Skandali i sotëm presidentit Thaçi, mburrej se ka shkelur ligjin

Aktuale

Skandali i sotëm presidentit Thaçi, mburrej se ka shkelur ligjin

Më: 26 prill 2019 Në ora: 20:31
Hashim Thaçi

Njëra nga shumë deklaratat skandaloze të presidentit Thaçi, u tha sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor për “rastin e gylenistëve”.

Aty, njeriu që drejton institucionin më të rëndësishëm në vend, mburrej se ka shkelur ligjet e vendit, duke thënë se në kohën sa ka qenë kryeministër, “ka ndikuar për emërimin e Sami Kurteshit, në postin e Avokatit të Popullit.

Madje, thoshte se këtë gjë, mezi e kishte bërë.

“O Avokat të Popullit e kam bë unë me të njohshëm, mezi dikur e kam bë”,tha Presidenti gjatë ditës së sotme.

Menjëherë ndërhyri deputeti Kurteshi i cili e mohoi këtë.

Por, sërish fjalën e mori presidenti, i cili krekosej për këtë gjë. Tha se Kurteshi “iu kishte lutur si zvarranik për t’u punësuar”.

“Po unë e kam zgjedh o Sami, ti e din ardh mu ke lut si zvarranik për mu zgjedhë, po mos bë hajgare”, shtoi përgjigj Presidenti Thaç, teksa vazhdimisht qeshte.

Për monitoruesin e KDI-së, Artan Murati, kjo deklaratë e presidentit është skandaloze.

Ai tha se “kjo deklaratë mund edhe të mos jetë e vërtetë, por edhe në këtë rast do të ishte e pakuptimtë që një president vendi të lëshohen në aventura deklaratash me deputet të Kuvendit”.

Murati shtoi se kjo deklaratë e presidentit është për keqardhje.

“Presidenti shpeshherë është duke devijuar nga roli i tij Kushtetues, duke mos përfaqësuar unitet popullor e as politik. është për keqardhje të dëgjohen deklarime se Presidenti, në kohën sa ka qenë Kryeministër, ka ndikuar në punësime e pozita të caktuara. Kjo deklaratë mund edhe të mos jetë e vërtetë, por edhe në këtë rast do të ishte e pakuptimtë që një president vendi të lëshohen në aventura deklaratash me deputet të Kuvendit. Kjo nuk ka sens, sidomos në një kohë ku liderët institucional çdo ditë e më teper po humbin besimin e qytetarëve të vendit”, ka thënë Murati.

Kurse, për analistin Imer Mushkolaj, presidenti Thaçi, gjatë ditës së sotme, vetëm sa e ka shpërfaqur edhe njëherë atë që e kanë ditur qytetarët përmes aferës “Dosja e Shefave”

Mushkolaj, në një bisedë tha se për këto deklarata skandaloze të tij, nuk ka kush e interviston, për shkak se siç tha Mushkolaj, edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, përmes përgjimeve, është vërtetuar se është në shërbim të politikës.

“Thaçi vetëm shpërfaqi edhe njëherë atë që qytetarët e kanë marrë vesh nga përgjimet e Dosjes së Shefave. Shfaqi mendësinë e punësimeve me lidhje partiake e personale në poste të rëndësishme, në institucione të pavarura. Për fat të keq, Thaçin nuk ka kush e interviston për këto deklarata. Emrin e kryeprokurorit qytetarët e kanë dëgjuar të lakohet po në përgjime, si njeri që është në shërbim të politikës”, ka thënë Mushkolaj.

Kurteshi ka shërbyer si Avokat i Popullit në Republikën e Kosovës nga viti 2009 deri në vitin 2015. Më pastaj, ai është zgjedhur deputet i Kuvendit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Përveç kësaj, në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për rastin e gylenistëve, janë thënë shumë gjëra qesharake dhe të rënda.

Akuza dhe kundër-akuza kanë bërë anëtarët e komisionit, me presidentin Thaçi.

Një “shfaqje” e presidentit Thaçi para deputetëve të Kuvendit, njëherësh edhe anëtarë të Komisionit, degradoi skajshmërisht.

Aty u folë për luftën e UÇK-së, duke e akuzuar njëri-tjetrin si tradhtarë dhe dezertorë.

Thaçi hodhi akuza të rënda për deputetin e LDK-së, Anton Quni, se ai nuk ka luftuar në Betejën e Koshares, duke thënë se ai ka hyrë në Kosovë, vetëm pas hyrjes së NATO-s.

Këto akuza ia ktheu Quni, duke thënë se ai është profiter i luftës dhe nuk ka të drejtë të flas për të.

Në këtë debat, ani pse nuk ishte fare relevante për arsyen e mbledhjes, u fut edhe deputeti i LDK-së, Hajdar Beqa.Edhe ai hodhi akuza ndaj Anton Qunit, duke i thënë se “përveç që ka qenë i vogël në luftë”, “nuk ka luftuar fare”.

Sërish këtij debati iu kthye presidenti Thaçi.

Ai e quajti Anton Qunin, mercenarë i luftës, duke i thënë “Boshko Buha”.

“O Boshko Buha, ti je mercenarë i luftës”.Degradim tjetër këtij debati ia bëri një përplasje e Thaçit me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje: Xhelal Sveçla dhe Sami Kurteshi.

Kjo bëri që të përdoren edhe fjalë të fëmijëve, duke e ofenduar njëri-tjetrin.“Baju, baju”, ishin fjalët e deputetit të VV-së, Sami Kurteshi, drejtuar atij të PDK-së, Hajdar Beqa, teksa ky i fundit e kërcënonte Kurteshin, se do ta largojë nga salla.

Tendencë për ta poshtëruar njëri-tjetrin, pati vazhdimisht mes Thaçit dhe Kurteshit.

“Kurrë su rrite, qysh e ki fytyrën si baby face”, ishin vetëm disa nga fjalët që Thaçi ia tha Kurteshit, teksa ky i fundit, vazhdimisht e akuzonte, si “hajn dhe profiter”.

Gjersa presidenti Thaçi para vetës kishte të paktën 4 deputetë të opozitës, të cilët vazhdimisht e akuzonin me lloj lloj fjalësh, të vetmin ‘avokat’ e kishte deputetin e PDK-së, Hajdar Beqa.

Beqa, vazhdimisht tentonte që ta mbronte Thaçin, madje edhe nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Nuk hezitoi që këtë të fundit, ta quajë edhe “kafshë”. Beqa i tha Selmanajt se “U dashtë krijuesi me t’i dhanë 4 këmbë, e jo vetëm 2”.Me të parë degrabimin e debatit dhe tejkalimin e komplet temës së diskutimit, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj dhe ai i PSD-së, Frashër Krasniqi, qëndronin në heshtje.

Deputeti Nitaj, disa herë kërkoi që t’i jepej fjala, por që vonë e mori.

Madje, dikur filloi që t’i bëjë presion kryetarit të Kuvendit, duke i thënë “a ban bre me folë”.

Kur u pa se nuk po mund ta arrijnë qëllimin e mbledhjes për të cilën kishin shkuar, kërkuan që ajo të ndërpritet.

Kjo kërkesë erdhi nga deputeti, Hajdar Beqa. Me të përfunduar mbledhja deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, iu drejtua presidentit Thaçi me fjalët se“Hajt se të shtin Amerika me folë ty, hiç mos ta nin”.

Kështu pas shumë orësh diskutim, përplasje e fyerje mes vete, përfundoi me “rezultat 0”, mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për “Deportimin e 6 gylenistëve”, duke përfunduar kështu edhe shfaqja komike e presidentit Thaçi, i cili me muaj të tërë ishte akuzuar që qëndron prapa arrestimit dhe deportimit për në Turqi, të shtetasve turq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat