Molliqaj thotë se PSD-ja e ka pranuar autostradën e Dukagjinit

Aktuale

Molliqaj thotë se PSD-ja e ka pranuar autostradën e Dukagjinit

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 00:03
Dardan Molliqaj

Ish-deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se për të arritur një koalicion parazgjedhor duhet të ketë kompromise, dhe kjo ka thënë se është bërë edhe me koalicionin parazgjedhor mes AAK-së e PSD-së.

Sipas tij, ndër dallimet kryesore që ishte në të kaluarën është plani i AAK-së për autostradën e Dukagjinit, e që PSD tash thotë se e ka pranuar.

“Çka nënkupton bashkëpunimi. S’nënkupton shkrirje. S’është kjo dashuri. Është për çka janë bashkuar. Ne s’jemi bashkuar pse pajtohemi 100 për qind, por kemi thënë a mundemi që plani jonë dhe i juaji të integrohet jo 100 për qind, por të gjejmë pikat që bashkohen e duke bashkuar forcat edhe elektorale edhe dijes e realizimit të ndryshojmë jetën e njerëzve. A ka kompromise? Po. Kjo është mirë të bëhet sa më herët. Edhe dallimet që kemi pas. Sigurisht AAK ka pranuar gjëra që po të shkonte vet s’do të kishte temë kryesore, për shembull pagën minimale, shëndetësinë si e shohim ne, sigurimet shëndetësore e shumë tema të tjera. PSD-ja është dashtë po ashtu t’i adresojë. Ku jemi dakorduar për autostradën? Meqenëse është kjo ide e tyre për zhvillimin ekonomik të rajonit, kemi thënë hajde të gjejmë mënyrën më të mirë të financimit për këtë projekt, që të ketë kosto sa më të ulët. Ekipet po punojnë, dhe besoj që ka modele të ndryshme. Një nga to është kredia në BERZH që e kemi marrë 50 milionë euro a diçka për qarkoren e Prishtinës, është e butë, kthimi i ngadalshëm. Absolutisht, kemi gjetur koordinim si t’i shtyjmë projektet përpara”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë po ashtu se është “zgjidhur edhe problemi potencial mes dy partive për kontratën për termocentralin ‘Kosova e Re’”. Këtu ka treguar se dallimi ishte te mënyra e financimit. Ka thënë se qeveria është treguar e kujdesshme që nëse dështon marrëveshja të mos penalizohet shteti dhe në anën tjetër ka thënë se PSD-ja ka pasur të drejtë se investimi s’ishte i qëndrueshëm sepse “Contour Global” s’ishte kompani energjetike.

“Ne ishim ekskluzivisht kundër kontratës që ka nënshkruar Qeveria me ‘Contour Global’ sepse është e dëmshme për zhvillimin e kapacitetit energjetik në Kosovë. Ka qenë modeli i një kompanie gjermane, ndër më të mirat në rajon e botë, për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, kosto ishte më e favorshme dhe përfitimet tona janë më të shpejta e më të mëdha. Jemi në një pikë ku është zgjidh problemi potencial mes nesh, por edhe për shtetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Molliqaj ka thënë se e sheh koalicionin AAK-PSD si fituese të zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat