Haradinaj: Serbia nuk është e gatshme të flas për njohje reciproke

Aktuale

Haradinaj: Serbia nuk është e gatshme të flas për njohje reciproke

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 17:45
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj se duke komentuar dështimin e Samitit të Parisit, ka deklaruar se kur përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshme të bisedojnë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, atëherë do të ketë dialog, megjithatë paralajmëroi se deri atëherë mund të ketë pritje.

Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur në AAK, pas takimit të kryesisë së këtij subjekti politik, ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend por edhe për kuvendin e punës së këtij subjekti politik, i cili do të mbahet më 30 qershor.

Haradinaj është pyetur edhe për Samitin e Parisit, i cili sipas qeverisë gjermane dhe franceze, është anuluar.

Haradinaj: Serbia nuk është e gatshme të flas për njohje reciproke

“Tash nga një herë thojmë në sherr del hajri e ndonjëherë del sherri. Unë mendoj që është mirë që po qartësohet se çka ka mbetur pa u zgjedh. Edhe takimi i Berlinit, ballafaqimi i delegacionit teknik e ka konfirmuar se e vetmja gjë pa u zgjedh, është njohja reciproke në kufijtë ekzistues Kosovë-Serbi, kur palët janë të gatshme të bisedojnë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, atëherë edhe ulemi për dialog, pra deri atëherë mund të ketë pritje...hajrë është se është sqaruar se çka mundet me qen një zgjidhje dhe çka ka mbet si opsion i vetëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi, pra opsioni i vetëm që ka mbet në tavolinë Kosovë-Serbi, është njohja reciproke me kufijtë ekzistues, ndërsa sherr është se ende nuk jemi të gatshëm, në këtë rast Serbia me u ulë për këtë temë”, tha ai.

Haradinaj ka konfirmuar edhe takimin e mbrëmshëm në Berlin, ku tha se ka qenë takim i ekipeve teknike, të cilët kanë diskutuar për marrëveshjet që nuk janë zbatuar, por jo edhe për Asociacionin e komunave serbe.

Ai shtoi se ka informuar të gjithë përfaqësuesit e dialogut.

Haradinaj: Është rikthyer dialogu teknik

“Shiqo ka shkuar Avni Arifi, shefi i delegacionit të dialogut teknik, ju e dini dialogu teknik ka pas ngecje për kohë të gjatë, është rikthyer në ballafaqim, nuk ka ndodh ndonjë dialog por vetëm ballafaqim, kjo ka ndodh. Arsye pse është shtyrë Parisi, nuk i di, mund t’i japin të gjithë të tjerë Kosova është palë serioze, e di çka donë dhe vazhdon rrugën e vet“, tha ai.

Haradinaj është pyetur edhe për iniciativën e Kadri Veselit për ta liruar detyrën të gjithë ata që kanë aktakuza, duke thënë se çdo partner i koalicionit merr vendime për vete.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë arsyet pse mendon se do të shtyhet Samiti i Parisit.

Ai në një konferencë për media të mbajtur në AAK, ka thënë se niveli teknik i dialogut nuk është identifikuar mirë.

“Dialogu teknik i cili është ndërprerë në takimin e fundit që e kishim. Pra niveli teknik i dialogut nuk është identifikuar mirë, nuk i është dhënë një kornizë asaj çfarë do të ndodh dhe si rezultat i mosidentifikimit mendoj se do të shtyhet procesi i Parisit për një kohë tjetër”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat