Paga minimale përplas kabinetin qeveritar - Bota Sot
Paga minimale përplas kabinetin qeveritar

Aktuale

Paga minimale përplas kabinetin qeveritar

Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:52
Pamje nga takimi

Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale paga minimale sot u diskutua në mbledhjen e Qeverisë. Këtë propozim të ministrit Reçica e kundërshtuan ministrat tjerë, pasi që konsideruan se për pagën minimale duhet kohë dhe analizë e plotë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skendër Reçica bëri të ditur se Këshilli Ekonomi Social do të bëhet aktiv shpejt dhe propozimin e tyre për pagën minimale që e kishin dhënë më herët, e që ishte 250 euro do ta analizojnë prapë.

Reçica tha se ndryshimi i pagës minimale nuk ndikon në asnjë skemë sociale që menaxhohet nga MMPS-ja.

Reçica: Paga minimale nuk ka implikime ligjore

“Para se ta sjell në Qeveri këtë rekomandim kam kërkuar një opinion ligjor nga departamentin i zyrës ligjore i ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku më është thënë se ndryshimi i pagës minimale nuk afekton në asnjë nga skemat pensionale të cilat financon dhe menaxhohen nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe unë jam i thirrur tu besoj ekspertëve që i kemi në krye të detyrës....Ata më thonë shkurt se nuk ka implikime buxhetore nuk e kemi marrë një vendim me sjell në Qeveri pa bazë ligjore dhe pa hulumtime”, tha Reçica.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se dikasteri që ai e udhëheqë nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por që sipas tij, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet ta ketë të qartë se nuk mund të merren vendime që janë në kundërshtim me ligjin.

Hamza: Nuk do merren vendime që janë në kundërshtim me ligjin

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social e ka më se të qartë që nuk ka vendim që mundet me u marrë në kundërshtim me ligjin, edhe derisa ky vendim nuk prodhon ndikim financiar në buxhetin e Kosovës mundet me u marrë si vendim, në moment kur prodhon ndikim financiar në buxhetin e Kosovës ligji i buxhetit për vitin aktual është i çartë asnjë vendim nuk mundet me u marrë nëse paraprakisht kostoja e atij vendimi nuk është e buxhetuar, prandaj para se me marrë vendimin për pagën minimale, ministria konkrete, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet me i krijuar kushtet për zbatimin e ligjeve tjera të cilat nuk i ka dhe për këtë qëllim edhe paga minimale deri sot nuk ka mundur me u trajtuar”, tha Hamza.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxha ka deklaruar se pa një analizë të plotë nuk do të votojnë asnjë propozim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me pagën minimale.

Hoxha: Pa analizë të plotë nuk votojmë propozimet për pagën minimale

“Kurdo që Këshilli Ekonomiko Social do të mblidhet neve na duhet një analizë e plotë, paga minimale nuk ma merr mendja që mund të rritet çdo vit po vendosim një standard të ri, por neve na duhet një analizë e plotë se ku do të jetë kjo pagë minimale në një raport 5 vjeçar apo 10 vjeçar...Qëndrimi jonë është se ne nuk do të votojmë asgjë pa pasur analizë të plotë, pa e ditur të plotë iu mund të sillni si ministra çfarëdo propozimi i cili nuk bazohet në votë, por i cili duhet të bazohet në analizë të plotë se çka nënkupton kjo për sektorin privat në Kosovë“ tha Hoxha.

Edhe bashkëpartiaku i tij, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha krahas analizës financiare për pagën minimale duhet edhe një analizë e plotë në konceptin ekonomik.

Beqaj: Duhet analizë edhe në konceptin ekonomik

“Përveç analizave financiare duhet të bëjmë dhe një analizë të plotë të konceptit ekonomik kah jemi, ka duam me shkuar. Në një shtet kur flasim për çdo ditë për ekonominë e tregut dhe ku është trajtuar derregullimi ekonomik që nënkupton se sektori privat e rregullon vetveten sepse kështu janë ekonomitë më të zhvilluara në botë. Ne duhet ta marrim parasysh që sektori privat është tatim dhënësi më i madh në Republikën e Kosovë“ tha Beqaj.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro nga kategoria e shpenzimeve rezervë me qëllim të shprehjes së solidaritetit dhe përkrahjes për rindërtimin e katedrales Notre-Dame në Paris, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Qeveria e Kosovës miratoi që Aeroporti i Gjakovës të kaloi nën kompetencat e Ministrisë së Mrojtjes.

Një kërkesë të tillë e mirëpriti kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se kalimin i Aeroportit nën menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes e ndalon shkatërrimin e mëtutjeshëm të aeroportit.

Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kërkoi që fillimisht të pritet a mund të bëhet aktivizimi i aeroportit e pastaj t`i kalohet nën menaxhim Ministrisë Mbrojtjes.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka ndarë 471 mijë euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje nga Qeveri ndau mbi 18 mijë euro për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për punën shtesë të stafit lidhur me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në  komunat veriore.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, mori vendim edhe për emërimin e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe anëtarësim në NATO. Me propozim të kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani mori votat e kabinetit qeveritar për këtë pozitë.

Qeveria shqyrtoi propozim-vendimin për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike, si dhe ka miratuar edhe koncept dokumentin për arkivat e Kosovës.

Edhe rekomandimi i Qeverisë për Presidentin e Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Gjilanit, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Marrëveshja siguron një kredi në shumën 10 milionë euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...