve, martirëve do t'ia bëjmë vetëm duke qenë korrekt dhe të përgjegjshëm secili prej neve në jetën e përditshme, e në veçanti për neve që kemi përgjegjësi publike. Duke qenë të unifikuar dhe duke u bashkuar për ideale akoma të nevojshme për të ndërtuar e forcuar shtetin tonë. Në këto ditë jo të lehta ne na duhet bashkë për të pasur udhërrëfyes të kaluarën dhe referencë të ardhmen në mënyrë që vërtet të nderojmë të kaluarën, dëshmorët dhe martirët. Unë e di që nuk jeni të kënaqur me këtë status dhe këtë gjendje që e kemi si shoqëri, por unë e di ne mund t'ia dalim, sepse kemi vullnet dhe e kemi obligim për shkak të gjakut të dëshmorëve dhe martirëve tanë që vërtet të gjithë bashkë të heqim dorë pak nga inatet, nga urrejtja, nga mos durimi, por ta durojmë njëri-tjetrin, të bëhemi bashkë rreth të mirës, rreth asaj për të cilën dhanë jetën shumë dëshmorë", tha ai.

Drejtësi për viktimat e fshatit Sllovi ka kërkuar edhe Naim Hyseni në emër të familjarëve, i cili tha se nuk do të rreshtin.

Hyseni: Nuk ndalemi së kërkuari drejtësi

"20 vjet pas krimeve, torturave dhe vrasjeve, të cilat ndodhën në fshatin tonë, kriminelët ende janë të lirë. Ne si familjarë dhe institucionet tonë mbetet që me angazhimet tona maksimale kërkojmë drejtësi për vrasjen e më të dashurve tanë. Ne asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të dalin para drejtësisë kriminelët serbë që vranë, dogjën dhe shkatërruan çdo gjë që ishte shqiptare në fshatin tonë", tha ai.

Pas akademisë kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Sllovi.

Ndryshe, para 20 vjetësh forcat kriminale serbe vranë dhe masakruan 45 shqiptarë të pafajshëm në Sllovi, ndërkohë që kryesit e veprave makabre vazhdojnë të jenë në liri. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...