Milazim Krasniqi për incidentet e LDK-së: Zhvillim shumë i keq, i padëshirueshëm dhe shumë i dëmshëm për vetë imazhin e partisë

Aktuale

Milazim Krasniqi për incidentet e LDK-së: Zhvillim shumë i keq, i padëshirueshëm dhe shumë i dëmshëm për vetë imazhin e partisë

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 16:51
Milazim Krasniqi

Në zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë shënuar disa incidente duke filluar nga përplasjet verbale e deri tek përleshjet fizike.

Incidenti i parë filloi gjatë Kuvendit Zgjedhor në Degën e LDK-së në Mitrovicë, ku pasoi edhe me incidente nëpër disa komuna tjera. Ndërsa, rasti më i freskët ndodhi në një shkollë në fshatin Koshare, në Ferizaj, ku teksa mbahej procesi zgjedhor aktivistët janë fjalosur dhe janë grushtuar mes vete. Pas kësaj nuk ka vazhduar mbajtja e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie.

Profesori Milazim Krasniqi, që ishte edhe ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një prononcim, për këto incidente tha se janë një zhvillim shumë i keq, i padëshirueshëm dhe shumë i dëmshëm për vetë imazhin e LDK-së.

Ai theksoi se kjo ka ardhur si pasojë e bllokimit të reformave për një kohë shumë të gjatë në LDK.

Sipas tij, kjo parti dhe disa parti tjera kanë mbetur të ngurtësuara në modelet e vjetra të veprimit dhe organizimit partiak.

“Ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë, brenda 20 viteve të fundit janë spektakulare në skenën shoqërore, ndërsa edhe LDK-ja dhe shumë parti tjera kanë mbetur të ngurtësuara në modelet e vjetra të veprimit dhe organizimit partiak, gjë që në një farë mënyrë provokon reaksionin intinuitiv të gjeneratave të reja, që nuk pajtohen me këtë ngurtësi dhe bllokim. Arsyeja e dytë është që LDK-ja ka dal nga shtrati i saj biologjik, sepse ka qenë qysh nga fillimi si parti komuniste, parti me vlera euro-perëndimore dhe si e tillë, ka pasur një parashenjë të fuqishme”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, edhe analisti Imer Mushkolaj në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se brenda LDK-së ekzistojnë grupe të cilat tentojnë që ta marrin kreun e partisë dhe se është shqetësuese se si LDK-ja, si parti e madhe nuk po mund t’i ndaloj këto përplasje.

Po ashtu, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka komentuar edhe incidentet që kanë ndodhur në disa nëndegë dhe degë të zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt politik.

Hoti i ka quajtur këto raste si të izoluara dhe që nuk janë në kulturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndryshe, një ditë më parë në mbledhjen e kryesisë së LDK-së, të udhëhequr nga kryetari Isa Mustafa, mes tjerash, u analizua edhe situata e krijuar në disa degë të LDK-së gjatë procesit zgjedhor, ku theks i veçantë i është kushtuar zhvillimeve të fundit në Degën III në Prishtinë.

Sipas njoftimit për media thuhej se kryesia e LDK-së mori vendim që Hazir Borovci dhe Arban Abrashi, të përmendur në teren për kryetar të Degës III në Prishtinë, të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës, me qëllim që t’i kthehet normaliteti procesit të zgjedhjeve brenda LDK-së. Me pjesën e mbetur të procesit zgjedhor në Degën III do të udhëheqë Kryesia Qendrore e LDK-së. /Telegrafi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat