Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku tregojnë se çka ndodhi sot me Vetëvendosjen

Aktuale

Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku tregojnë se çka ndodhi sot me Vetëvendosjen

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 21:17
Pamje nga emisioni

Dy zyrtarët e lartë të LDK’së, Kujtim Shala dhe Lumir Abdixhiku, në emisionin Pressing të T7, kanë treguar pse nuk arritën të merren vesh me Vetëvendosjen dhe pse partia e tyre e refuzoi ofertën e Albin Kurtit.

Pak orë para se të mbyllet afati i Komisionit Qendror Zgjedhor, me disa letra publike, Albin Kurti e Isa Mustafa nuk arritën të pajtohen për një koalicion parazgjedhor.

Abdixhiku fillimisht sqaron se LDK’ja ka negociuar për koalicion parazgjedhor vetëm me VV’në dhe me asnjë subjekt tjetër.

Tutje ai thotë se nuk kanë mundur ta pranonin ofertën e VV’së pasi nuk donin garë të brenshme në koalicion.

“Këto diskutime i ka bërë vetëm me Lëvizjen . Ne kërkonim sinergji. Nuk e sjell fitoren të pritur si sinergji, por e kthen atë në një garë të brendshme. Paramendo si do të dukej një fushatë kur ne do të luftonim njëra-tjetrin”, ka thënë Abdixhiku, transmeton Gazeta Express.

Oferta e Kurtit thoshte se LDK e VV të shkonin pa kandidatë për kryeministër, e ai që merr vota më shumë bëhet shef i qeverisë.

“Një listë pa krye sjell një fund pa krye. Nëse nuk merremi vesh për mandatarin, cfarë logjike ka të merremi me të tjerat” , thotë Abdixhiku.

Ndërkaq, Shala ka treguar se LDK e mendon të vetmen partnere VV, qoftë para e qoftë pas zgjedhjeve.

“Gjatë kësaj kohe ne me VV’në kemi diskutuar për të dy variantet, për koalicion parazgjedhor dhe partneritet pas zgjedhjeve, edhe në përgjigjen e Mustafës tregohet se VV është partner kryesor si para ashtu dhe pas zgjedhjeve. Unë mendoj që kemi qenë korrekt, çështjen e kandidatit për kryeministër se kemi diskutuar në kuptimin që nuk kemi pranuar ta diskutojmë”, ka thënë Shala.

Ai ka insistuar se LDK’ja nuk mund të pranojë kandidat tjetër pos Vjosa Osmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat