PSD mbështet protestën e BSPK-së

Aktuale

PSD mbështet protestën e BSPK-së

Më: 30 prill 2019 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Partia Socialdemokrate mbështet protestën e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës me rastin e 1 Majit- Ditës ndërkombëtare të punëtorëve.

“Kjo ditë i gjen punëtorët në Kosovë të shfrytëzuar e të shtypur. Ata janë më të keqpaguarit e më të keqtrajtuarit. Paga minimale është më e ulëta në rajon, sigurimet shëndetësore mungojnë, kurse siguria në punë është nën çdo normë të lejueshme. Shkalla e lartë e papunësisë i  ka bërë të papunët armë shantazhi kundër organizimit të punëtorëve. Radha e gjatë e punëtorëve jashtë marrëdhënieve të punës ndikon në vet marrëdhëniet e punës duke displinuar punëtorët. Në anën tjetër, aty ku më se shumti duhet organizimi sindikal, në sektorin privat, në ndërtimtari e shërbime, ai mungon”, thuhet në deklaratë.

PSD konsideron se dialogu trepalësh minohet e sabotohet vazhdimisht dhe është vetë Qeveria ajo që po e saboton dhe e shpërfillë Këshillin Ekonomiko-Social.

“Shteti në Kosovë nuk është arbitër që kujdeset për ta paqtuar kontradiktën midis punës e kapitalit, duke qëndruar herë mbi palët, herë midis tyre.  Ai shërben, pa pra e pa ekuivoke. Është në anën e tyre. Punëtorët e kanë njëri-tjetrin, bashkimin-solidaritetin”, përfundon deklarata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat