KQZ: Tak paret, tak zgjedhjet

Aktuale

KQZ: Tak paret, tak zgjedhjet

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 14:02
KQZ

Ofrimi i i vetë- dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, ka bërë që partitë politike në vend, të mendojnë për zgjedhjet e parakohshme të cilat mund të mbahen në fillim të muajit tetor.

Të paktën, kështu tha gjatë ditës së djeshme kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë për media ku edhe njoftoi se më 22 gusht do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës për t’iu hapur kështu rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Por, sa është i gatshëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e procesit zgjedhor brenda kësaj periudhe?

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ do të fillojë përgatitjet që nga momenti kur presidenti i vendit, Hashim Thaçi do t’a shpallë datën e zgjedhjeve.

I pyetur se kur është afati i fundit që KQZ-ja të ketë buxhetin e saj për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ai ka thënë se sipas Ligjit të Buxhetit, për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për një organizim të tillë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, KQZ-ja bën kërkesë në Qeverinë e Kosovës për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve. Sa për rikujtim, kështu është vepruar së fundmi me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, të cilat u mbajtën më 19 maj të këtij viti. Sa më shpejt që do të miratohej kërkesa për mjete financiare, pas paraqitjes së saj, kjo do të lehtësonte tej mase punën e KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve”, tha ai.

Media e ka pyetur atë edhe për koston e këtyre zgjedhjeve mirëpo, Elezi tha se nuk mund të jap përgjigje për këtë. Shtoi se kostoja e përgjithshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 ka qenë 4 milion euro.

“Sa do të kushtojnë zgjedhjet eventule ne nuk mund ta dimë tani. Ndërsa, kostoja e përgjithshme e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017 ka qenë 4 milion euro”, tha ndër të tjera ai.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës dje mori vendim që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet më 22 gusht për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Kujtojmë se pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti, Hashim Thaçi mund të shpallë këto zgjedhje në një periudhë prej 30 deri në 45 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat