PSD deklarohet rreth samitit të Berlinit

Aktuale

PSD deklarohet rreth samitit të Berlinit

Më: 30 prill 2019 Në ora: 14:17
Pamje nga Berlini

Partia Socialdemokrate (PSD) konsideron se pavarësisht mungesës së rezultateve, Samiti i Berlinit ishte dëshmi e një intensifikimi të ri të përpjekjeve të vendeve kryesore të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe arritjes së një marrëveshjes përfundimtare.

“PSD mirëpret këtë angazhim dhe vullnet të vendeve mike të Kosovës. Ky përqendrim i shikimit kah rajoni dhe marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë paraqet një momentum të rëndësishëm në këtë proces, drejt përmbylljes së plotë të dialogut të stërzgjatur Kosovë Serbi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë.

Sipas PSD-së, marrëveshja finale duhet ta përmbajë njohjen nga Serbia, si parakusht i çfarëdo normalizimi të marrëdhënieve, duke paralajmëruar se nuk mund të ketë marrëveshje tjetër e cila nuk e përmban këtë dispozitë.

“Uniteti i brendshëm i forcave politike në këtë drejtim është jetik për të ardhmen e Republikës. Kushdo që e përfaqëson Republikën e Kosovës, dhe nuk i përmbahet parimeve udhërrëfyese të Platformës shtetërore, e dëmton mundësinë e koncensualitetit politik e shoqëror për dialogun, dhe (edhe) kështu dëmton interesin e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat