Haradinaj: Mandatin ia ktheva popullit, shkuarja në zgjedhje është në të mirë të vendit

Aktuale

Haradinaj: Mandatin ia ktheva popullit, shkuarja në zgjedhje është në të mirë të vendit

Më: 5 gusht 2019 Në ora: 15:38
Ramush Haradinaj

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur vendimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit, derisa tha se java e fundit e shtatorit apo java e parë e tetorit mund të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet në vend.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë një debati me qytetarët e Mitrovicës, debat ky i organizuar nga RTV Mitrovica, ku u diskutua për probleme të shumta që i preokupojnë mitrovicasit.

Haradinaj tha se situata aktuale në vend është krijuar nga një gjendje e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit për shkak të ftesës për intervistim nga Gjykata e Hagës të cilën e konsideroi si një ndërhyrje që po i bëhet popullit të Kosovës.

Për qytetarët e Mitrovicës ai pati një shpjegim për motivet e dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit për çka tha se duke dhënë dorëheqje ai e ka mbrojtur Kosovën dhe se një vendim të tillë nuk e ka bërë për tu kthyer në krye të Qeverisë.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës tha se Kosovën e presin tema të rëndësishme për të cilat sipas tij është mirë që po respektohen afatet kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve.

Haradinaj: Është mirë që po respektohen afatet kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve

"Si kryetar i Qeverisë vendos kujt do me i kthye, ai mund ta jep mendimin e vet është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligje, por edhe ai mund ta thotë mendimin e tij në këtë rast unë kam preferuar që mandati t'i kthehet popullit sepse kur ia jep vendimin popullit është i sigurt. E rregullt për fakt se sot Kuvendi i Kosovës, kryesia ka caktuar seancë më 22 gusht e rregullt se në atë seancë do ndodhin dy vendime, të dyja janë me peshë e para është me miratuar fondet IPA2, pra mos me humb investimet evropiane një pjesë e tyre shkon në renovimin e tymtarëve në KEK dhe do vendoset për shpërndarjen e parlamentit, dhe shkuarja në zgjedhje dhe nënkupton që data e zgjedhjeve tani mund të jenë java e fundit e shtatorit apo java e parë e tetorit. Duke thënë kështu e rregullt por Kosova i ka plotë tema në tavolinë e për këto tema mirë është të mos humbim kohë, mirë është që po shkon nà « kohë të rregullt kushtetuese mbajtja e zgjedhjeve", tha Haradinaj.

Si i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka ritheksuar se partia e tij shkon e vetme në zgjedhje por që është e hapur për Nismën, PSD-në, dhe AKR-në.

Por në anën tjetër , kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili ishte i pranishëm në këtë debat me qytetarë dhe që njëhërit mban pozitën si nënkryetari i parë i AKR-së lidhur me ofertën e Haradinaj tha se AKR është duke negociuar me të gjitha partitë por që si kriter kjo parti ka zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen territoriale të Kosovës.

Bahtiri: Po negociojmë me të gjitha partitë

"Ne jemi duke negociuar me të gjitha partitë politike dhe të shohim se me cilën do të shkojmë, ne nuk kemi vija të kuqe për askënd por do të shohim se cila është ajo që neve na konvenon për të shkuar përbashkët në zgjedhje, janë dy gjera që neve duhet të na plotësohen neve zhvillimi ekonomik dhe ruajtja territoriale e Kosovës", tha Bahtiri.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha se Kosova duhet të punoj edhe më shumë si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm ndërkombëtar.

Haradinaj: Kosova duhet të punojë më shumë me u bë shtet 100 %

"Kosova duhet me vazhdua me e përmbyll shtetësinë brenda qind për qind dhe ka ende punë me u bë shtet qind për qind kuptohet ka arritur me i konsoliduar institucionet, ka arritur me e shtri juridiksionin e saj por ende ka punë që Kosova me u kthye dhe me u bë vetvetja dhe me vendos vetë për krejt temat e jetës së vetë të brendshme po flas. Po ashtu Kosova nuk e ka shtetësinë planin e jashtëm qind për qind se pa u bë anëtar i OKB-së, anëtarësimi në NATO e të tjera për të ecur në planin e jashtëm ka peshë edhe dialogu", tha ai.

Para të pranishmëve ai ka numëruar një sërë investimesh që ka bërë në Mitrovicë gjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivit, ku ndër to përmendi rregullimin e statusit të Trepçës, rivitalizimin e hekurudhës, renovimin e tunelit, fillimin e punimeve në rrugën Prishtinë- Mitrovicë.

Haradinaj nga qytetarët e Mitrovicës u pyet për çështje të ndryshme si për mos akreditimin e universitetit të Mitrovicës" Isa Boletini", çështjen e listës së veteranëve e deri tek ndikimet partiake në emërimin e bordeve.

Teksa tregoi hapin e tij lidhur me vendimin për mbylljen e tri universiteteve publike, deklaroi se ka marrë qëndrim që Agjencia për Akreditim ta sanojë këtë situatë.

Haradinaj: Kam kërkuar që të mos ndodh mbyllja e programeve për këtë vit akademik

"Unë kam qenë i habitur nuk jam prej atyre qe dua çdo punë ta bëjë vetë dhe nuk mendoj se kam të drejta mbi çdokënd por ajo që më ka habitur shumë është një diferencë e Agjencisë së caktuar e cila mbërrin tek një vendim e që nuk na ka alarmuar përpara e nuk na ka thënë se kjo do ndodh kurrë. Kjo ka implikime për fëmijët e Mitrovicës nuk po mendoj për profesorët ... Unë kam marr një qëndrim të qartë se kjo duhet të sanohet me u gjetur mënyra mos me ndodh mbyllja e programeve për këtë vit akademik", tha ai.

Lidhur me emërimet politike nëpër borde Haradinaj tha se një gjë e tillë do kohë për t’u ndryshuar.

Pyetje nga qytetarët e pranishëm pati edhe për të parin e Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili i siguroi bashkëqytetarët e tij se ndarja e Mitrovicës nuk do të ndodh.

Bahtiri: Garantoj që Mitrovicën kurrë askush nuk e merr

"Mitrovicën kurrë askush nuk do e merr, kurrë këtë po ua garantoj unë derisa jam kryetar unë u vërtetua edhe në Bruksel mbi ndarjen territoriale administrative dhe unë nuk kam lëshuar pe me asnjë kusht dhe nuk do të lëshoj pe me asnjë kusht për arsye se plani serb ka qenë të ndahet me lumin Ibër dhe të ndërtohet me ndërtime të lartë mbi pjesën e lumit Ibër tani jam duke e bërë të kundërtën jam duke e bërë planin urbanistik në Mitrovicë dhe po e them sot haptazi se ajo pjesë ku kanë pretenduar me marr serbër do jetë qyteti i ri i Mitrovicës", u shpreh Bahtiri.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i ka porositur qytetarët shqiptarë  të Mitrovicës Veriore që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre sepse gradualisht sipas tij edhe atje do ketë ndryshime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat