Berisha: Deklaratat e pamatura të Serbisë nxisin rritjen e tensioneve ndëretnike - Bota Sot
Berisha: Deklaratat e pamatura të Serbisë nxisin rritjen e tensioneve ndëretnike

Aktuale

Berisha: Deklaratat e pamatura të Serbisë nxisin rritjen e tensioneve ndëretnike

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 16:11
Berisha: Deklaratat e pamatura të Serbisë nxisin rritjen e tensioneve ndëretnike

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në takime të ndara Michel Soula, shef i Operacioneve dhe Misioneve të NATO-s, të shoqëruar nga drejtori i Ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s(NALT), gjeneral brigade Michael Oberneyer dhe këshilltar nga ekipi i NALT-it.

Berisha e njoftoi përfaqësuesin e NATO-s lidhur me procesin e tranzicionit të FSK-së, duke rikonfirmuar se ky proces do të jetë transparent dhe garanton zhvillimin e një Force të besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në dhënien e kontributit për paqe dhe siguri në rajon e më gjerë.

Ministri gjithashtu theksoi se deklaratat e pamatura të zyrtarëve të lartë të Serbisë nuk  i kontribuojnë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe mund ta nxisin rritjen e tensioneve ndëretnike.

Ai shtoi se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe se FSK-ja është e gatshme që edhe me kapacitetet e tanishme t’i përkrahë aleatët kurdo që kërkohet prej saj.

Ndërsa, Soula theksoi se NATO-ja ka një përkushtim afatgjatë ndaj Kosovës dhe se përkrahja përmes NALT-it për FSK-në do të vazhdojë edhe më tej. Soula e njoftoi ministrin edhe për diskutimet e nivelit të lartë në NATO rreth bashkëpunimit NATO-FSK në të ardhmen.

Ministri Berisha shprehu bindjen se diskutimet brenda NATO-s rreth marrëdhënieve me FSK-në do të avancojnë dhe se aleatët do të marrin vendime që u shërbejnë thellimit të raporteve tona, besimit të ndërsjellë dhe stabilitetit në rajon.

Edhe në takimin e kreut të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës me zyrtarin e lartë të NATO-s, Soula u bisedua për bashkëpunimin e mirë ndërmjet NATO-s dhe FSK-së, nëpërmjet NALT-it dhe këshilltarëve të NATO-s, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm që ka Kosova për të qenë shtet anëtar i NATO-s, si dhe shtet i integruar në BE. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...