Themeluesi i LDK-së: Statuti aktual i partisë e favorizon këtë person për kryetar

Aktuale

Themeluesi i LDK-së: Statuti aktual i partisë e favorizon këtë person për kryetar

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 21:56
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës nesër do ta mbajë kuvendin zgjedhor në të cilin do ta zgjedh kryetarin e partisë.

Njëri ndër themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi, ka thënë se Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri apo Agim Veliu janë kandidatë të kualifikuar për të drejtuar partinë.

“Mendoj se edhe kandidatët e tjerë janë të kualifikuar për ta drejtuar partinë, si presidenti Sejdiu, Haziri dhe Veliu. Këto janë figura të vjetra dhe figura prominente të LDK-së, të cilat janë edhe figura autentike të LDK-së. Nëse mendohet që LDK-ja të dalë edhe më e fuqishme nga ky kuvend duhet të lejohen kandidaturat e gjithë atyre që aspirojnë dhe pastaj të fitojë ai që merr vota më së shumti”,ka thënë Krasniqi për Epoka e Re.

Ai ka deklaruar se statuti aktual i partisë e favorizon liderin e partisë për të qenë sërish kryetar.

“Absurdi është që në statutin e partisë e kanë futur normën që praktikisht mund të ketë vetëm një kandidat. Nëse kuvendi i ka mbi 350 delegatë dhe nëse për të kandiduar për kryetar të LDK-së kërkohen nënshkrimet e mbi 50 për qind të delegatëve, i bie që nuk ka mundësi të jenë dy kandidatë. Pra, qëllimisht është futur kjo normë në statut, në mënyrë që të pengohet gara demokratike”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se shpreson që LDK-ja ta kalojë këtë kuvend në mënyrën e duhur, të ketë udhëheqje legjitime dhe pastaj të kotribuojë për procese të ardhshme demokratike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat