“Syri i Popullit”, Ramabaja: Prova të montuara, kjo është hakmarrje politike

Aktuale

“Syri i Popullit”, Ramabaja: Prova të montuara, kjo është hakmarrje politike

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 12:40
Seanca gjyqësore në rastin e ashtuquajtur “Syri i Popullit"

(E plotësuar) -Sadri Ramabaja, i akuzuar në rastin “Syri i Popullit” rastin ndaj tij e ka quajtur proces të montuar dhe hakmarrje politike.

Ramabaja bashkë me nëntë persona tjerë gjenden në paraburgim tash e dy vjet si të akuzuar për plagosjen e ish funksionarit të kohës së komunizmit Azem Vllasi dhe planifikimi i eliminimit të figurave politike përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Në seancën gjyqësore që ka filluar në mesditë Ramabaja po merret në pyetje nga avokati i tij Ramiz Krasniqi i cili është pyetur për njohjen e tij me Azem Vllasin dhe pyetje tjera.

Ramabaja tha se prokurorisë i është dashur shou medial dhe prezumim të pafajësisë për ta mbajtur sa më gjatë në burg.

Ndaj kësaj deklarate ka kundërshtuara prokurori Sylë Hoxha, i cili tha se kur e dorëzojnë  aktakuzën në gjykatën kompetente ipet njoftimi për opinion që është ngritur një aktakuzë.

Ramabaja tha se nga të akuzuarit i njeh vetëm Behxhet Luzhën, bashkëshorten e tij Lirijen dhe të akuzuarin kryesor Murat Jashari.

Ndërsa Azem Vllasin tha se e njeh pasi që të dytë vijnë nga i njëjti rajon, nga komuna e Kamenicës.

Ramabaja: Vllasin e njoh pasi vijmë të dytë prej rajonit të njëjtë

"E njoh Azem Vllasin, vijmë dytë prej komunës së Dardanës. Në vitet 80-ta  në kohën kur unë rreshtohesha në krahun politik që angazhohej për Republikën e Kosovës në ilegale ai ngjitej në karrierën politike në krahun e kundërt, në krye të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Nga ky këndvështrim njihemi prej viteve 80", tha Ramabaja, ndërkohë shtoi se nuk ka biseduar asnjëherë me Azem Vllasin.

Por ai mohoi ta ketë konsideruar atë si armik që nga viti 1990 kur edhe është bërë pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës ndërkohë tha se për plagosjen e Azem Vllasit ka dëgjuar nga mediat.

Ramabaja: Vllasin se kam konsideruar armik që nga pajtimi kombëtar te Verrat e Llukës

“Prej vitit 1990 nga takimi i famshëm i Verrave të Llukës  të cilin e kam gjykuar si takim i pajtimit kombëtar, unë nuk e kam konsideruar si armik, por si person më të cilin na ndajnë pikëpamjet ideo-politike, sidomos për ngjarjet e vitit 1981", tha Ramabaja ndërsa shtoi se atë ditë gjendej në Durrës dhe pasi që është lakuar emri i tij nëpër media e ka shkruar një reagim me shkrim në lidhje me këtë rast.

Ramabaja ka thënë se asnjëherë nuk ka nënshkruar komunikata të organizatës “Syri i Popullit” dhe se për të njëjtën ka dëgjuar në një portal në ditën kur është sulmuar Azen Vllasi.

Ramabaja tha se e kupton mllefin e Azem Vllasit meqë ai është i dëmtuar ndërsa shtoi se të dytë janë viktima. Sipas tij Vllasi është privuar të jetojë fizikisht, ndërsa për vete tha se është privuar nga jeta akademike dhe politike.

Ramabaja:  Edhe unë edhe Vllasi jemi viktima

"Edhe sot kam bindjen që dëm kolateral i kësaj lufte speciale mund të konsiderohemi edhe unë edhe Azem Vllasi. Nga njohësit e ilegales konsiderohem si njër nprej dy apo tre vetave me informacionin më të madh për jetën ilegale në Kosovë, i mundshëm për të ndryshuar përmes një projekti që kisha paralajmëruar konceptimin mbi UÇK-në. Une po përgatisja materialet për shkrimin e librit ‘ Historia politike e Kosovës’, që do ta kisha manoskript për studentët. Duket se këtu duhet kërkuar arsyen reale pse jam dëm kolateral dhe ndodhem qe dy vjet në burg”, tha Ramabaja.

Avokati Krasniqi disa herë ka tentuar t’i bëjë pyetje Ramabajës në lidhje me deklaratat e Hashim Thacit dhe Kadri Veselit në dëshmitë e tyre, por gjyqtarja Naime Krasniqi nuk ia ka pranuar pyetjet duke i thënë se  vepër penale me nxjerr dëshmitë e tyre që janë dhënë në seanca të mbyllura.

Krasniqi e ka pyetur  të akuzuarin pse Kadri Veseli organizatën “Syri i Popullit” e lidh me Vetëvendosjen, por kjo pyetja nuk u pranua nga gjyqtarja Naime Krasniqi (Kjo nuk u pranua si pyetje nga gjyakata).

Gjatë gjithë kohës në seancë ka qenë prezent edhe i dëmtuari Azem Vllasi.

Seanca do të vazhdojë të hënën me marrjen në pyetje të akuzuarit Ramabaja nga prokurori Sylë Hoxha. Seanca fillon në orën 8 e 30.

Në rastin “Syri i Popullit” po akuzohen Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

**

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po të mbahet seancë gjyqësore në rastin e ashtuquajtur “Syri i Popullit".

Sadri Ramabaja iu përgjigj pyetjeve të avokatit, prokurorit dhe gjyqtarit të rastit.

Në kohën e rezervuar për deklarimet e fajësisë ose pafajësisë, Sadri Ramabaja tha: "Unë e trajtoj këtë provë si tërësisht të montuar në raport me mua dhe si hakmarrje e pastër politike", tha Ramabaja.

Të akuzuar në këtë rast janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Ramabaja mbahet në paraburgim prej 2 vitesh.

***

Në seancën e sotme, i dyshuari i këtij rasti, Sadri Ramabaja, do t’u përgjigjet pyetjeve të avokatit, prokurorit dhe gjyqtarit.

Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Sadri Ramabajës

Seanca gjyqësore në rastin e ashtuquajtur “Syri i popullit”, ku i dyshuari i këtij rasti, Sadri Ramabaja, do t’u përgjigjet pyetjeve të Avokatit, Prokurorit dhe Gjyqtarit, i paraparë për orën 11:00 është shtyrë për orën 13:00.

Arsyet e shtyrjes nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që kjo seancë është paraparë të jetë edhe vendimtarja për Ramabajën, i cili po mbahet në paraburgim për gati 2 vjet.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat