Clinton: Më pëlqen shumë, e dua këtë vend

Aktuale

Clinton: Më pëlqen shumë, e dua këtë vend

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 14:58
Bill Clinton

NATO kishte qenë një triumf që funksionon më së miri në botë për të shpëtuar jetë, me shpresën se shekulli më i përgjakshëm në historinë e Evropës nuk do të përsëritet, dhe se duhet mbajtur mend ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Kështu u tha në manifestimin qendror me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Për të shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” të pranishëm ishin ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, presidenti dhe kryeministri nga Shqipëria, shumë personalitete të rëndësishme dhe qytetarë të Kosovës. Fillimisht, në këtë tubim është shfaqur dokumentari për 20 vjetët e fundit në Kosovë. 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës dhe është datë në themelet e identitetit tonë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit.

Thaçi tha se edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veri-atlantike, bota e qytetëruar ishte së bashku me Kosovën. 

Ai, ndër tjera, tha se kjo datë historike, u bë për ta ndërtuar një Kosovë të re në të gjitha dimensionet, dhe se Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë.

Thaçi theksoi se u mbajtën me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror, u krijua ekonomia e tregut të lirë, u mundësuan investime nga jashtë dhe u stabilizua Kosova si shoqëri.

Thaçi: Ajo çfarë bëri bota e qytetëruar në vitin 1999, ishte e jashtëzakonshme

“Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, bota e qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veri-atlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm. Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999. Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm! Edhe sot, si president i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe: Ju faleminderit”, theksoi Thaçi.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton duke falënderuar popullin e Kosovës për mikpritje dhe mirënjohje, tha se NATO kishte qenë një triumf që funksionon më së miri në botë, si dhe bashkëpunimi mbarë kombëtar për të shpëtuar jetë, me shpresën se shekulli më i përgjakshëm në historinë e Evropës nuk do të përsëritet, dhe se duhet mbajtur mend ajo çfarë ndodhi në Kosovë.

Clintoni: Më pëlqen shumë, e dua këtë vend

“Më pëlqen shumë, e dua këtë vend, dhe gjithherë do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe për liri. Shumë mirënjohës jam që jam këtu me shumë qytetarë që kanë qenë pjesë e asaj beteje, mirëpo posaçërisht me sekretaren Madeleine Albright dhe gjithashtu me gjeneralin Wesley Clark. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur u takova këtu para 20 vjetëve në shkollën fillore në Ferizaj. Atë ditë thash, dhe dëshiroj të njëjtën gjë ta them edhe sot. 79 ditë të arritjes së paqes, unë e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është që të shqyrtohet se çfarë duhet të bëjmë më tutje. Mund të thoni, po, “kemi bërë”. Duhet vetëm një minutë të mendoni dhe mbani në mend se para 30 vjetëve ra muri i Berlinit dhe ra Bashkimi Sovjetik, dhe të gjitha konfliktet po binin poshtë”, tha Clinton.

Ndërsa, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright tha se Kosova ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dy dekadave, ku  qytetarët e saj treguan dhe dëshmuan se janë për paqe dhe ndërtimin e një kombi të ri dhe demokratik. 

Albright: Kauza jonë ishte e drejtë

“Lufta në Kosova ka qenë një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme ndërmjet të drejtave, dhe respektit për të drejtave të njeriut ndërmjet të tiranisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam, sepse Aleanca jonë ishte bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishme ishte se ia dolëm për arsye se kauza jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës për tej të gjitha pyetjeve të taktikave dhe politikave. Fushata jonë vendosej dhe themelohej në baza të drejtësisë. Aleanca e bashkuar ulej dhe shikonte një komunitet të tërë të abuzuar dhe dëbuar, dhe përgjigja ishte: Jo.  Për më tepër se 11 javë, aleanca jonë dhe qytetarët e Kosovës u mbajtën të fortë”, theksoi Albright.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Mattew Palmer tha se rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar intervenim për t’iu shmangur një katastrofë humanitare, ndërsa intervenimi ka qenë i qartë dhe i kufizuar në fushëveprimin për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë.

Palmer: Sot le ta përsërisim zotimin tonë për të ndërtuar të ardhmen

“Në këtë përvjetor solemn, i përkujtojmë shumë ushtarë dhe njerëz që janë plagosur, kanë humbur jetën, si dhe për të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre. Sot le ta përsërisim zotimin tonë për të ndërtuar të ardhmen, paqen dhe prosperitetin për fëmijët dhe nipërit e tyre. Para 20 vjetëve do të ishte e paimagjinueshme se sot do të mblidheshim këtu, në kryeqytetin më të ri të Evropës për të shikuar nga një e ardhme optimiste. Qytetarët e Kosovës kanë demonstruar që mund të jenë një partner i besueshëm i komunitetit evropian, duke ndërtuar institucioni demokratike dhe duke përparuar në integrimet euro atlantike. Përkrahja e SHBA-ve për këtë shtet, shton këtë rrugëtim dhe këtë përkrahje për arritjen e objektivave të demokracisë. Ne jemi krenarë që po e shpaguajmë mundin dhe sakrificën që qytetarët e Amerikës kanë bërë për këtë vend”, deklaroi Palmer.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit, se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.

Ai theksoi se sot, Kosova feston 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë presidentin Clinton, sekretaren Albright, gjeneralin e shpresës - Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës.

Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtuan kombin shqiptar.

Veseli: Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje! Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara. Jemi bërë shtet i pavarur e sovran, që beson e punon në një vizion të vetëm, në vizionin euro-atlantik”, pohoi Veseli.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se për shumë kohë populli i Kosovës e ka kërkuar lirinë brez pas brezi, të cilët kanë vuajtur dhe janë flijuar.

Ai theksoi se populli i Kosovës e priste nga Zoti ndihmën, ndërsa bijtë dhe bijat e këtij populli si familja Jashari dhe plot luftëtarë të lirisë, UÇK-ja qëndroi me popullin.

Haradinaj shtoi se populli i Kosovës i takon botës së popujve të lirë që e udhëheq Amerika, ndërsa pati edhe një porosi edhe për shtetin fqinjë, Serbinë.

Haradinaj: Paqen e bëjnë të guximshmit

“Sot shteti i Kosovës është vlerë e re në rajon, është vlerë e shtuar në botë dhe sjell paqe për të gjithë ne. Sot, Kosova është atdheu i të gjithë neve që jetojmë në Kosovë, i shqiptarëve shumicë, e i komuniteteve në Kosovë, i serbëve, i turqve, romëve, i ashkalinjve, goranëve, egjiptasve dhe të tjerë. Pra, të gjithë janë në shtëpinë e vet, në Kosovën tonë. Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe presidentit Vuçiq që ta njeh Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet, në mënyrë që të fokusohemi për një qeverisje më të mirë në luftimin e korrupsionit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit. Për arsye që brezave të tjerë t’ua lëmë lirinë, e jo luftën për territore e kufij”, tha Haradinaj. 

Për shënimin e kësaj date janë mbajtur shumë aktivitete, ndërsa, në orën 17:00 do të mbahet edhe Konferenca ndërkombëtare për siguri “20 vjet liri: Një vizon për paqe të qëndrueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat