Takimi i fshehtë në shtëpinë e Isa Mustafës? Çfarë i kishte kërkuar Haradinaj kreut të LDK-së? - Bota Sot
Takimi i fshehtë në shtëpinë e Isa Mustafës? Çfarë i kishte kërkuar Haradinaj kreut të LDK-së?

Aktuale

Takimi i fshehtë në shtëpinë e Isa Mustafës? Çfarë i kishte kërkuar Haradinaj kreut të LDK-së?

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 12:45
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Kreu i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing në T7, ka folur për qëndrimin rreth punës së taksës, derisa ka zbuluar për herë të parë ekskluzivisht se pas vendosjes së kësaj mase e vizitoi Ramush Haradinaj, i cili kërkoi të dinte qëndrimet e LDK-së për këtë temë. Mustafa thotë se nëse partia e tij qeveris vendin, taksa nuk do të hiqet.

Sipas Mustafës, taksa nuk duhet të hiqet edhe pse nuk i ka bërë asnjë të mirë Kosovës. Sipas tij, Serbia nuk e meriton t’i hiqet taksa derisa të zbutet.

“Taksa nuk i ka bërë asnjë të mirë Kosovës. Serbia nuk meriton me e heqë tarifën. Ajo hiqet vetëm me kushte, kur Serbia i zbaton marrëveshjet që i kemi cekë, kur Serbia tërhiqet nga fushata kundër Kosovës, atëherë ne mund të ulemi dhe do të bisedojmë. Nuk kemi arsye që ta heqim taksën kur Serbia po sillet edhe ma keq se është sjellë më parë, sidomos kur kemi parasysh rastet kur na detyrojnë të heqim tabelat apo mërgimtarët të presin në kufi. Taksa është vu dhe na ka futë në siklet me partnerët por tashmë e kemi këtu taksën. Kur të hymë në qeveri ne do t’i kompletojmë të gjitha masat e reciprocitetit. Nëse ata zbuten, edhe ne zbutemi”, ka thënë Mustafa në Pressing, derisa ka komentuar edhe diskutimet që u bënë se ide e kujt kishte qenë masa e vendosur për produktet serbe e boshnjake e njohur si 100 për qindëshi.

“Nëse flasim për taksën ideja nuk ka qenë e Haradinajt po e PDK-së, sipas zotit Thaçi Enver Hoxhajt e Veselit, ata po thonë që e kanë dhënë idenë për 10 përqind pastaj me u rritë në 20. Ka mbetë procesi aty ku është në këtë aspekt s’mund askush t’i marrë meritat në atë çështje, po unë konsideroj se dëm i është bërë vendit sepse kemi degraduar totalisht me institucionet e BE-së, ka mbetë çështja e liberalizimit të vizave askund, u premtu që do të korrigjohet marrëveshja me Malin e Zi”, thotë ai.

Për herë të parë, lideri i LDK-së ka zbuluar në emisionin Pressing se pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka vizituar për të folur për këtë temë në shtëpinë e tij. Mustafa dha edhe detaje nga kjo vizitë.

“Mund të them tani se kam diskutuar edhe me Haradinajn punën e taksës edhe ai më ka vizituar në shtëpi dhe më ka pyetur troç: vetëm dëshiroj të di mendimin e LDK-së karshi këtij vendimi. Ne i kemi thënë që në asnjë rast nuk pajtohemi me shkëmbim të territoreve, edhe për atë punë të thotë kush çka të dojë nuk do ta përkrahim, edhe me ardhë në Kuvend, e votojmë kundër po nuk është mirë me ardhë në Kuvend, por është mirë ti si kryeministër me marrë punën e dialogut, sepse të takon ty e jo tjerëve”, shton ai, derisa tregon edhe çka i është përgjigjur Haradinaj.

“Mu ma shumë kurgjo s’më intereson, përveç qëndrimit të LDK-së, sepse nëse LDK-ja mbetet këtu, atëherë jemi të sigurt që nuk lëvizin gjërat, po LDK-ja nëse i lëviz qëndrimet atëherë ndryshon çdo gjë”, citon Mustafa t’i ketë thënë Haradinaj.

Mustafa thotë se LDK-ja nuk do ta heqë këtë masë nëse merr pushtetin.

“I kam thënë se sa i përket taksës edhe pse kemi bë vërejtje. Ne nuk do ta bëjmë këtë as çështje të bisedës as deklaratave tona politike, do të rrijë taksa aty ku është dhe LDK-ja nuk do ta lëvizë”, tha Isa Mustafa, lideri i LDK-së, në emisionin Pressing në T7.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...