Tmerri i dokumentuar, dalin pamjet e keqtrajtimeve barbare të shqiptarëve nga serbët

Aktuale

Tmerri i dokumentuar, dalin pamjet e keqtrajtimeve barbare të shqiptarëve nga serbët

Nga: A.Zh Më: 15 maj 2019 Në ora: 10:06
Pamje tronditëse të keqatrajtimit të shqiptarëve nga serbët

Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, po vazhdon të publikojë fakte tronditëse për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Ai ka thënë se gjatë vitit 1996, policia dhe inspektorët serbë të SPB-së arrestuan arbitrarisht 192 shqiptarë, ku 174 prej tyre u keqtrajtuan fizikisht në mënyrën më barbare.

Ndërsa sipas tij, urdhëresa për t’u paraqitur në polici patën 423 shqiptarë, ku 291 iu përgjigjën ftesave, ndërsa të tjerët nuk i përfillën urdhëresat e pushtuesit serb, përcjell Bota sot.

Barani ka treguar se si ishin keqtrajtuar fizikisht edhe femrat, fëmijët dhe veprimtarët politikë, arsimorë, sindikalë dhe humanitarë.

“Okupatori serb (policia) nga banesat e tyre i nxori me dhunë 8 familje shqiptare, 7 shqiptarëve iu morën pasaportat, 3 veprimtarë politikë u dënuan në gjyqin për kundërvajtje”, ka shkruar Barani në Facebook, ku ka ndarë edhe fotot nga keqatrajtimet.

Postimi i plotë i Halit Baranit:

PO E VAZHDOJME FEJTONIN PER TMERRIN E DOKUMENTUAR

Gjatë vitit 1996, në të gjitha kategoritë e dhunës, në bazë të shënimeve që posedon KMDLNJ - Qendra Rajonale në Mitrovicë, pati një rënie. Kështu, gjatë vitit në fjalë, policia dhe inspektorët serbë të SPB – së arrestuan arbitrarisht 192 shqiptarë, ku 174 prej tyre u keqtrajtuan fizikisht në mënyrën më barbare. Ndërsa urdhëresa për t’u paraqitur në polici patën 423 shqiptarë, ku 291 iu përgjigjën ftesave, ndërsa të tjerët nuk i përfillën urdhëresat e pushtuesit serb. Ndër të keqtrajtuar fizikisht ishin 33 femra, 37 fëmijë, 20 veprimtarë politik, 5 veprimtarë arsimorë, 3 veprimtarë sindikalë dhe 4 veprimtarë humanitarë. Okupatori serb (policia) nga banesat e tyre i nxori me dhunë 8 familje shqiptare, 7 shqiptarëve iu morën pasaportat, 3 veprimtarë politikë u dënuan në gjyqin për kundërvajtje. Në 5 raste pati ndërhyrje në institucionet e arsimit, 1 rast u pengua veprimtaria sportive. 5 shqiptarë u morën peng, 214 familje u bastisën me pretekst të kërkimit të armëve, në 2 raste policia kidnapoi shqiptarët, 102 raste policia plaçkiti pasuritë private të shqiptarëve, në 2 raste policia mobilizoi të rinjtë shqiptarë me dhunë në AJ, në 7 raste pati diskriminim gjuhësor. Policia serbe, në Aeroportin e Prishtinës, 4 familje shqiptare nuk i lejoi që të kthehen në Kosovë. Në 1 rast pati përdhosje të simboleve kombëtare.

1 JANAR - 31 DHJETOR 1997

Më 2.I.1997, në orën 1600, në lagjen “Ura e Gjakut” në Mitrovicë, vdiq Xhafer (Azem) Hajdari (52) nga fshati Bistricë - komuna e Albanikut. Xhaferi vdiq nga torturat fizike që ia bënë policia serbe në SPB – në e Mitrovicës. Xhaferin e torturuan tre inspektorë të SPB – së, me pretekst se në vitin 1992, djali i tij Bekimi, i cili ndodhej në perëndim, sipas policisë, e paska vrarë një gjuetar serb të fshatit Borqan të komunës së Albanikut.

Më 13.I.1997, në orën 1000, dy policë serbë (Velko Mihajloviq dhe Millovan Kandiq) të stacionit policor në Stantërhg, shkojnë në fshatin Melenicë të Shalës së Bajgorës, në shtëpinë e Zukë (Arif) Pretenit (66), nga i cili kërkojnë të dorëzojë një revole. Zuka ua bënë me dije policëve se nuk posedon kurrfarë armësh. Policët e arrestojnë Zukën dhe djalin e tij Arifin (41), të cilët i dërgojnë në policinë e Stantërgut, ku i rrahin në mënyrën më barbare.

Më 18.I.1997, në orën 1730, në Aeroportin e Prishtinës, nga një aeroplan që vinte prej Gjermanisë, zbret Rafet (Vehbi) Beka (20) nga fshati Kçiq i Madh i Mitrovicës, i cili, para tri vitesh, nga torturat e policisë serbe ishte detyruar të migrojë në Gjermani. Në Aeroportin e Prishtinës, policia serbe e mban në zyrë, duke e keqtrajtuar, deri në orën 1810 dhe kështu të rrahur e kthen prapë për në Gjermani. 

Më 20.I.1997, në orën 900, dy inspektorë të SPB – së, në afërsi të kafenesë “Sheni” në Mitrovicë, e arrestojnë në rrugë Mujan (Muhamet) Beqirin (52), të cilin në SPB e mbajnë 2 orë. Pas dy orësh e lirojnë me kusht që të nesërmen, më 21 janar, të paraqitet në polici së bashku me dy vëllezërit e tij, Zukën (47) dhe Ademin (44). Ata paraqiten sipas urdhëresës, ku në SPB i marrin në pyetje inspektorët: Dragan Gjuriq nga Zveqani dhe Zharko Kosovac, banor i lagjes “Lumbardhi” të Mitrovicës. Pas dy orësh marrje në pyetje, policët e rrahin mizorisht Mujanin.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat