Edhe ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka komentuar për raportimin e presidentit të vendit Hashim Thaçi dje para Komisionit për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Loshi e ka quajtur “teatër të kukullave” dhe tragjikomedi “Ali baba dhe dyzet hajdutët”, debatin e djeshëm në këtë komision, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se presidenti luajti rolin e Ali Babës për mrekulli, duke mos mbetur prapa as deputetët, që sipas tij, ishin “hajdutët”.
Loshi ka thënë se Presidenti ishte më i mëshirshëm se Ali Baba, pasi i mundi deputetët, por i “la të gjallë”.
Reagimi i Loshit:
Shfaqja që pamë dje në teatrin e kukullave të Kuvendit të Kosovës është versioni më i ri i tragjikomedisë “Ali baba dhe dyzet hajdutët”. Një shfaqje brilante që mund të na përfaqësojë edhe në Holivud. Presidenti luajti rolin e Ali Babës për mrekulli. Por, nuk mbetën prapa as deputetët që luajtën rolin e dyzet hajdutëve. Epilogu dihet: Ali Baba, ashtu sikur thotë edhe përralla, arrin ta grabis thesarin dhe t’i mbysë dyzet hajdutët. Presidenti ishte pak më i mëshirshëm, ai i mundi, por i la të gjallë. Mbase i duhen përseri kur të shfaqet pjesa e dytë e tragjikomedisë.