Haradinaj kthehet nga Haga, ka një paralajmërim për ata që thonë se po e shkelë Kushtetutën

Aktuale

Haradinaj kthehet nga Haga, ka një paralajmërim për ata që thonë se po e shkelë Kushtetutën

Nga: A.ZH Më: 26 korrik 2019 Në ora: 00:20
Ramush Haradinaj kthehet në Kosovë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer sonte nga Haga në Kosovë, pas intervistimit nga Gjykata Speciale

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pafajësinë e tij nuk mund të vë në pikëpyetje askush.

Ai ka paralajmëruar se nesër  do të vazhdojë me punë edhe pas dorëheqjes, pasi sipas tij, Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës, përcjell Bota sot.

Haradinaj ka ftuar palët që mendojnë ndryshe nga ai, që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se cilido që të jetë vendimi i saj, do ta respektojë.

Kujtojmë se Haradinaj është kritikuar për parlajmërimin e tij se nesër do të mbajë mbledhje të Qeverisë, të cilën e rrëzoi vet të premten e kaluar, pas ftesës nga Gjykata Speciale:

Postimi i Haradinajt:

Të dashur qytetarë,

Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj.

Na priftë e mbara!

RH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat