LVV: Zgjedhjet, të domosdoshme që të ndalen keqpërdorimet në shëndetësi

Aktuale

LVV: Zgjedhjet, të domosdoshme që të ndalen keqpërdorimet në shëndetësi

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 12:42
Vetëvendosje

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se vendi duhet të shkojë urgjentisht në zgjedhje, në mënyrë që të ndalen keqpërdorimet në fushën e shëndetësisë.

Në një konferencë për media, kjo parti ka paraqitur disa nga problemet e vazhdueshme me të cilat përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Kryetari i Qendrës së LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia, deklaroi se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje që të ndalen të gjitha keqpërdorimet.

Vitia: Zgjedhjet, të domosdoshme që të ndalen keqpërdorimet në shëndetësi

“Kështu zgjedhjet  do të mbaheshin shumë më herët, duke zvogëluar në këtë mënyrë edhe keqpërdorimet brutale që kanë ndodhur e po ndodhin në qeverisje. Kjo kohë po lexohet si boshllëk nga shumë personazhe të lidhur me pushtetin e që për fat të keq gjenden në drejtimin e institucioneve. Ndaj, dua sot të përsëris se çdo kush që merr vendime në këtë kohë jashtë mandatit apo që shfrytëzon këto momente, do të kenë pasoja ligjore. Është jetike që shërbyesit civilë të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin në kohën sa jemi pa qeveri. Zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë qenë të domosdoshme për të ardhmen e Kosovës, veçanërisht edhe për t’i dhënë fund keqpërdorimeve e keqqeverisjes edhe në shëndetësi. Shpesh ka pasur përpjekje për t’iu lënë fajin profesionistëve shëndetësorë për gjendjen e rëndë në shëndetësi ose edhe mungesën e një strategjie zhvilluese për këtë sektor. Këtë e kanë përdorur si alibi ata që në fakt kanë pasur strategji të detajuar për të dështuar rregullin dhe zhvillimin e shëndetësisë”, tha ai. 

Vitia tha se sistemi i prokurimit ka shkaktuar padrejtësi të madhe karshi pacientëve, të cilëve iu pamundësohet trajtimi i dinjitetshëm shëndetësor, teksa ka shtuar se me këtë sistem të prokurimit, stafi shëndetësor po sfidohet me mungesën e mjeteve bazike për punë.

Vitia: Furnizimi me stenda, janë shpërblyer kompani që nuk garantojnë cilësi

“Rasti më i fundit i furnizimit me stenda, aty janë shpërblyer kompani, të cilat nuk garantojnë minimumin e cilësisë përmes certifikatave bazike pasi që këto certifikata kanë skaduar. Janë blerë stenda, të cilat sipas dokumentacionit nuk garantojnë cilësinë e duhur, paramendojeni tash stendat të cilat vendosen në arteriet koronare, në zemrën e pacientit, pikërisht këto nuk e kanë të garantuar cilësinë dhe sigurinë përmes certifikimeve adekuate. Rasti i furnizimit me shtretër për pacientë, ku porositen mbi 700 shtretër për persona me peshë deri në 300 kg, standardi për këta shtretër është maksimum 250 kg. Të gjitha spitalet blejnë vetëm një numër të caktuar të shtretërve që kanë maksimumin e peshës deri në 300 kg. Kjo pasoi nga një situatë komike, ku  shtretërit nuk mund të futen në dhoma për shkak se dimensioneve më të mëdha se dimensionet e dyerve të dhomave të destinuara”, tha ai.

Vitia tha se ka raste edhe më tragjike, ku sipas tij simulohet një situatë emergjente e furnizimit me produkte të hemodializës, shfrytëzohet për tender me procedura emergjente të negociuar, i jepet tenderi një kompanie të formuar në kohën kur Qeveria e Kosovës është në dorëheqje.

Për gjendjen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka folur kirurgu Baton Kelmendi, i cili tha se përkundër zotimeve të dhëna nga ish-qeveria sa i përket përmirësimit të gjendjes në shëndetësi, keqqeverisja ka vazhduar.

Për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi, sipas tij, duhet impenjim profesional dhe njerëzor. Ai tha se në vend të kësaj, kanë qenë dëshmitarë të marketingut personal partiak nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe menaxhmentit aktual të SHSKUK-së.

Kelmendi: Është luhatur besimi i pacientëve ndaj sistemit shëndetësor

“Është turp dhe nuk i bën nder askujt që në vitin 2019 ka pacientë që detyrohen të udhëtojnë jashtë vendit për raste që duhet të mbulohen brenda vendit. Vendimet e mbrapshta jo profesionale datojnë që nga viti 2000. Jemi në situatën kur është luhatur besimi i pacientëve në sistemin tonë shëndetësor, jo për shkak të mungesës së kompetencës së mjekëve, por si rezultat i pushteteve të deritashme dhe egërsisë së tyre në uzurpimin e pozitave kryesore drejtuese të shëndetësisë. Për këto shkaqe sot profili i menaxherit në sektorin shëndetësor asociohet me atë të shantazhuarit apo të nënshtruarit ndaj segmenteve të pushtetit dhe krimit të organizuar brenda apo jashtë sektorit. Situata në QKUK është shembulli më përfaqësues ku cinizmi ka arritur deri aty sa marketingu i ish-ministrit merret me përurim të punëve që janë kontraktuar ose kanë filluar të punohet vite më parë”, tha Kelmendi.

Duke folur për gjendjen në QKUK, Kelmendi tha se ende nuk ka një raport zyrtar për vdekjet e supozuara nga gazi. Ai tha se ditën e parë të komplikimeve është alarmuar menaxhmenti dhe drejtorët e klinikave, por që sipas tij, në vend se të fillojnë hetimet, është tentuar të fshihet ngjarja.

Ai tha se QKUK është i vetmi spital ku sallat e operacionit janë pa filtra steril, për shkak se tenderi për këta filtra nuk është milionësh, teksa shtoi se mjekët kosovarë rrobat që i përdorin gjatë operacionit, janë të detyruar t’i pastrojnë në shtëpitë e tyre, pasi ky shërbim nuk ofrohet në QKUK.

Kelmendi: Vazhdojnë të mungojnë materialet shpenzuese

“Materiali shpenzues, përkundër premtimeve dhe shtimit të buxhetit, mungesa e mjeteve elementare vijon të jetë sfidë për ne dhe pacientët. Çdo herë diçka është e mangët. Edhe kur njëri preparat është në stok, tjetrin e kemi në mungesë. Është e pabesueshme kur pacienti me nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjike nuk mund t’i nënshtrohet operacionit pa u siguruar për gypa, të cilët përdoren për anestezion. Gypat me numër 3.5 deri në 8 kanë munguar për më shumë se një vit. Në mjekimin intensiv pediatrik ka pasur periudhë të gjatë kur kanë munguar elementet bazike për punë, duke filluar nga dorëzat për një përdorim. Javën e kaluar kemi pasur mungesë të sistemit për infuzion”, u shpreh ai.

Kelmendi ka hedhur akuza për politizim të administratës së ShSKUK-së, madje ai thotë se ajo ngjan më shumë me një degë të PDK-së.

Kelmendi: Administrata më shumë i ngjan zyrës lokale të PDK-së

“Drejtoria dhe bordi aktual ka bërë ‘partizim' brutal në shërbimin spitalor universitar. Ky fenomen ka arritur kulmin aktualisht. Një ndër arsyet e dështimeve të shumta është mungesa e plotë e kritereve profesionale dhe etike. Ndërtesa e administratës së SHSKUK-së më shumë i përngjan zyrës lokale të PDK-së për lagjen e spitalit sesa në institucion përgjegjës për të vetmen qendër në vend”, tha ai.

Kelmendi ka pasur disa fjalë edhe për ministrin e Shëndetësisë në dorëheqje Uran Ismaili, për të cilin tha se vjen nga fusha e biznesit dhe sipas tij njëjtë ka vepruar edhe me shëndetësinë. Ai tha se në shëndetësi nuk ka reklamë, pasi sipas tij, janë të kota promovimet teksa në spitale mungojnë gjërat edhe më elementare. 

Vetëvendosje në konferencë për gjendjen në QKUK 

Lëvizja Vetëvendosje po mban konferencë për media për të folur në lidhje me gjendjen e krizës në shëndetësi, me theks të veçantë në Qendrën Klinike Universitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat