Tragjedia në ish-hotelin “Adriatiku”, dy të ndaluar dhe tre të intervistuar - Bota Sot
Tragjedia në ish-hotelin “Adriatiku”, dy të ndaluar dhe tre të intervistuar

Aktuale

Tragjedia në ish-hotelin “Adriatiku”, dy të ndaluar dhe tre të intervistuar

Më: 23 prill 2019 Në ora: 14:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Autoritetet komunale të Mitrovicës kanë shprehur tronditjen e tyre me rastin e humbjes së jetës së një punëtori nën rrënojat e ish-hotelit “Adriatiku”, një pjesë e të cilit u shemb dje pasdite, ndërkohë që lidhur me rastin janë ndaluar nga organet e drejtësisë dy persona dhe janë intervistuar tre dëshmitarë.

Faruk Mujka, nënkryetar i komunës së Mitrovicës, tha se komuna do të dalë shumë shpejt me një konkluzion se cilat hapa duhet të ndërmarrë dhe raporti do t’i përcillet policisë dhe prokurorisë.

Ai shtoi se objekti nuk është privatizuar dhe nuk është në pronësi të komunës, ndërsa nuk ka pasur kërkesa për renovim nga pronari dhe punëkryesi.

Mujka: Objekti ishte marrë me qira  

“Ne sot herët në mëngjes kemi themeluar një komision nga zyrtarët e Drejtorisë së urbanizmit, inspeksionit dhe emergjencave, të cilët duhet ta verifikojnë gjendjen faktike në terren sot dhe pastaj të dalin me konkluzion se cilat hapa duhet të ndërmarrë komuna e Mitrovicës dhe raporti i njëjtë pastaj do t’i përcillet policisë dhe prokurorisë dhe me siguri edhe inspeksionit të punës… Ky objekt është privatizuar në vitin 2005 dhe deri tani ka qenë pothuajse jofunksional. Në mënyrë jozyrtare kemi marrë vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit do të thotë në renovimin, sanimin, dikush e paska marrë me qira, nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorinë e Urbanizmit”, ka thënë Mujka.

Ndërsa, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur se lidhur me vdekjen tragjike të V.B. (27) janë ndaluar dy persona, punëdhënësi dhe punëkryesi, si dhe janë intervistuar tre dëshmitarë.

Preteni: Janë ndaluar dy persona

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës është duke i zhvilluar hetimet në drejtim të veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe për ketë rast janë ndaluar dy persona, punëdhënësi dhe punëkryesi që ka qenë duke kryer punët në këtë hotel, si dhe janë intervistuar tre dëshmitarë të rastit”, tha ai.

KosovaPress ka mësuar se të arrestuarit rreth kësaj ngjarje tragjike janë A. H. punëdhënës dhe Sh. H. Punëmarrës.

Në anën tjetër, Lavdim Behrami, djali i axhës së viktimës, tha se familjarët kanë emocione të veçanta për ngjarjen tragjike.

Behrami: Ajo që ka dashur Zoti edhe ka ndodhur

“Ajo që ka dashur Zoti edhe ka ndodhur. Ka qenë në vendin e punës, ka qenë për idare të familjes, ka qenë në kushte dhe standarde jo të plota të punës. Ka ndodhë ajo çka ka ndodhë dhe ishalla e fundit vjen me hair dhe të mira…Kontratë pune nuk ka pasur fatkeqësisht, punë të rregullt nuk ka pasur sepse ajo ka qenë punë sezonale”, tha Behrami.

Ndryshe, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri me anë të një statusi në Facebook ka njoftuar se ka shpallur ditë zie ditën e martë. /A. Damati/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...