Muhaxhiri: Fletë-arrestet e Interpolit na bijnë në mend vetëm kur aktivizohen - Bota Sot
Muhaxhiri: Fletë-arrestet e Interpolit na bijnë në mend vetëm kur aktivizohen

Aktuale

Muhaxhiri: Fletë-arrestet e Interpolit na bijnë në mend vetëm kur aktivizohen

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 21:31
Artan Muhaxhiri

Analisti Artan Muhaxhiri ka folur rreth problematikave që po sjellin fletë-arrestet ndërkombëtare të Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë në Info Magazine se është zhgënjyese që edhe pas kaq vitesh Kosova të përballet me një temë të tillë. Sipas tij, liderët kosovarë nuk kanë qenë të gatshëm për të gjetur një zgjidhje për t’i treguar Interpolit se ato urdhër-arreste janë politike.

“Shumë e dhimbshme që më 2019 ende kemi tema të tilla. Nuk ka asnjë gatishmëri – as nga ana e Interpolit e as nga institucionet tona – që definitivisht ato fletë-arreste të anulohen si “politike”, të bëra në një kontekst krejtësisht tjetër, dhe s’kanë të bëjnë asgjë me punën reale e Interpolit”.

“Është absurde që liderët e UÇK-së të kenë frikë çdo herë që e kalojnë kufirin, për shkak se mund aktivizohet një  fletë-arrest politik. Na kujtohet çfarë i ndodhi Ramush Haradinajt në Francë parvjet, por nuk ka vullnet as nga ana e Kosovës por dhe as nga Interpoli të zgjidhet përfundimisht kjo çështje”.

“Duhet të arrihet ndonjëlloj marrëveshjeje institucionale me Interpolin që të definohet se këto janë fletë-arreste politike, jo të bazuara në faktografi objektive gjyqësore. Fletë-arrestet për ish-eprorët e UÇK-së kanë qenë ‘blanco’ për periudhën e kontekstit të luftës, por tash është e pakuptimtë të shkohet në Bruksel dhe të flitet për përmirësim të raporteve me Serbinë ndërkohë që ende ekzistojnë këto fletë-arreste. Vëmendja jonë kthehet drejt tyre vetëm kur ndodhin rastet. Është zhgënjyese”.

Veç kësaj, analisti politik Artan Muhaxhiri tregoi edhe për problemin e sërishëm që i kanoset Kosovës nëse bëhet aplikimi për anëtarësim në Interpol.

“Deklarata e sotme e Haradinajt u duk më e rezervuar, sepse ai tha që aplikimi është opcional, pra mund të aplikojmë, por mund edhe të mos aplikojmë nëse nuk ka vota të mjaftueshme, sikurse ndodhi herën e kaluar. Ajo situatë ishte një dëshpërim i madh për Kosovën”.

“Nuk duhet të aplikohet nëse nuk janë përfaruar votat”.

“Duhet të jemi realistë, nuk ka hapësirë për krijimin e euforisë së kotë, të pabazuar, dhe të dështohet në fund”.

Muhaxhiri tha në Info Magazine se në Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk kishte  transparencë, por rutinë të krijuar për të udhëtuar në Bruksel dhe për të dalë në konferenca për shtyp.

“Problemi kryesor me dialogun në Bruksel ka qenë se nuk ka pasur transparencë e as ndonjë pikë finale të synuar, nuk ka pasur afate kohore… Kanë kaluar muajt, vitet, por progres substancial nuk ka pasur. As Thaçi, as Vuçiqi, e as BE-ja, nuk kanë treguar transparencë dhe kjo ka mundësuar krijimin e një mjegullnaje për keqinterpretime”.

“Diplomacia jonë është tejet e brishtë, skajshmërisht e politizuar, me mungesa të shumta në aspektet  profesionale. Deri më tash kanë munguar strategjitë e duhura të lobimit, prandaj edhe kanë filluar të rriten sfidat për shtetësinë e Kosovës. Politikisht, Serbia po e shfrytëzon shumë këtë gjendje. Për fat të keq, disa nga aleatët tanë kryesorë kanë probleme të brendshme: Amerika ka koklavitje me Trumpin, Britania telashe me BREXIT, Gjermania është në tranzicion pas largimit të paralajmëruar të Kancelares Merkel, prandaj rrethanat nuk janë ashtu siç ishin para disa viteve”.

Muhaxhiri potencoi se çështja e taksës është zhvendosur nga qëllimi nismëtar.

“Taksa ka qenë e mirë në fillim. Ishte një reagim shtetëror, por edhe emocional, ndaj aktiviteteve të Serbisë e cila në mënyrë institucionale vendosi ta zhvillojë dhe financojë lobimin anti Kosovës. Mirëpo, kjo taksë nuk mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, duhet të transformohet”.

“Mirëpo, ka qenë një ‘shuplakë simbolike’ ndaj Serbisë, për kohën kur është vendosur”.

“Por, në raportet politike në Ballkan aktet e tilla nuk mund të vazhdojnë gjatë, sepse sikur të gjithë t’i nisin këta hapa radikalë atëherë kthehemi në vitin 1991”.

“Aleatët tanë na ofrojnë mundësinë që ne të kërkojmë diçka për heqjen e taksës, ndonjë garanci me shkrim se Serbia nuk do të lobojë më kundër apo përshpejtim  të liberalizimit të vizave”.

“Mirëpo, kërkesa për njohjen e Kosovës nga Serbisë është maksimaliste”.

Ai shtoi se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnje dhe Hercegovina është shndërruar në kauzë personale për kryeministrin Ramush Haradinaj, gjë që e ka bllokuar dialogun dhe pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në të.

“Ndërkombëtarët e kanë kuptuar se Haradinaj nuk do të pranojë asgjë që i ofrohet si kundërpeshë për largimin e taksës, me asnjë çmim”.

“Taksa nuk e ka dëmtuar shumë në aspektin ekonomik Serbinë, sepse Kosova nuk është aq determinuese sa i përket eksporteve të këtij shteti”.

“Mënyra se si është zhvilluar dialogu ka krijuar përshtypje në Washington, Bruksel dhe Berlin se kështu mund të vazhdohet pakufi”.

“Ajo mënyrë e dialogut ishte shndërruar në rutinë, por në fakt të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të kënaqur me atë qasje Të dy [Thaçi e Vuçiq] e kanë konsideruar të mirëseardhur dashamirësinë e ndërkombëtarëve, sepse janë parë si “good guys”, joproblematikë. Taksa e ka shkatërruar këtë status-quo. Nuk është pritur që Ramush Haradinaj do të jetë kaq këmbëngulës deri në këtë shkallë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...