O’Conell: Si t’iu them investuesve britanikë se Emin Beqiri do t’ju ruajë

Aktuale

O’Conell: Si t’iu them investuesve britanikë se Emin Beqiri do t’ju ruajë

Më: 23 maj 2019 Në ora: 12:33
Ruairi O’Connell

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell u është përgjigjur sot për një orë pyetjeve të lexuesve në rrjetin Facebook.

Lexuesit me këtë rast i kanë bërë pyetje të shumta diplomatit britanik, ku shumë edhe prej tyre nuk kanë marrë përgjigje.

Ai është pyetur nga një lexues se a ka shpresë që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë, në mënyrë që të rregullohen problemet me të cilat përballet Kosova.

E në përgjigjen e tij, diplomati britanik ishte shumë i qartë dhe decidiv, duke thënë se problemet duhet të zgjidhen nga vetë qytetarët.

“Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pike shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregulluar problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt të vijnë. Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bë vetë. Bëje vetë. Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosove na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar gjërat, qoftë nga qeveria, qoftë nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikanëve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Diplomati britanik duke u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve, ka kritikuar edhe sistemin e drejtësisë.

Duke përmendur rastin e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri, i cili ishte shpallur i fajshëm nga Gjykata Themelore për keqpërdorim zyrtar, e më pastaj Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë këtë aktakuzë, O’Conell tha se Beqiri është tashmë edhe shef i Policisë në Ferizaj. Për çka, ai tha se heziton të takohet me investitorë britanikë, të cilët duan të investojnë në Ferizaj.

“Unë kam investitorë britanikë, të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’ju ruajë’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, ka thënë ai.

Ambasadori britanik thotë se është jetësore që ndryshimet të ndodhin. Sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit e guximshëm kanë nevojë  për përkrahje, në mënyrë që të tregojnë me trimëri, për atë që nuk pajtohen që po ndodh në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat