Rikthimi emocionues dhe triumfues i Bill Clinton

Aktuale

Rikthimi emocionues dhe triumfues i Bill Clinton

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 13:34
Bill Clinton

Emri i Bill Clinton është i lidhur ngushtë me historinë e Kosovës. Presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës para 20 vitesh vendosi që avionët e vendit të tij duhej t’i prinin atyre të NATO-s për t’i dhunë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Populli shqiptar gjithnjë i ka shprehur mirënjohjen dhe nuk ishte ndryshe as kësaj radhe. Që prej kur mbërriti në Prishtinë për të shënuar 20-vjetorin e lirisë së Kosovës, aty ku kishin mundësi, qytetarët e kanë ndaluar dhe e kanë përqafuar atë.

Një nga sheshet kryesore të Prishtinës mban emrin e tij ku është vendosur dhe statuja si shenjë mirënjohjeje e përjetshme për një mik i cili ishte aty në ditët më të vështira për popullin e Kosovës.

Por, duket se dashuria nuk është e njëanshme. Vet Clinton në tubimin që u mbajt në Prishtinë, u pa i emocionuar me respektin që i falen të gjithë qytetarët e pranishëm.

Menjëherë pas shfaqjes së një dokumentari që tregoi rrugëtimin 20-vjeçar të Kosovës në liri dhe prezantimit të presidentit Clinton, pati duartrokitje dhe brohoritje dedikuar atij.

Në fjalimin e tij në tubim, Clinton tha se gjithnjë kosovarët i kanë shprehur falënderime kudo që i ka takuar ata. Ai solli rastin e një kamerieri që punonte në Nju Jork.

Clinton tha se kamerieri shqiptar i ishte ulur në gjunjë për ta falënderuar për gjithçka që kishte bërë për Kosovën.

“Që 19 vjet që prej kur kam dalë nga Shtëpia e Bardhë, gjëja më e mrekullueshme që më ndodh, është që më ndal dikush në Nju Jork, apo diku tjetër në botë, për të bërë një fotografi. Apo kur isha në një hotel, një kamerier shqiptar erdhi dhe më ra në gjunjë për të më falënderuar. Kjo është një gjë e mrekullueshme”, ka thënë Clinton i emocionuar.

Edhe në këtë përvjetor, pushtetarët serbë sërish nxorën vrer ndaj tij, por ai vjen në Prishtinë mes emocioneve dhe si triumfues, që ndali gjenocidin ndaj një populli të pafajshëm që kërkonte të ishte i lirë.

Ardhja e tij në Kosovë gjithnjë do të jetë festë dhe populli do t’i përulet veprës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat