Vendimet e fshehta: Qeveria ndan 70 mijë euro për mbrojtjen e tre komandantëve në Speciale

Aktuale

Vendimet e fshehta: Qeveria ndan 70 mijë euro për mbrojtjen e tre komandantëve në Speciale

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 15:22
Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Mahir Hasani dhe daja i kryeministrit Ramush Haradinaj, Lahi Ibrahimaj

Qeveria e Kosovës ka ndarë fiks 70 mijë euro për mbrojtjen e katër të dyshuarve në Gjykatën Speciale. Kjo shumë është ndarë për Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Mahir Hasanin dhe dajën e kryeministrit Ramush Haradinaj, Lahi Ibrahimaj. Vendimet e qeverisë për ndarjen e këtyre 70 mijë eurove nuk kanë qenë publike. Insajderi, ka siguruar këto vendime. Vendimet për ndarjen e këtyre parave, janë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të akuzuarve në Speciale. Ligji parasheh mbështetje financiare vetëm në rastet kur ngritet aktakuza.

Tre komandantë të profilit të lartë dhe një i profilit të ulët, kanë përfituar 70 mijë euro të taksapaguesve kosovarë për t’u mbrojtur nga akuzat e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Në dy vendime të ndara, Qeveria e Kosovës ka ndarë këtë shumë parash për Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Lahi Ibrahimajn dhe Mahir Hasanin.

Që të tre këta komandantë kanë të deklaruar pasuri milionëshe.

Insajderi, i ka siguruar këto vendime të cilat nuk janë bërë publike nga ana e Qeverisë. Në vendimin e datës 19 mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për mbrojtjen e Lahi Ibrahimajt, dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në vendim saktësohet se kjo shumë parash është ndarë për “procesin e Dhomave të Specializuara”.

Brahimaj ishte intervistuar më 1, 2 dhe 3 mars, lidhur me dyshimet për krime gjatë luftës në Kosovë.

Përveç dajës Brahimajt, Qeveria Haradinaj ka ndalrë 30 mijë euro tjera për ish-këshilltarin e tij, Sylejman Selimi, ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku dhe Mahir Hasanit.

Kjo shumë e parave është ndarë me 5 shkurt të këtij viti.

Asnjëri nga të dyja vendimet nuk kanë qenë publike. As në webfaqen e kryeministrisë nuk hapen vendimet e këtyre datave.

Image

Insajderi ka siguruar Dokumentin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2020-2022, në të cilin figurojnë dy vendimet e Qeverisë për ndarjen e 70 mijë eurove për shpenzimet e këtyre katër të ftuarve të Speciales.

Fillimisht shteti kishte ndarë mbi 1.5 milion euro shpenzimet e të ftuarve të speciales. Këto shpenzime janë kornizuar në një ligj, i cili nuk lejon mbulimin e shpenzimeve derisa nuk ka aktakuzë.

Këto vendime nxjerrin në pah gënjeshtrat e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ishte zotuar se nuk ndahen mjete derisa nuk ka aktakuzë.

Ligji parasheh që personat të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, të bëjnë kërkesë për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur, në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave.

Nga kjo shumë, nga data 1 dhjetor e vitit 2017 Ministria e Drejtësisë që menaxhon fondin pati shpenzuar 466.309 mijë euro.

Në emër të këtij fondi shteti ka kontraktuar dy subjekte ligjore ndërkombëtare, përfshi edhe avokatin Geoffrey Nice për këshillim ligjor në formulimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës juridike të Republikës së Kosovës pranë Dhomave të Specializuara.

Nice, është angazhuar zyrtarisht si avokat i Sami Lushtakut.

Ministria e Drejtësisë nuk kishte treguar se si ishin shpenzuar këto mjete, përkundër që gazeta kishte kërkuar qasje në faturat e shpenzimeve.

Avokati Geoffrey Nice, do të mbrojë Sami Lushtakun, para prokurorëve të Gjykatës Speciale. Ai ka kërkuar nga ekipi kosovar që të paguhet 2 mijë e 200 euro për një ditë pune, duke shtuar këtu edhe biletën e udhëtimit.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri pati deklaruara në fillim të këtij viti se shteti do t`i mbuloj shpenzimet vetëm në rastet kur ngritën aktakuzat. Por vetëm pak kohë pas kësaj deklarate të tij, shefi i tij i qeverisë ka ndarë këto 70 mijë euro shtesë për shpenzimet.

Përmes një konference për media, ministri Tahiri pati folur për pagesën e avokatëve të cilët do të mbrojnë të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Tahiri, kishte thënë se secili person i cili është thirrur nga Gjykata Speciale ka të drejtë të marrë cilindo avokat, mirëpo shteti nuk i mbulon shpenzimet e tyre deri sa nuk janë të akuzuar.

Tahiri ende nuk është përgjigjur nëpyetjete e Gazetës lidhur me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat