Tahiri e quan transparent procesin e testimit për noterë, kritikon Albulena Haxhiun

Aktuale

Tahiri e quan transparent procesin e testimit për noterë, kritikon Albulena Haxhiun

Më: 12 korrik 2019 Në ora: 14:20
Tahiri e quan transparent procesin e testimit për noterë, kritikon Albulena Haxhiun

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë sot se provimi i noterisë ka qenë i organizuar mirë, duke përjashtuar mundësinë të ketë pasur konflikte interesi. Teksa ka bërë të ditur se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, së shpejti do të fillojë edhe rekrutimi i noterëve të ri.

Kritika ka adresuar për kryetaren e Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu, e cila përmes një letre dërguar Tahirit, ka kërkuar anulimin e këtij procesi dhe kthim në pikën zero. Për këtë, ai ka thënë se vetëm gjykata mund të anulojë procesin e noterisë.

Tahiri, në një konferencë për media tha se janë të gatshëm të japin përgjegjësi për çdo lëshim që ka mundur të ndodhë.

Ai tha se në asnjë rrethanë nuk do të nguten me rekrutimin e noterëve të rinj. Ai bëri të ditur se nga faza e parë e rekrutimit të noterëve të rinj, do të rekrutojnë 50-60 noterë, ku sqaroi se prej tyre, fillimisht do të rekrutojnë noterë në bazë të nevojave emergjente, duke mundësuar që secila komunë te ketë së paku nga një noter, si dhe për komunitetin joshumicë.

Tahiri: Vetëm Gjykata mund të anulojë procesin e noterisë

“Absolutisht, është prej proceseve më të mira të organizuara ndonjëherë për organizimin e noterisë dhe kushdo që sot posedon një fakt të vetëm, unë e lus, kam kërkuar edhe pretendimet që janë ngritur nga disa media, të fillojë hetimin. Unë përgjegjësi penale nuk e bart për askënd, secili bart përgjegjësi për vete, mirëpo ne jemi të gatshëm të japim përgjegjësi për secilin lëshim apo dështim që ka ndodhur, pra në asnjë rrethanë. Ky është një proces që vetëm një institucion mund ta kthejë në pikën zero, pra vetëm gjykata... Nuk kemi person kompetent, as ministrin, as të tjerët, të cilët mund të anulojnë një proces të organizimit të noterisë”, tha ai.

Sipas tij, opozita ka kritikuar një proces që nuk ka filluar ende, pasi deri më tash janë kryer vetëm fazat e provimit. Ndërkohë që duke folur për këtë, ai ka komentuar edhe letrën e deputetes Haxhiu drejtuar atij.

Tahiri: Është i papranueshëm gabimi i kryetares së komisionit për legjislacion

“Imagjinoni, një nivel që është kaq i lartë, siç është kryetarja e Komisionit për Legjislacion, që sinqerisht është për keqardhje, më dërgon letër dhe më kërkon anulimin e procesit të rekrutimit. Pra, ende nuk ka filluar procesi i rekrutimit në teren dhe një ligj i cili ka kaluar në komisionin për legjislacion dhe një gabim të tillë me e bë një kryetare e komisionit, me të vërtetë është e papranueshme... Është kritikuar një proces i cili nuk ka filluar ende. U kërkojke me e anulu, me e kthy në pikën zero procesin e rekrutimit të noterëve. Kjo ka qenë kërkesa e opozitës në këtë rast, duke iu referu një procesi që s’ka fillu ende. Pra, ne kemi pasur kritika pa e ditur qartë se çka po flasim”, tha ai.

Anëtarja e komisionit Merita Kostanica, për të cilën është thënë se në pesë raste ka konflikt interesi me miq e mikesha të cilët e kanë kaluar provimin.

Ajo ka thënë se ka deklaruar konflikt interesi për dy punonjëse në zyrën e saj, dhe për katër vajza me të cilat takohet herë pas here.

Kostanica: Testet kanë qenë të koduara, nuk kanë mundur të identifikohen nga anëtarët e komisionit

“Sekretariati i komisionit e ka bërë punën e vet, ashtu që edhe pse testet që kanë qenë të koduara, e ka bërë punën e vet duke mos pasur mundësi që një anëtar i komisionit të identifikonte testin me atë kandidat që ka pasur konflikt. Sa i përket miqve, nuk mund t’ia ndalim askujt që të hyjë në provim. Para se të jenë miq të mi, janë profesionistë, diturinë dhe suksesin e tyre e kanë dëshmuar. Dhe, edhe pse ligji  për konfliktin e interesit nuk parasheh që shoqëria është konflikt interesi, unë i kam deklaruar ato, dhe sekretariati e ka bërë punën e vet, duke bërë që ato teste të mos i kontrolloja unë... Vetëm dy punonjëse të mijat kanë hyrë në provimin e noterisë. Për ato kam deklaruar konflikt interesi pasi i kam çdo ditë në zyrë dhe ka qenë më e përshtatshme për mua. Po ashtu, kam deklaruar konflikt interesi edhe për 4 vajza për të cilat shoqërohem kohë pas kohe”, u shpreh ajo.

Ndërsa anëtari i Komisionit të Programit për Noteri, Elbasan Dervishaj bëri të ditur shifrat e atyre që kanë aplikuar dhe që e kanë kaluar provimin e noterisë.

Ai tha se janë 175 kandidatë që kanë kaluar fazat e provimit të noterisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat