Veseli: Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë, por do t’ia dal - Bota Sot
Veseli: Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë, por do t’ia dal

Aktuale

Veseli: Lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë, por do t’ia dal

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 17:38
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se me besimin e qytetarëve në zgjedhjet e reja parlamentare, do ta nisë betejën më të madhe në karrierën e tij politike – luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Ai ka thënë se këtë betejë, e cila është shumë e vështirë, e ka nisur nga partia e tij dhe do ta vazhdojë në të gjitha institucionet e Kosovës.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, në një intervistë për Kosovapress, thotë se ashtu siç ka luftuar kundër Serbisë, do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai vlerëson se lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do t’i hapë Kosovës perspektivë të re të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë qytetarët pa dallim.

Veseli: Ashtu siç kam luftuar kundër Serbisë, do të luftoj kundër korrupsionit

“Shumë liderë të partive të tjera merren me mua dhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Më shumë duhet të merremi me probleme që i kanë qytetarët, që është korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, ballafaqimi me Serbinë. Për besë, po më pengon nganjëherë kur vendosim vija të kuqe mes shqiptarëve, por unë kam vijë të kuqe vetëm me Serbinë dhe deri në fund do të kem me armiqtë e shtetit të Kosovës dhe kombit tim, kombit shqiptar. Ky është orientimi im. Do të kem komunikim të mirë me të gjithë për të mirën e Kosovës dhe mbrojtjen e saj për të ecë përpara. Unë jam shumë i kënaqur me reagimin e qytetarëve që po japin një përkrahje të madhe. Unë po e shoh çdo ditë nga takimet në terren. Po ua jap fjalën. Nuk e bëj këtë për vota ose për t’i fituar një palë zgjedhje dhe një pushtet. Pra, i turpshëm qoftë ai që mendon në atë. Deri në fund do të shkoj. E kam thënë dhe po e ripërsëris se qysh kam l uftuar kundër Serbisë, do të luftoj edhe kundër korrupsionit dhe dukurive negative, të cilat e dëmtojnë Kosovën, sepse po e dobësojnë Kosovën edhe në ballafaqim me Serbinë. Nuk do të jem tolerant ndaj njerëzve në partinë time e lëre më ndaj partive tjera. S’do të ketë në qeverisjen time katërvjeçare njerëz të korruptuar, do t’i japim mundësi njerëzve të rinj dhe të pa korruptuar. Është një rrugëtim që është i pandalshëm, vetëm vonim, nuk ka shpëtim. Ky është edhe qëllimi im jetësor në politikë, edhe pse kandidoj për kryeministër. Ta përfundojmë përfundimisht ballafaqimin me Serbinë dhe t’i japim perspektivë Kosovës sonë në luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe në punësim e zhvillim ekonomik. Me SHBA-në dhe me partnerët perëndimorë evropianë, Kosova nuk duhet assesi t’i zbehë raportet dhe t’i shikojë si armiq”, thotë Veseli.

Kryetari i PDK-së ka folur në këtë intervistë edhe për qëndrimet e fundit të aleatëve të Kosovës, vendeve të Quintit. Ai ka thënë se në këto zgjedhje që po vijnë, qytetarët do të vendosin a duan të vazhdojnë rrugën e partneritetit të sigurt me aleatët perëndimorë, apo duan që vendi të mbetet i izoluar e pa miq.  

Veseli: Shqetësimet e Quintit janë të arsyeshme

“Janë shqetësime të arsyeshme të miqve tanë të Kosovës me të cilët kemi arritur deri këtu lirinë dhe kemi arritur shtetin e pavarur dhe sovran, prandaj duhet të ecim bashkërisht. Ajo çka është më kryesore, nga këto zgjedhje që do të mbahen, do të jenë shumë vendimtare për drejtimin që do ta merr Kosova. A do të jetë një drejtim i partneritetit dhe mençurisë strategjike të Kosovës që së bashku me këtë partneritet ta mbrojmë këtë çka kemi arritur deri më tani dhe të ecim sigurt drejt integrimeve euro-atlantike, apo do të kalojmë në një aventurë, e cila ka shumë të panjohura që është konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë të Evropës që shihen si armiq. Andaj, është e rëndësishme dhe unë i kam takuar shumicën e ambasadorëve, të SHBA-së dhe vendeve perëndimore. Janë me Kosovën, janë për Kosovën dhe jam i sigurt që qytetarët do të dinë edhe në vendimmarrjen e vet t’i japin këtij drejtimi edhe këtij partneriteti, ta fuqizojmë edhe më shumë”, thotë Veseli.

Lideri i PDK-së ka folur edhe për takimin e djeshëm ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit dhe mundësinë që LDK e VV të bëjnë koalicion parazgjedhor. Ai thotë se nga takimet Mustafa - Kurti është vetëm një gjë e sigurt, e cila nuk do të realizohet - lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi siç thotë Veseli ky takim ishte vetëm për interesat e tyre personale.  

Veseli: Takimi Mustafa - Kurti, për interesa të tyre e jo për qytetarët

“Janë takime normale. Në rrethanat politike partitë politike edhe bëjnë koalicione. Është pak a shumë jo normale historia, të cilën e kanë këta dy persona që po tentojnë të bëhen partnerë në rrethanat e reja. Në fakt, nga ai takim mund të ketë vetëm diçka. Është takim nga i cili nuk mund të presin asgjë qytetarët e Republikës së Kosovës. Takim që ka interes t’i akomodojnë interesat e tyre, të bashkëpartiakëve të tyre, është interes për pushtet. Bile, mirë që u pa ky takim për ta parë edhe qytetarët se çfarë parimesh kanë ata në ato të cilat kanë etiketuar njëri-tjetrin. Por, duhet pranuar edhe një fakt, është edhe një takim që shpreh edhe një frikë, sepse nuk mund të ballafaqohen me Partinë Demokratike të Kosovës. Për dy vjet kanë kërkuar çdo ditë zgjedhje, por në momentin kur ka dhënë dorëheqje kryeministri Haradinaj, ata mbeten të stepur. Ne në zgjedhje do të shkojmë. Askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve. Ajo çka po kërkojnë (qytetarët), është një jetë më e mirë, një perspektivë më e mirë, e cila nuk mund të arrihet pa pasur një vizion të qartë, një vendosmëri të cilën e ka Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e kam unë për një Kosovë perëndimore, për një Kosovë e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, kundër nepotizimit. Duhet luftuar këto fenomene, të cilat janë duke e ndalur perspektivën tonë. Ne jemi të gatshëm, kemi filluar në PDK dhe do ta bart këtë frymë në të gjitha segmentet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo rrugë është e pashmangshme, nuk është e lehtë, ka sfida”, thotë Veseli.

Në fund ai tha se në këtë vend do të ketë shanse, do të ketë perspektivë, por edhe do të ketë luftë të pa kompromis të atyre që mendojnë veç për vete, për korrupsion, veç për të marrë vende pune. Pra, sipas tij, do të shkohet deri në fund në masa të prekshme për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, për arsye se disa e kanë bërë mbi kurrizin e qytetarëve. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...