Gjini: Qeveria Haradinaj e çon mandatin deri në fund

Aktuale

Gjini: Qeveria Haradinaj e çon mandatin deri në fund

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 21:07
Ardian Gjini dhe Ramush Haradinaj

Ardian Gjini, nënkryetar në AAK njëherësh kryetar i Gjakovës ka folur edhe për takimet e opozitës, krerët e VV-së, LDK-së e PSD-së, për përgatitjet e para për mocionin e rrëzimit të Qeverisë në krye me Ramush Haradinajn.

Gjini ka thënë se ata nuk e kanë fare seriozisht këtë mocion.

“Iniciativa për mocion ka pasë që prej shtatorit të vitit 2017. Kanë thënë qysh në fillim se këtë qeveri se zënë 6 muaj. Kanë thënë i kanë 58 vota, e këto vota i kanë prej fillimit. Nuk besoj se e kanë seriozisht, s’besoj qe do të ndodhë”, tha Gjini në Rubikon.

Gjini ka shtuar se nuk kanë interes asnjëra parti në opozitë për të shkuar në zgjedhje.

“VV-ja mendon që s’mund të dalë e para e nuk ka interes të shkojë e 2-ta, në fakt as e 2-ta s’del. As LDK-ja s’del e dyta. Pra, s’ka interes as brenda atyre partive”, tha tutje.

Gjini ka thënë se AAK-ja synon të dalë e para.

“E bazojmë në shumë analiza e sondazhe, presim të ngritemi”, tha tutje.

Gjini u shpreh i bindur se Qeveria Haradinaj e çon mandatin deri në fund.

“Qysh ja kanë nis ata, kjo qeveri do të qeverisë deri në fund të mandatit”, tha ai.

Gjini, përsëri shprehi bindjen se opozita s’ka interesim për të shkuar në zgjedhje.

Ka folur për PSD-në, për të cilët thotë se shpeshherë është kundër, por thotë se votat e tyre të kushtëzuara kanë ndihmuar Qeverinë në çuarjen përpara si të buxhetit e disa tjera.

“Është normale opozita me kushtëzua qeverinë në projekte të mëdha. Edhe në vendet më demokratike ndodh kjo”, tha tutje.

Gjini ka folur ndër tjera edhe për autostradat, për çka kjo Qeveri është kritikuar vazhdimisht kryesisht nga opozita.

“Kosova duhet të ketë autostrada, janë tejet të rëndësishme. Autostrada e Dukagjinit është më e rëndësishmja që ka mbet m’u përfundu”, tha ai, duke mos pranuar se kanë kosto të lartë.

Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, kur ka folur për Tribunalin ka thënë se Kosova vet nuk mund të krijojë Tribunal Ndërkombëtar.

“Vet fjala Ndërkombëtar tregon. Këtë e dinë të gjithë. Premisat themelore janë se ne mund t’i drejtohemi instancave ndërkombëtare, por vet, jo”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat