Ministria e Shëndetësisë e ka shkëputur kontratën e furnizimit të infuzioneve me kompaninë serbe.
Këtë e ka konfirmuar ministri i këtij dikasteri, Uran Ismaili, ndonëse më parë u tha se nuk ka qenë në dijeni për një kontratë të tillë, raporton KTV.
Ai ka thënë se tash QKUK-ja furnizohet me infuzion nga një kompani gjermane.
Ismaili, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi, ka thënë se revidimi i listës esenciale të barnave është në fazën përfundimtare, pasi sipas tij, këto ditë e kanë dërguar draftin final te Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ismaili foli edhe për mungesën e barnave, për të cilat tha se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ofertave nga kompanitë e ndryshme.
Kritik ishte deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili tha se për të gjitha këto vonesa dhe mosrealizim të këtyre projekteve fajtor është Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas tij, ministri po e largon përgjegjësinë prej vetes dhe po arsyetohet me konsulencat apo palët e treta.
Kurse, Naser Osmani i LDK-së ngriti si problem edhe transplantimin e organeve, duke thënë se duhet të ketë fokusim më të madh te Ligji për Transplantimin e Indeve dhe Organeve.